Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Arianit Sadiku, kryesues i Kuvendit Komunal, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend propozim-vendimin për miratimin e planit të punës të Kuvendit për vitin 2023, propozim-vendimin për draft-statutin e QKMF “Dr. Nagip Rexhepi”, draft-programin trevjeçar të banimit 2023/2025, propozim vendimin për lirim të përkohshëm nga pagesa e gjobës komunale për regjistrim të mëvonshëm të lindjeve dhe vdekjeve, propozim-vendimin për kompensimin e anëtarëve të Komisionit për ndarjen e bursave si dhe informatën për suksesin e nxënësve në gjysmë vjetorin e parë të vitit shkollor 2022-2023.
Po ashtu, Komiteti ka rekomanduar për diskutim në Kuvend edhe tri propozime shtesë: implementimin e marrëveshjes së partneritetit publiko-privat me kompaninë ‘Ecohigjiena’, formimin e një komisioni për shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave në procesin e emërtimit të rrugëve, shesheve dhe numërimit të adresave si dhe adaptimin e projektit në qendër të qytetit.
Të tria këto propozime, dy të parat nga përfaqësuesi i PDK në Kuvend, ndërsa i treti nga përfaqësuesi i LDK-së, u përkrahën në mënyrë unanime nga KPF-ja.
Formimi i një komisioni për kërkesa dhe ankesa të emërtimeve u vlerësua si nevojë për emërtimin e rrugëve dhe rrugicave të reja, ndërkaq adaptimi i projektit të sheshit, është kërkesë e bizneseve për zhvendosjen e vazove në zonën përbri ekzekutivit.
Sa i përket partneritetit me kompaninë ‘Ecohigjiena’ u tha se menaxhmenti i saj ka marrë disa vendime të njëanshme kohëve të fundit, siç është rritja e çmimit të faturës për amvisni, përfshirja në regjistrim e pagesave edhe të kategorive të liruara nga obligimi dhe të tjera.
Pritet që Kuvendi Komunal të marrë një qëndrim në lidhje me implementimin e kontratës me këtë kompani, që është lidhur para dhjetë vitesh dhe zgjat 15 vjet. /2LONLINE/