Nga: Biser Mehmeti
Faruk Buzhala deri më tash ka botuar pesë vepra me poezi, në të cilat ka shpërfaqur botën e tij prej poeti, duke shpalosur një ndjesi të veçantë, e cila e ka përcjellur prej një vepre në veprën tjetër.
Edhe në librin e tij të fundit me një titull simbolik “Flluska në erë” krijuesi Faruk Buzhala vazhdon me një ndjesi të veçantë të shpërfaq botën e tij të brendshme, të cilën e paraqet në këndvështrimin e tij prej një poeti me një ndjeshmëri të theksuar.
Në këtë libër poeti është orvatur me tërë qenien e tij të vazhdojë rrugëtimin e tij poetik aty ku e ka lënë në veprën e tij të fundit, me një titull poashtu simbolik “Një gur mangu” botuar para disa vitesh.
E veçanta e këtij libri, i cili është i ndarë në 6 cikle, të cilat në masë të konsiderueshme kanë lidhshmëri ideore, po edhe estetike në mes veti, është gjuha që autori e përdor për të shpërfaqur trazimin, përkatësisht shqetësimin e tij të brendshëm, të cilin sikur nuk është në gjendje ta përmbajë, edhe pse në disa raste orvatet ta bëjë një gjë të këtillë.
Një karakteristikë tjetër e këtij libri është se pjesa më e madhe e poezive janë të përmbledhura përmes disa vargjeve të shkurtra. Kjo dëshmon se dëshira e autorit është që idenë, përkatësisht porosinë e vet që e shpreh brenda poezisë, ta shfaq me sa më pak vargje dhe në mënyrë lakonike. Një gjë e këtillë sikur është karateristikë e gjithë krijimtartisë poetike të Faruk Buzhalës. Në këtë drejtim duhet shikuar edhe mënyrën e interpretimit të përgjithshëm të kredos së tij poetik.
Temat dhe motivet që autori Faruk Buzhala i trajton në këtë përmbledhje janë të ndryshme. Megjithatë në radhë të parë dominojnë temat psikologjike që kanë të bëjnë me realitetin, përkatësisht me jetën e përditshme, të cilin autori nuk e sheh me një shikim të zakonshëm, siç ndodh me pjesën tjetër të njerëzve, po e sheh me një shikim prej poeti.
Prandaj gjithë këtë realitet, i cili i shkakton edhe shqetësim të brendshëm, i cili nuk e lër të qetë, me një shije të hollë orvatet ta shprehë përmes vargjeve, të cilat në të shumtën e rasteve janë të shkurtra. Kjo dëshmon se autori është orvatur që të jetë sa më shumë që është e mundur i kursyer në vargjet e tija. Kursimi i fjalëve duket sikur ka qenë dëshirë e madhe e autorit, ngase me kohë e ka kuptuar qëllimin që duhet ta ketë një poet i mirëfilltë.
Në disa raste autori Faruk Buzhala shpalos edhe botën e brendshme prej poeti, duke theksuar se poeti shpesh imponohet t’i përgjigjet një poeti tjetër, kur ai e akuzon për gjëra të cilat nuk janë të nevojshme. Dhe, gjithë ky shqetësim shprehet me një gjuhë të theksuar poetike në poezinë me titull “Përgjigje një poetit që shkroi poezi për poetët!” e cila për mendimin tim, është ndër poezitë më të arrira të këtij dorëshkrimi dhe e cila paraqet shqetësimin e një poeti me gjithë botën e tij të brendshme, po edhe të jashtme.
Një temë tjetër që autori nuk është në gjendje ta tejkalojë pa e trajtuar nga këndi i vet poetik, është edhe ajo që ka të bëjë me virusin që e tronditi botën me paraqitjen e tij. Duket sikur Faruk Buzhala gjatë kësaj kohe ka krijuar disa poezi, të cilat e kanë motivuar, po edhe i kanë shkaktuar një lloj traume gjatë kohës sa ka qenë i mbyllur brenda katër mureve. Edhe poezitë e kësaj kohe shpërfaqin një botë mjaft të rëndësishme të poetit, botë e cila është e mbyllur brenda katër mureve dhe përtej së cilës fshihet një botë tjetër e panjohur. Mbylljen autori duket sikur e ka shfrytëzuar për të shkruar poezi që i kanë lënë gjurmë të thella në shpirtin e tij dhe të cilat janë si dëshmi e një kohe të vështirë që e përjetoi e gjithë bota.
Një grup tjetër motivesh që e përbëjnë këtë përmbledhje poetik e janë edhe një numër i konsiderueshëm i poezive refleksive, përkatësisht reagimit të poetit ndaj dukurive të ndryshme shoqërore, me të cilat ai përballet gjatë jetës dhe të cilat e motivojnë për tema të reja gjatë procesit të shkrimit.
Mendoj se libri më i ri i Faruk Buzhalës është një vepër e motivuar nga reagimet e autorit ndaj jetës dhe dukurive të përditshme, të cilat ai nuk është në gjendje t’i tajkalojë, por të cilat i shfrytëzon për të shpërfaqur botën e tij poetike, e cila është mjaft e ndjeshme në aspektin psikologjik dhe estetik.
Prandaj ky libër duhet të vlerësohet për veçantitë estetike dhe letrare si një përmbledhje e realizuar bukur si në aspektin artistik, poashtu edhe në atë mjeshtëror. /2LONLINE/