/2L ONLINE/ – Takim i mbrëmshëm i krerëve më të lartë të PDK-së me strukturat, anëtarësinë dhe përkrahësit e këtij subjekti politikë në Gjilan, solli ndër tjerash edhe entuziazmin e zëvendëskryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, i cili duke iu referuar sallës së stërmbushur në Teatër, e kishte një porosi për kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin, duke thënë se do ta ketë rëndë më 2017, pasi atij postin e kryetarit të komunës do t’ia marr Zenun Pajaziti, aktualisht kryetar i Degës së PDK-së, por që pritet të jetë edhe kandidat për të parin e komunës, në zgjedhjet e ardhshme.
Veseli, që me zgjedhjen eventuale të Hashim Thaçit President i Republikës së Kosovës, për të cilën gjë tha se është punë e kryer dhe është çështje dite, pret ta merr “timonin” dhe ta drejtojë partinë, ka thënë se Lutfi Haziri do ta ketë shumë të rëndë përballjen me Zenun Pajazitin, pasi ai do t’ia kthej fitoren PDK-së, në Gjilan edhe atë bindshëm.
“Lutfi Haziri, miku jonë, ka me pas shumë të vështirë më 2017-tën, pasi Zenun Pajaziti, PDK-në do ta kthejë fitimtare në Gjilan”, u ka thënë të pranishmëve, Veseli, duke ua rikujtuar atyre të mirat që PDK ia solli Gjilanit, duke përmendur infrastrukturën, universitetin, por edhe vazhdimin e realizimit të premtimeve tjera të PDK-së, përkatësisht liderit Thaçi, siç është edhe autostrada, që ende nuk ka nisur.
Edhe Zenun Pajaziti, kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, ka thënë se prej se ka marr besimin për të qenë në krye të degës, ka pas mjaftë takime nëpër terren, me struktura, anëtarësi, mbështetës, por edhe me qytetarë dhe se ata po i besojnë projektit të PDK-së. Ai tha se gjilanasit janë të gatshëm për fitore të PDK-së që do ta rikthejnë atë në pushtet.
Pajaziti ka vlerësuar lartë angazhimet e qendrës, qoftë si parti qoftë si qeverisje duke thënë se lideri Thaçi vazhdon të jetë garant i projekteve për Gjilanin, ndërsa për zhvillimet qendrore, ai shtoi se gjilanasit po i thonë jo, atyre që me anë të dhunës po mundohen të ndërrojnë sistemin demokratik në Kosovë. Edhe PDK-ja e Gjilanit, bashkë me qytetarët e kësaj komune, nuk do të lejojë të dhunohet demokracia, ka thënë ai.
Përndryshe, ardhja e krerëve më të lartë të PDK-së në Gjilan, prirë nga kryetari Thaçi, ishte e para prej se në krye të Degës së PDK-së në Gjilan erdhi Zenun Pajaziti, i cili besimin nga kryesia e kishte marrë më 9 nëntor 2015, ndërsa me 14 nëntor edhe bekimin e Këshillit Drejtues të Degës. /2L ONLINE/