Shkëlzen Gashi dhe Burim Kukeli nuk do të jenë pjesë e miqësores së parë të përfaqësueses së Kosovës kundër Haitit, që do të luhet më 5 mars në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Të dy futbollistët kanë preferuar të vazhdojnë me Kombëtaren shqiptare, të paktën deri në pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA e UEFA me të drejta të plota.
“Gashi dhe Kukeli vendosën të vazhdojnë me Shqipërinë. Ata nuk duan të vijnë për miqësore dhe mund të ndërrojnë mendje vetëm pas pranimit të Kosovës në FIFA”, tregojnë burime të gazetës kosovare “Sport Plus” pranë FFK-së.
Kujtojmë që trajneri Gianni De Biasi ka grumbulluar mesfushorin Kukeli që në debutimin e tij në pankinën kuqezi, pikërisht në ndeshjen e parë eliminatore kundër Qipros. Gjatë vitit të kaluar, mesfushori i Zyrihut ka vuajtur një dëmtim të rëndë, i cili e ka lënë jashtë fushe për një periudhë të gjatë. Gjithsesi, kosovari është në planet e italianit, ashtu si edhe sulmuesi i Grasshopperit, Gashi. Ky i fundit po kalon një formë të shkëlqyer dhe në testin e parë për këtë vit, që Shqipëria ka kundër Maltës, pritet të jetë titullar.
Ndërkohë, deri më tani i vetmi futbollist kosovar i Kombëtares shqiptare që ka zgjedhur të largohet është portieri Samir Ujkani.
Gjithsesi, në ndryshim nga portieri, lojtarët e tjerë kosovarë të Shqipërisë janë shprehur të vendosur për të vazhduar me Kombëtaren kuqezi. Kjo çështje pritet të komplikohet vetëm atëherë kur Federata e Futbollit të Kosovës të ketë të drejta të plota në FIFA e UEFA