Në Konferencën Rajonale “Regional Investment Promotion” të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë në bashkëpunim me partnerët Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Odën Ekonomike të Malit të Zi u zhvilluan diskutime në tri panele për temat më relevante në vend dhe rajon.
Në panelin e parë u diskutua për temën “Rëndësia e arsimit dhe aftësimit profesional dhe ndërlidhja me tregun e punës”, me panelistët: Majlinda Rizvanolli Bajraktari – Këshilltare për Arsim dhe Aftësim Profesional (AAP), Lulzim Aliu– Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, Mladen Perazic – Drejtor i Sektorit të Edukimit në Odën Ekonomike të Malit të Zi.
Në fillimin e diskutimeve me panelistët, Qëndresa Ibrahimi, Koordinatore e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, theksoi që arsimi dhe aftësimi profesional është i një rëndësie kruciale, duke qenë njëri ndër sektorët më të rëndësishëm i cili përgatitë të rinjët për punë dhe pajisë ata me shkathtësi, njohuri dhe kompetenca të nevojshme për tregun e punës. Si e tillë konsiderohet të jetë hallkë e rëndësishme e krijimit të kapitalit efektiv njerëzor duke i dhënë vendit mundësi të rritjes dhe zhvillimit përmes kuadrit profesional.
Përderisa, Majlinda Rizvanolli Bajraktari – Këshilltare për Arsim dhe Aftësim Profesional (AAP) ka thënë se Qeveria e konsideron AAP si një shtyllë shumë të rëndësishme dhe e trajton me prioritet të lartë pasi që dihet rëndësia e tij në zhvillim të vendit. “MASHT-i është zotuar të fillojë me pilotimin e sistemit të arsimit dual, duke pasur parasysh se kemi potencial shumë të madh sepse kemi rini prandaj duhet të bëjmë zgjidhje për të gjetur veten në tregun e punës”, ka thënë Rizvanolli Bajraktari.
Ndërsa, Zëvendësministëri i Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, Lulzim Aliu ka thënë se në Maqedoni se kanë akredituar programe për shumë profile për përgatitjen e kuadrove të reja profesionale, të cilat do të i’u shërbejnë kompanive për të pasur fuqi punëtore të kualifikuar. Lidhur me këtë, Aliu tha se në krahasim me Kosovën, Maqedonia Veriore është një hap më përpara për arsimin dual. “Me reformën themelore në arsim, veçanërisht me ndryshimet që po bëjmë në arsimin e mesëm profesional, kemi për qëllim të formoimë të rinië të përgatitur për të përmbushur kërkesat e tregut të punës”, deklaroi Aliu.
E nga ana tjetër, Mladen Perazic – Drejtor i Sektorit të Edukimit në Odën Ekonomike të Malit të Zi, tha se në krahasim me të kaluarën, në Mal të Zi ka kuadro profesionale që i’u mundëson kompanive të kenë produkte moderne konkurruese. Perazic theksoi se nga viti 2017 kanë një sistem fleksibil për të lehtësuar gjetjen e fuqisë punëtore për bizneset. Ai shtoi se bizneset që kanë dëshirë të bashkëpunojnë me universitetet kanë mundësinë që të marrim student në kompanitë e tyre varësisht nga profesionet dhe nevojat që ka kompania. “Kur e kemi fillur këtë proces ka pasur interes nga kompanitë mirëpo nga viti 2017 ky interesim vetëm po rritet”, tha në fund Perazic.
Në fund të diskutimit me panelin e parë, u ritheksua rëndësia e Arsimit dhe Aftësimit Profesional me idenë që si Kosova ashtu edhe vendet e rajonit me këtë rast Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi duhet të vazhdojnë punën e tyre progresive në këtë aspekt.
Gjithashtu, pas këtij paneli, në pjesën e diskutimeve të hapura, të pranishmit kishin mundësinë që të parashtrojnë pyetje për panelistët.