Siç u tha, zyra ka për obligim që të promovojë dhe mbrojë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, qasjen e barabartë në shërbimet publike, të bashkërendojë procesin e kthimit dhe të promovojë krijimin e kushteve për kthim, ri-integrim dhe riatdhesim, pastaj që të identifikojë nevojat e komuniteteve jo shumicë, të sigurojë dhe monitorojë projektet dhe të tjera.
Izmi Zeka, kryesues i komitetit për politikë dhe financa, njëherësh edhe kryesues i kuvendit komunal, ka thënë se rregullorja udhëzon komunat për themelimin e zyrave, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të personave që iu përkasin komuniteteve jo shumicë, krijimin e kushteve për kthim të qëndrueshëm dhe ri-integrim të refugjatëve, personave të zhvendosur dhe personave të riatdhesuar.
Komiteti, pasi diskutoi edhe për numrin e shërbyesve që duhet të punësohet në këtë zyre, duke rekomanduar që të fillohet me tre zyrtarë, e la në kompetenca të kryetarit të komunës që bashkërisht me komitetin për komunitete, të vendos për stafin e zyrës për komunitete dhe kthim, ashtu siç e parasheh rregullorja.
Rregullorja nuk parasheh buxhet shtesë për këto zyra, por komunat janë të obliguara që nga buxheti i tyre të ndajnë mjete të mjaftueshme financiare për pagat e stafit si dhe funksionimin e zyrave.
Kemajl Shahin, kryesues i komiteti për komunitete, ka thënë se stafi i zyrës duhet të jetë i përbërë nga pjesëtarë të komunitetit serb, rom dhe turk dhe komiteti që përfaqëson ai, ka rekomanduar një staf prej 5 zyrtarësh.
Sadudin Berisha, Sokol Haziri, Sabedin Kadriu, Arben Mehmeti dhe anëtarë tjerë të KPF kanë rekomanduar që të merret parasysh edhe realiteti i ri gjeografik dhe etnik që është krijuar në Gjilan pas themelimit të komunës së re të Parteshit dhe zgjerimit të komunës së Novo Bërdes, të cilat i kanë marrë shumicën e vendbanimeve me popullsi serbe dhe mbi këto baza të caktohet edhe numri i zyrtarëve, që duhet të rekrutohen në këtë zyrë. /2lonline/