Analisti i Ballkanit, Dushan Rejliç, drejtor i zyrës së Brukselit të fondacionit gjerman “Shkenca dhe Politika” ka analizuar gjendjen pas zgjedhjeve të 8 qershorit në Kosovë. Ai ka thënë se partitë opozitare në Kosovë duken të vendosura ta pengojnë qeverisjen e mëtejshme të Hashim Thaçi dhe sipas tij, Thaçi duhet t’u afrohet tani partive opozitare për të mbajtur së paku një pjesë të pushtetit.
Një gjë është e qartë: Partitë opozitare duken të vendosura të pengojnë qeverisjen e mëtejshme të z. Thaçi. Kështu që është kryeministri Thaçi, ai që duhet t’u afrohet tani atyre, për të mbajtur së paku një pjesë të pushtetit, dhe ndoshta të ketë edhe ca mbështetje, në rast se këtë verë ndodh që kundër tij ngrihet akuza në lidhje me krime lufte në vitin 1999. Por në fund të fundit, si gjithmonë në rajon, janë ndikimet nga jashtë ato, pra qëndrimi i shteteve perëndimore që do të luajnë rolin më të madh në këto zhvillime, ka thënë Dushan Rejliç në një bisedë për DW.
Duhet thënë se megjithëse Haradinaj është lënë i lirë dy herë nga Tribunali Ndërkombëtar për krime lufte për ish-Jugosllavinë, për shumicën e palës serbe, ai nuk është një pjesëtar i pranueshëm në procesin e dialogut. Qeveria në Beograd do ta ketë edhe më të vështirë të ulet me Haradinajn në tavolinën e bisedimeve, se sa me Thaçin.
Mosbesimi i dyanshëm mbetet ende shumë i madh. Do të jetë më e nevojshme rritja e presionit perëndimor, me qëllim që të arrihen rezultate në procesin e negociimit.
Megjithë fitoren e Thaçit pa mazhorancë apo pavarësisht se kush qeveris, – Thaçi premton rritje rrogash 25%, opozita premton kthesën e madhe, – problemet e Kosovës mbeten të jashtëzakonshme, papunësia në një popullsia kaq të re është në nivele rekord.
Kosova si edhe më parë ka përqindje shumë të mirë të rritjes së popullsisë, edhe pa iu afruar numrit të vendeve të punës për një popullsi të tillë. Realisht vetëm rritja e emigracionit, pra atyre që do të punojë jashtë për familjet mund të sjellë zbutjen e problemeve të tilla, sidomos për të rinjtë. Këtë e kanë theksuar disa herë në raportet e tyre për Kosovën Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Nga ana tjetër Evropa kërkon forca të kualifikuara punëtore në drejtimin teknik. Vetëm në Gjermani në vitet e ardhshme do të kërkohen me dhjetëra mijëra punëtorë maunesh për shembull. Qeveria e Prishtinës duhet të ketë më shumë guxim të kërkojnë lëvizjen e lirë të punëtorëve nga Kosova në bisedimet me BE.
Që zhgënjimi në Kosovë për shkak të gjendjes ekonomike është shumë i madh këtë e tregoi edhe pjesëmarrja e ulët në zgjedhje në nivele rekord. Megjithatë qeveria fiton më shumë vota, sigurisht pa kapur mazhorancën, nuk ka kundërshti këtu?
Një sërë studimesh sociologjike në vitet e fundit tregojnë një masë të madhe mosbesimi në popullsi kundrejt institucioneve politike dhe politikanëve të tyre. Pakënaqësia ndaj politikës sigurisht që lidhet me gjendjen e vështirë socio-ekonomike, por ajo lidhet edhe me statusin ndërkombëtr të Kosovës, që nuk është zgjidhur përfundimisht.
Fakti që forcat politike të deritanishme sërish morën më shumë vota, lidhet më shumë me varësitë e krijuara: Vetëm po qe se mbështet një qeveri të caktuar, mund të shpresosh për një vend pune apo ndonjë avantazh tjetër. Në këtë pikë as Kosova nuk ndryshon nga vendet e tjera të rajonit, ka thënë Rejliç.