(2L ONLINE) – Grupimi i Këshilltarëve Komunal të lëvizjes vetëvendosje që janë pjesë e asamblesë komunale të Gjilanit vlerësojnë se për faj të pozitës Kuvendi komunal nuk është serioz dhe qasja e gabuar e pozitës që është shprehur deri më tani mund të ndikojë që ata të shqyrtojnë mundësinë që të mos jenë pjesë e punës në seancat e radhës të KK të Gjilanit.
Duke folur rreth punës së Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Nevzad Isufi, shef i Grupit të Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se katër këshilltarët e këtij formacioni politik që i takojnë opozitës, janë përpjekur por edhe në të ardhmen do të përpiqen të jenë zëri i qytetarëve në përgjithësi, por edhe zëri i Lëvizjes dhe i qasjes së saj ndaj problemeve të përgjithshme, por edhe ndaj problemeve të veçanta, duan që të dëgjohet dhe artikulohet çartë zëri i saj.
“Si Lëvizje përfaqësohemi me katër anëtarë në Kuvend dhe fuqia jonë bazuara në numrat që ka Kuvendi nuk është e tillë çfarë do të dëshironim dhe që do të bënte që gjërat të ndryshojnë me numër të votave, të cilat pastaj do të shndërroheshin në vendime të plotfuqishme, por megjithatë, ne nuk do të zmbrapsemi asnjëherë, kur është fjala për shtrimin dhe trajtimin e çështjeve të rëndësishme dhe të drejta, për çdo problem a shqetësim qytetarë, e në këtë rast në nivelin lokal që ne përfaqësojmë”, ka thënë Isufi.
Sipas tij, Kuvendi komunal në këtë periudhë 6 mujore ka mbajtur të gjitha seancat e rregullta, madje ka mbajtur edhe 2 seanca të jashtëzakonshme, Pra shikuar nga aspekti i numrave të seancave të Kuvendit kemi tejkaluar planin, por sa kemi arritur që në këto seanca të zgjidhim çështje që prekin dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe e ndryshojnë atë në të mirë të tyre, ende nuk është bërë as për së afërmi mjaftueshëm.
“Nga ne si përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje janë ngritur çështje nga më të ndryshmet, si nga fusha e shëndetësisë, shërbimeve publike, fusha e arsimit, çështje të infrastrukturës, të mbrojtjes së ligjshmërisë etj. Por duhet shtuar se për shumë çështje të shtruara kemi bërë pyetje, por nuk kemi marrë përgjigje, shumë çështje të shtruara nga ne nuk janë diskutuar, disa janë trajtuar shkarazi e disa fare. Po kështu qëndron puna në përgjithësi, pothuajse për të gjitha çështjet që shtron opozita”, thotë Isufi i Vetëvendosjes.
Sipas tij, kjo është dobësi dhe mangësi e pozitës, sepse edhe vet ajo, jo shumë kohë më parë ka qenë në të njëjtin rol, ka kritikuar, ka dhënë vërejtje, propozime e sugjerime, të cilat ka dashur që të merren parasysh nga pozita e atëhershme, ndërsa tash në rolin pozitar, paragjykon e nënvlerëson shumë çështje me rëndësi, vetëm pse shtrohen nga opozita. Kjo tregon se nuk po merren leksione të demokracisë elementare, dhe se propozimet, qëndrimet, sugjerimet që vijnë nga opozita paragjykohen dhe këtë pozita po e demonstron praktikisht, por po e thonë jo rrallë edhe gojarisht përmes diskutimeve të tyre.
“Sa herë që pozitës nuk i shkon diçka për shtati, përpiqet të anashkaloj ose ta kaloj në heshtje atë pyetje a çështje”, thotë Isufi.
Ai tha se do të vazhdojnë të këmbëngulin e të tërheqin vërejtjen për çdo shkelje e injorim të ligjit, nga kush do që bëhet, e sidomos, kur kjo bëhet nga ata që duhet të jenë zbatues të tij.
Isufi shtoi tutje se Komuna, por edhe Kuvendi si organ më i lartë i saj, drejtoritë përkatëse, kanë për detyrë të zgjidhin çështje konkrete të qytetarëve e jo vetëm aspektin procedural, me letra. Deri më tash në këtë periudhë 6 mujore veprime nga të cilat përfitojnë qytetarët drejtpërdrejtë janë vendosja e tarifave të taksave, vendimi për ndarja e bursave për studentë dhe këto ditë nga Komisioni për emërimin e Këshillave të fshatrave është duke u punuar në zgjedhjen e Këshillave të fshatrave . Pra prirja jonë është që të bëhen veprime, merren vendime të drejta, efikase, nga të cilat qytetarët përfitojnë drejtpërdrejtë dhe në afat sa më të shkurtër. Dhe sa herë që kjo bëhet, ne do të jemi në përkrahës të sigurt.
“Por, Kuvendi nga njëherë po bëhet shembull i keq për qytetarët, sepse po shkel rregulloren të cilën vet e ka aprovuar e të cilën e ka për detyrë ta zbatojë. Ajo njëherit është ligj për te. Kështu ndodhi edhe në këto dy seancat e fundit, derisa 5 minuta më herët u përcaktuam se nuk do të fusim pika të rendit të ditës pa përfillur procedurat, madje patëm përkrahjen edhe të Kryetarit të Komunës, 5 minuta me vonë me votim të pozitës u futën 2 çështje në rend dite, duke shkelur kështu rregulloren e Kuvendit.
Njësoj u veprua edhe në Seancën e jashtëzakonshme ku kishim vetëm një pikë të rendit të ditës dhe sipas rregullores nuk mund të futet asnjë çështje tjetër, ndërsa me votim të pozitës u fut edhe një çështje tjetër në diskutim” thotë Isufi.
Sipas tij, kjo e bënë Kuvendin jo serioz para qytetarëve.
“Për këtë arsye ne grup i opozitës, nëse vazhdohet kështu, nuk jepen përgjigj në pyetje tona, të cilat ne jemi duke i futur në regjistër, nuk përkrahet asnjë propozim yni, vetëm për shkakun se janë propozime të opozitës, vazhdohet të shkelet rregullorja e kuvendit, nuk na lejohet të përfaqësohemi mjaftueshëm në komisione të Kuvendit, vendimet nuk bazohen në arsyeshmëri por në lojë numrash, ne nuk na mbetet tjetër, vetëm të marrim vendim që të braktisim seancat e tij dhe pastaj ata le të vazhdojnë të marrin vendime të njëanshme, një partiake si në kohë të monizmit”, ka thënë Nevzad Isufi i Vetëvendosjes. /2L ONLINE/