Kur flasim për emocionet kuptojmë mënyrën e reagimit të individit, gjendja e ndryshueshme fizike, psikologjike e që ndikojnë direkt në aspektin e të menduarit dhe sjelljen.
Shkruan: Besnik Sherifi – Psikolog Klinik
Emocionet janë të lidhura me një sërë fenomenesh psikologjike që përfshijnë temperamentin, personalitetin, gjendjen stresuese, motivimin etj. Shfaqja e emocioneve tregon jo vetëm mënyrën e reagimit ndaj një ngjarje, por gjithashtu tendencë të rëndësishme veprimi që përcakton edhe procesin e ndërveprimit social.
Lidhur me mënyrën e reagimit, qasjen ndaj situatës, mënyrën e kontrollimit dhe tejkalimin e ngjarjeve të ndryshme emocionale dhe stresuese rol të rëndësishëm ka inteligjenca emocionale.
Sipas (Goleman, 1997) kjo përfshin njohjen e emocioneve, kontrollimin e emocioneve, motivimin e vetvetes, ruajtjen e marrëdhënieve, kuptimin e emocioneve, vetëvlerësimin, vetëbesimin, vetmenaxhimin etj.
Sipas disa hulumtimeve thuhet se ka lidhshmëri ndërmjet inteligjencës emocionale dhe performancës akademike (Laporte, 2006). Disa nga tiparet e inteligjencës emocionale, vetëbesimi, siguria e brendshme e vlerave, (vetëvlerësimi) ndikojnë në suksesin e nxënësve për mësimnxënie.
Sipas (Parker dhe të tjerët, 2004) studiuan faktorët e inteligjencës emocionale dhe sugjeruan se aftësitë e inteligjencës emocionale mësimi socio-emocional ndikojnë dukshëm, pozitivisht në arritjen akademike.
Nga kjo mund të themi se rol të rëndësishëm në tiparet e inteligjencës emocionale kanë prindërit, roli i prindërve, stilet e prindërimit, roli dhe qasja e mësimdhënësve tek nxënësit, mënyra e komunikimit, bashkëpunimit si dhe rrethi social i bashkëmoshatarëve.
Në këtë aspekt efekte pozitive ka edhe mjedisi i klasës, hapësirat fizike, pajisjet dhe orenditë, rregullat dhe materialet e ofruara etj.
Është shumë e rëndësishme se mënyra e menaxhimit të emocioneve, mënyra e shprehjeve emocionale, vetëkontrollit, shoqërizimi, bashkëpunimi, ndikojnë në shëndetin emocional ku dhe mund të përkufizohet si trampolinë e ngritjes së shkathtësive komunikuese e fitimit të përvojave të reja, përpjekën emocionale, tejkalimin dhe menaxhimin e vështirësive e problemeve të ndryshme që mund të ndikojnë në gjendjen psikofizike te nxënësi.
.