Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, e ka dënuar me pesë muaj burgim me kusht dhe 1200 euro gjobë të akuzuarin për posedim të paautorizuar të narkotikëve, Feronit Shabanin, i njohur me emrin artistik Fero.
Bazuar në aktgjykimin e shpallur të enjten, nga gjykatësi Avdirrahman Gashi, dënimi me burg ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti
Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 20 shkurt, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Blerim Igrishta, i akuzuari Shabani është deklaruar fajtor për veprën që i vihet në barrë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 15 nëntor 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Feronit Shabani, me arsyetimin se ai ka kryer veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275, paragrafi 1 të KPRK-së
Sipas aktakuzës, Shabani, në mënyrë të paautorizuar ka poseduar substanca narkotike, me peshë të përgjithshme prej 13.5 gram.
Në aktakuzë thuhet se me 25 qershor 2018, rreth orës 21:20, në rrugën ”Avdi Kelmendi” në Lipjan, pas një kontrolle të realizuar nga ana e policisë, pasi e kanë ndaluar automjetin e tipit “VW Toureg”, tek i akuzuari Shabani është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit ”marihuanë”.