Arti poetik i Xhevahir Spahiut që nga fillimet e tij e këtej, ka pasur një rrugëtim mjaft interesant. Poezia sipas këtij poeti, duhet të mbartë forcën e emocionit dhe të shpërfaqë revoltën karshi realitetit. Këtë konstatim të Xhevahir Spahiut e përforcon një tjetër poeti i madh, shkrimtari Filip David, sipas të cilit: “Intelektuali i mirëfilltë është kritik ndaj çdo pushteti”.
Shkruan: ILIR SEFAJ
Poeti Xhevahir Spahiu, me artin e tij letrar, i ka qëndruar besnik këtij konstatimi, madje edhe atëherë kur ishte e rrezikshme.
Sigurisht: “…si çdo poet i madh, gjithnjë do ta gjejë veten në opozitë – sidomos ndaj pushteteve. Prandaj, i përcjellë gjatë diktaturës nga hija e pushtetit, do të vihen nën llupë vargjet dhe metaforat e tij poetike, do të kërkohet me mikroskop aluzioni, ironia e poezisë së tij”(Ali Aliu).
Poezia e Xhevahir Spahiut është e mbrujtur me figurën letrare, në veçanti me metaforën dhe ironinë, ndërkaq muzikaliteti që ngërthen në vete vargu i këtij poeti ngjason me poezinë auditive të Nolit.
Spahiu është poet “rebel”, jokonformist aq sa nuk heziton të shkruajë madje, as edhe kundër ‘Perëndive’! ( Njëri nga librat e poetit mban titullin ‘Vdekje perëndive’ 1977). Po kush janë këta ‘Perëndi’, që i kanë zënë rrugën poetit, kush janë këta perëndi që uzurpojnë lirinë dhe dinjitetin njerëzor?! Sigurisht, më parë se perëndi, janë demonë që tentojnë ta burgosin mendjen dhe shpirtin e lirë, dhe si të tillë ata për asnjë çast nuk mund të jenë në paqe me një shpirt të lirë e të pastër, siç është ai i poetit Xhevahir Spahiu.
Duke qenë një shpirt i lirë, por njëkohësisht edhe rebel ky i poetit tonë, edhe në ditët e sotme ka mbetur “enigmë” për lexuesin, ishte mirëkuptim apo keqkuptim poezia e Spahiut kushtuar mikut të tij Teodor Laços, për të cilën u bë aq zhurmë në atë kohë (vitet ’70), apo ka nga të dyja diçka. Sidoqoftë, ky poet i reflekseve simbolike, këto atribute që i jep mikut të tij në poezinë Poezia (1973), duket se më shumë kishin për qëllim të ironizonin diktaturën, e cila tentonte t’ia mbyllte gojën poetit, sesa të vinin në pah atë “zhurmën e neveritshme të zogjve” që pengonte Akademinë e quajtur Teodor Laço. Se si do të mund të përktheheshin ndryshe vargjet:
Zogj keni një armik për vdekje
do t’ju shkulë pendët e do t’ju thyej krahët
do t’ju kthejë në gurë të palëvizshëm e pa zë
(…)
zogj, keni një armik për vdekje
ju për të, të pakapshëm?
ai u turret poetëve
armiku i juaj është armiku ynë
e do pa krahë poezinë…
Ky armik për vdekje, sigurisht se ishte sistemi diktatorial në Shqipëri, i cili i kishte halë në sy poetët, e në veçanti ata të “rebeluarit”, ngase, sipas botëkuptimit të tij, ishin pikërisht poetët, ata që me vargjet e tyre dinë ta zgjojnë një komb të tërë nga gjendja e apatisë.
Vargu i poetit Xhevahir Spahiu nuk mbyllet për asnjë çast në botën e abstraksionit, përkundrazi, në llojin e poezisë së sentencës, e cila është karakteristike për këtë autor, Xhevua (siç e quajnë me dashamirësi miqtë e tij!) jep dramën e popullit shqiptar në luftërat e tij të pareshtura që kanë përcjellë atë përgjatë historisë, luftëra këto që kishin synim atë më sublimen: lirinë…
Tehut të shpatës kemi ecur rrufe
Pastaj shpata ka ecur mbi ne…
Janë këto vargjet e para të ciklit Shkurtima të vëllimit ”Kohë e krisur” (1991), ku përmes një sinteze të fuqishme figurative, poeti jep rrugëtimin tonë përgjatë historisë, ecejaket tona kombëtare në përpjekje për ta fituar lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
Laramania e motiveve që trajtoi pena e poetit dhe polisemia tekstore e vargut të tij është rezultat i një shpirti “rebel”, siç edhe është ai i vargjeve të “ferrparajsës”.
Kur jemi të “ferrparajsa” është e pamundur të mos citojmë vargjet e poezisë, Hyrje në tragjedi, të cilat ironizojë dhe shprehin revoltë karshi dramës që luhej mbi kurriz të popullit shqiptar të Kosovës në fund të mileniumit të kaluar:
Një kosë vringëllon mbi Kosovë,
Tehu i kosës sajon nëpër ajër
fjalën paqësore masakër.
Pas gostisë së përgjakshme vjen paqja?
Në tragjedi le të hyhet pa maska.
Këto vargje që ngjasojnë shumë me ato të poetes së madhe bullgare Blaga Dimitrova: “Një kosë e tmerrshme kosit Kosovën/ Ç’murtajë e zezë i veshi me të zeza/ nënat plaka dhe nuset e reja” – flasin për terrorin që ushtroi pushteti serb mbi popullin shqiptar gjatë luftës në Kosovë, ku u vranë dhe masakruan me mijëra njerëz të pafajshëm.
Shpirti liridashës, por edhe kryengritës i Xhevahir Spahiut shpërthen fuqishëm, në forma e realitete të ndryshme, në zezona të frikshme e në situata tragjike.
Poezia e Xhevahir Spahiut shquhet për leksikun e saj të pasur. Semantika e fjalës së tij karakterizohet nga figuracioni i saktë, dhe i qartë, ndërsa struktura e vargut të këtij poeti ndërtohet sipas një prosedeu modern dhe mbruhet me emocione, reflekse e përsiatje unike të cilat e vënë në pah veçantinë e rrëfimit të tij lirik.
Arti poetik i këtij krijuesi sa është spontan e i atypëratyshëm, aq është edhe i kultivuar në laboratorin e tij, dhe plasohet vetëm pasi të jetë skalitur mirë nga maja e mprehtë e inteligjencës së këtij liriku të shquar të letrave shqipe.
Poezi që fshikullon servilët dhe snobët
Poezia e Xhevahir Spahiut shquhet për gamën e gjerë tematike, forcën e emocionit, qartësinë e mendimeve, për figurën letrare, por edhe për ekonomizimin e fjalëve.
Poet që frymëzohet nga dromca të kujtimeve të fëmijërisë, poet që shpreh dashurinë e pambarimtë për atdheun, nënën, motrën, natyrën, botën e pasur të fëmijëve, poet që ngacmohet nga puna e lodhshme por edhe fisnike e minatorëve, Xhevahir Spahiu, ka ditur që me vargun e tij, njëkohësisht të fshikullojë tipat servilë e snobë, (Miçot) të cilët vihen në shërbim të të tjerëve, njerëzit sahanlëpirës e hipokritë.
Janë këta tipa që me veprimet e tyre tentojnë të hyjnë, madje, edhe në botën e brendshme të njerëzve, me qëllim që të kryejnë misionet e tyre demoniake, veprime që bëhen për qëllime të caktuara, që shpesh janë tepër të ulëta e në kundërshtim me çdo etikë:
Unë s’jam i vdekur që të mos gaboj.
Hiqi syzet, Miçooo!
Diçka ti përtyp:
“Ç’të raportoj?”
O ju sy, sy të Miços që dhelpërisht shkëlqeni,
kur unë gaboj.
Kjo e poezi e të tjera të kësaj natyre, të shkruara në vitet ‘70, dëshmojnë për shpirtin rebel të poetit. Autori i tyre demaskon dhe ironizon këta “njerëz makina”, të cilët janë kurdoherë të gatshëm t’i shesin shpirtin demonit, me qëllim të përmbushjes së egos së tyre të sëmurë, dhe kjo ngarendje e këtyre individëve pas këtyre epsheve është vënë në pah përmes një ligjërimi poetik sa të drejtpërdrejtë, aq edhe të figurshëm.
Se Xhevahir Spahiu është një poeta natus (poet i lindur) në njëfarë mënyre e dëshmon edhe prirja e tij kah motivet që pasqyrojnë hipokrizinë e njerëzve snobë e sharlatanë. Ai i rri me “çekiç në dorë” tendencës së disave që tentojnë t’ia shpërlajnë trurin shoqërisë, dhe këtë e bën jo rrallë përmes një nënteksti të fortë ironik, siç ngjet, ta zëmë, në poezinë Parlamenti, ku përmes humorit të zi, poeti e vë në pah moskokëçarjen e të zgjedhurve të popullit për hallet dhe brengat që ka ai:
Një mëngjes u gdhinë të tmerruar,
panë se vetveten e kishin harruar
dhe nisën vetveten
nga gjumi
ta zgjonin,
ta miklonin,
të kërkonin:
kush vila, kush plazhe, kush paga të larta,
kush blloqe të reja, avionë, parajsa…
Spahiu është poet jokonformist. Ai nuk fetishizon veprimet e ulëta të individëve, përkundrazi, përmes një procedimi të tillë stilistik e sarkastik siç shihet edhe në vargjet e sipërcituara, demaskon demagogjinë e atyre që flasin në emër të popullit, ndërkaq i bëjnë sehir katandisjes së njeriut të thjeshtë, i cili është zënë në zgrip të mjerimit, pra ai tenton që ta drejtojë shprehjen e vet kundër përdhosjes morale dhe çoroditjes së klasës politike.
U tha edhe më lart se, poezia e Xhevahir Spahiut kap një gamë të gjerë tematike dhe kjo për faktin se poeti regjistron në memorien e tij situata të ndryshme nga e kaluara dhe përditshmëria jonë, andaj mund të thuhet se ky krijues në ecje kërkon poezinë.
Se vargu poetik i Spahiut ironizon fenomenet negative në jetë e dëshmon gjetja perfekte e poetit, i cili lajmit tendencioz i përgjigjet me humorin e tij të zi, diskurs ky karakteristik për poezinë moderne:
Eja të vdesim, e dashur,
shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti
a s’e dëgjove në TV si kryelajm?
Eja të vdesim, e dashur,
s’ka rëndësi në rron si rob a zot,
arkivoli është gati…
Poeti i kundërvihet tendencës së klasës politike, e cila me një gjuhë tejet të vrazhdë kërkon t’i duartrokitet për “favoret që po ua ofruaka qytetarëve”. Dhe cilat janë këto favore? Shteti merr përsipër varrimin e qytetarit! Sa ironike. Autori zhvesh deri në lakuriqësi këtë diskurs ironik të klasës politike, pothuajse me të njëjtin ligjërim:
Eja të vdesim, e dashur / shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti.
Subjekti lirik kërkon që, më parë se një varrim dinjitoz, njeriut duhet t’i krijohen kushte për një jetë dinjitoze, andaj përmes një toni sa ironik aq edhe sarkastik, poeti i vë në pah nevojat dhe shqetësimet e njeriut bashkëkohor.
Një rebelim poetik i guximshëm i cili ironizon të gjitha llojet e ndalesave që i imponohen njeriut shpërfaqet mjaft bukur në poezinë Vija të bardha:
Vija të bardha majtas,
vija të bardha djathtas,
vija të bardha para,
vija të bardha mbrapa,
vija të bardha,
vija të bardha,
vija të bardha, ma nxitë jetën.
Përmes këtyre vargjeve poeti i kundërvihet realitetit ekzistues dhe kërkon rrënimin të gjitha mureve që tentojnë ta dhunojnë lirinë krijuese, por edhe lirinë si koncept.
Ky diskurs kjo mënyrë e ligjërimit, na bën të kuptojmë se Xhevahir Spahiu sikurse edhe një numër i konsiderueshëm i krijuesve të tjerë, nuk shmanget për asnjë çast nga problemet shoqërore të kohës, përkundrazi kjo plejadë krijuesish me vargun e tyre përpiqet që në thelb të veprës së tyre të jetë njeriu i thjeshtë, me hallet dhe brengat e tij.
Andaj përqeshja dhe njëkohësisht gjykimi i veseve të tipave snobë e sharlatanë, dhe shkaktarëve të degjenerimit të njeriut, dëshmon për guximin intelektual të poetit, kredon e tij poetike e cila gjithnjë është në anën e të “dobëtëve”.
Vepra poetike e Xhevahir Spahiut ka një strukturë të veçantë ritmike dhe figurative që ngërthen në vete emocione, reflekse, gjuhë simbolike, por edhe thjeshtësi e sinqeritet. Vargu poetik i këtij autori shquhet për figurën rebele e humane. Ky varg herë është spontan e herë gdhendet gjatë në laboratorin krijues të poetit.
Edhe herën e parë, edhe herën e dytë, arti që krijoi pena e Xhevahir Spahiut karakterizohet për origjinalitetin e tij. Andaj, kur një vepër poetike i ka të tëra këto atribute s’ka sesi të mos bëhet e dashur për adhuruesit e shprehjes poetike.