REALITETI ARTISTIK I VORBULLIVE
Shefik Shkodra ”VORBULLITË”; SHB SOGJETIME, GJILAN, 2024
Nga: METI REXHEPI
REALITETI DHE ENIGMA
Hyrja në një qytet ose në një qytetërim, të shumtën e herëve nis nga periferia. Brendinë e çdo bërthame Enigma e Madhërishme e Natyrës gjithnjë e ka mbështjell me cipën e saj, jo të njëtrajtshme, ku më të hollë e ku më të trashë. Ndodhitë e shkruara dhe të imagjinuara njerëzore janë brenda realitetit, por gjithnjë nën lëvozhga enigmash, që duhen qëruar me kujdes, me shije e dije. Ndonjëherë zbrazësitë hermetike i konsiderojmë si dukuri jashtë kapjes së realitetit, por edhe kuptimet, përkatësisht mospërkufizimet eliptike figurative, cilado qofshin janë e pjellë e realitetit. Përse po artikuloj këso pohimesh? Pohime të këtilla përkojnë përkitazi qasjes këtij vëllimi artistik, të sapo dalë të poetit Shefik Shkodra. Qasja kësaj lënde artistike s`ka si të jetë tej atyre teorive që janë prekur, janë përkufizuar si kategori të së bukurës estetike. Megjithatë, diskursi vlerësues mëton t`i piketojë e kundrojë të veçantat dhe të përgjithshmet e tekstit dhe nëntekstit, atë anames artistik në vëllimin VORBULLITË.
Ne ecim udhës sonë, por nuk e dimë çfarë ka nën udhën e këmbëve tona? Ky pohim shpreh realen e dukshme e të prekshme pra, ky është realiteti e, poeti mbi këtë realitet, që dukët e prekët, ndërton realitetin e vet poetik, që nuk duket, nuk preket porse ndjehet. Mes këtyre realiteteve shtrihet bota e veprës poetike. Realiteti i poezisë VORBULLITË nuk është i shkëputur prej truallit konkret, nuk është iluzion qiellor, as në tokë, as në qiell. Thelbësorja e këtij realiteti është këtu, mes nesh dhe vegjeton në një trajtë specifike, vetëm duhet t`ia gjejmë formulat e përmbajtjes kimike të materies së shpirtëzuar në letër, në vëllimin e librit poetik.
Përkitazi kumteve, pamjeve të gjera e të thella të fjalësit poetik, spektrit të ngjyrave dhe nuancave, në këtë libër dua të hyj i përqendruar me peshën shpirtërore të përputhjes a të mospërputhjes, me përmasën e shqyrtimeve të mia, si i pashë pamjet e poetit për bashkëkohësinë: të ngushta apo të gjera, të cekëta apo të thella, të njëanshme a të shumanshme? Çfarë ngjyrash, nuancash mund apo mos mund i shtonte shijes së leximit, nga ato shpalosje të tija autori i kësaj tipologjie poetike, që prekë shqisat e mia si lexues? Ky poet, kjo poezi: a mundi të ma gjeneronte pulsimin e shqisave, të fshehura nën trysnitë dramatike të “vorbullave” bashkëkohëse? Shqisat, a janë ende të gjalla a krejtësisht të brishta? A e reflektojnë botën që i rrethon? Sapo t`iu përgjigjemi në vetvete ngërthesave të pyetjeve të këtilla, vetëm atëbotë mund të arrijmë identifikimin me botën poetike të VORBULLIVE dhe, hasim shumëçka nga e bukura dhe mëkatet, nga idealizmat dhe karikaturat e tyre, nga e vërteta dhe ironia, nga e shëmtuara dhe variantet e saj.
Te secili poet mëtohet që nëpërmjet botës së vet të formësuar, lexuesit t`i paraqitet shumësia e pamjeve, shkrirja e atyre në figura reflektuese, mozaikë ngjyrash të jetës, sprova trajtash ideore ku puqet poetika me trajta filozofike, historike, etike, estetike dhe ekzistenciale. Me një fjalë manifestimi i botës artistike me përbërës të ontologjisë së ngërthyer në thëniet poetike. Shikuar gjithanshëm librit që po i qasemi, titulluar VORBULLITË, i poetit tashmë të pjekur në zejen e vet Shefik Shkodra, vijon eksplorimin e tij si kërkim-qëmtues i përjetshëm i sprovave të varg-thurjes, jashtë klisheve e modës së rrëshqitshme eksperimentuese për bërjen e poezisë vlerë. Poeti hyri në VORBULLITË e jetës dhe doli, pa e asimiluar qenien e mëvetësinë e botës së vet poetike, prej së cilës mundi të shkëputej, pos duke ndjekur disiplinën vetanake shkrim-ndërtuese. Nga bëmat e gjëmat e jetës, nga udhërrëfyesit e saj për ta ngrehur kështjellën e qëndresës së dinjitetit, pikë së pari mori urtësinë e njeriut. Urtësinë e vendosi në themel të parimeve krijuese. Përjetimet e forta dhe ëndrrat i frenoi me rrufepritës tejpërtej identitetit, gjithnjë i identifikuar me truallin, ngjyrat e truallit, që e brumosën dhe i dhanë tipare me ndjeshmërinë e vijimësinë vetëdijesuese, të cilat, i pikonin majë-penës shkronja të serta e të buta, katarakte lirike meditimesh, por assesi vërshimesh euforike kundruall të keqes e lukunive të keqbërjes.
LLOJI I LIGJËRIMIT
Gama e gjerë e motiveve të kësaj poezie që ngërthehet e zbërthehet me përfundime filozofike, shtrihet në tetë cikle të vëllimit më të ri me poezi VORBULLITË e autorit Shefik Shkodra, publikuar nga SHB SOGJETIME në Gjilan, në janar të 2024-s. Përmes cikleve: Histori në parantezë, Variacione nëpër kohë, Nën strehën e vet, Të rëndomta e mistike, Prekje e djegie të furishme, Pyllit të vetmisë, Tundje kllapie dhe Nëpër gjarpërimin e shtigjeve, poetiligjëron trajtën e rrëfimit e të dëftimit poetik, që assesi nuk është prozë postmoderne, as prozë poetike, por është poezi e shtrirjes së vargut me ngërthesa dëftuese, që stisin thënien me anë të gjuhës ligjërimore dëshmi-plotë; megjithatë, pa i zhveshur thëniet nga veshja figurative-stilistike e tekstit.
Ky lloj i ligjërimit në librin VORBULLITË para se të nxirrte metaforën, simbolin, epitetin metaforik, krahasimin, refleksin aludues, ironinë e tërësitë stilistike-leksikore, shtron dëshminë e fjalëve, që tek pas dëshmisë ligjërimorë të tyre, vjen veshja e figurës apo figurave në vargun përkatës. Çfarë shohim në këtë tipologji shtjellimi? Këtu shohim se figura nuk është qëllim në vete ose i vetmi qëllim. Për shkak, veçse të figurës nuk sakrifikohet porosia. Këtë lloj ligjërimi poetik e hasim te poezia e Rexhep Elmazit dhe tek ajo e Prend Buzhalës, gjithsecili brenda individualiteteve të veta. Vargjet rrjedhin nga akumulimet e përvojës së thellë të subjektit poetik. Ato sjellin dëshmi, jo të aty-për atyshme, ad hoc, por pas mbetjes së shoshitur të kërkimeve të pareshtura, në prekje ndjesish gërshetuar me trajta idesh, njohjesh, përballjesh për akëcilën ndodhi të mjedisit urban e malor, për akëcilin motiv, për temat e mëdyshjeve njerëzore dhe kthesat dramatike, fatit të kushtëzuar ekzistencial nga tërbimet e shtresimeve sunduese mbi popujt!
Poetit i është shtresuar përvoja për t`ia shoshitur anë-pamjet poetike shkrimit, të bukurën, të madhërishmen, të keqen, të shëmtuarën e të dhimbshmen, tragjikë-komiken, mallëngjimin e kohës, ku depërton e ku nuk hyn drita e ndriçimit njerëzor, si rritet brenga e bëhet ortek i përmbytjes së njeriut midis truallit të rrafshët, duke kërkuar të vërtetën:
“E vërteta është fati veç një dehje si ëndërrime
Kllapi pa hetuar i fërfëlluar asaj gremine pa skaj”[1]
Nëpër secilin cikël të kësaj poezie gjithëpërfshirëse haset ndjeshmëria e hollë mes ndjenjës dhe vetëdijes, refleksionet nuk i ndahen njëra-tjetrës brenda bërjes së realitetit poetik. Poeti nëpër të gjitha vargjet zgjon vetëdijen poetike për jetën dhe realitetin në shpërpushje: çka lyp njëra e çka jep tjetri? Çfarë i japim njërit dhe çfarë dhuntish s`dimë t`i marrim, apo na ikin prej dhuruesit enigmatik të dhuntive? Përse ndodh kështu? Kështu ndodh sepse njerëzit i kishte pushtuar absurdi; ngase njeriu-njeriut ia errësonte logjikën, ua zinte sytë ambicia e përkohësisë! Jeta është dhuntia e nëpërkëmbur nga vetë njerëzit në trajta ciklike të dhunës, të vetë-zhbërjes. Çka i mbetej njeriut nga koha? Njeriun e merrte koha dhe e shpinte në pafundësinë e saj; përderisa ishte i zënë nga ambiciet e sëmura, dhuntitë e kohës së bjerrë të paçmuara, të pa shijuara, të pa lëvruara, të pa mbjella, pa të vjela e, ndonëse uria ngufatej nga krupa!
Paradokset gjeniale të njeriut e të njerëzimit në mënyra ciklike, mes gjenialitetit dhe çmendurisë fatale, i rrënoi sindroma e pashëruar e egos së sëmurë!
KONCEPTI PËR BUKURINË
Nga përvoja e këtillë e shkrimit, lexuesi i pasionuar nuk iu shmanget pikëpamjeve konceptuale të shtruara në vëllimin poetik VORBULLITË, i poetit Shefik Shkodra. Në gjashtëdhjetë e katër poezitë e librit që po shqyrtojmë, llojshmëria e motiveve merr shtrirje e rrokje tematike të shumanshme. Gjerësia poetike gjatë artikulimit vetjak prekë sfera të ndryshme të qenësisë njerëzore në kapërcej periudhash ekzistenciale. Secilën poezi e përshkon frymëmarrja e një stili homogjen, të qëndrueshëm dhe pa shfryrje ndjenjash të rastit. Asgjë nuk lidhet me gufimet rastësore, vijimësia e të ndodhurave është përtrollitje dialektike e të qenësishmes jetësore. Po të përqendrohej shkrimi vetëm kornizave të ndjenjave, poezia do të mbetej e njëtrajtshme pa ngërthesa të sferave mendore, pa pleksje përbërëse të pozitës ontologjike të njeriut në kozmos, pa kërkime për të bukurën dhe të vërtetën. Për t`ia kapur përfytyrimet brenda rreshtave kësaj tipologjie poetike, nuk mjafton qërimi i lëvozhgës së figurës; duhet të na shërbejë ana ligjërimore e fjalësit poetik, rrëfimi logjik, sintaksa e logjikës poetike deri te plotnia e figurës. Ky rend i ngjyrosur i fjalëve sjell paraqitjen e motiveve e të motivimit, përshkrimet, depërtimin në cakun e dukurisë së piketuar. Mandej, përgjatë kësaj rrjedhe del në pah figura ose shumësia e tyre dhe, veç pas këtij rendi reflektojnë trajtat e formësimit të ideve, dritëhijet ideore, kapjet e shijeve të ëmbla a të hidhura, vrushkujt e ngazëllimit, etjet e mbetura për shuarje, apo një gjakim i përhershëm:
“Rrallë qeshje pak flisje shikimi ishte i shpejtë rrufe
S` e di a kam forcë ta ruaj në kuti zemre atë hijeshi
S` i t“ia bëje portretin më mirë krejt trupin obelisk
S` mund të thuhet se është përfytyrim as një kllapi!”[2]
Subjekti poetik kurdo gjendej drejtpërdrejt ose tërthoras estetikës përfytyruese të bukurisë, pushtohej dhe i dorëzohej asaj bote, qoftë si botë lëndore e femrës, që është dhunti e Enigmës, Magjepse të Natyrës, qoftë si konceptim imagjinar për të bukurën e përgjithshme në jetë dhe në art. Qasja e tillë e poetit për bukurinë në këtë vëllim artistik është ngritur, si njëri nga parimet prijatare të shtjellimit poetik. Në katër vargje të cituara nga poezia, “Dashuri e pakufizuar”, që në hyrje të librit, në tre s’osh pjesëzat mohuese: “S`e di… S`i t`ia… S`mund…” Dëshmojnë admirimin e ngritur të poetit në majën më të lartë estetike. Kemi paraqitje të afektit psikologjik. Më tej zbulohet “pamja e fytyrës së hyjneshës”, shkrepja e dritës së mrekullueshme, të cilës i konkretizohet vendndodhja e saj “në gjeografinë e Dardanisë.”
Zgjerimi i adhurimit te poezia merr kahe përgjithësuese, me intonacion brengosjeje, që të mbrohet një bukuri e tillë në përmasa globale. Përse? Për shkakun se bukuria është fytyra më e mirë, më përfaqësuese e botës njerëzore:
“Veç bukurinë do të duhej ta ruajë edhe gjithë bota.”
Koncepti për bukurinë që është ideal i bukurisë njerëzore, në egon mizore të shtresimit të shëmtuar, përnjëherë si një cunam zgjeron përmasat e përmbytjeve dramatike:
“Bukuria ishte një komplot zjarr-vrasje krejt rrënim
Njëherë mjafton të këndonin ode njerëzia ëndshëm”[3]
E pohuar në fillimin e kësaj qasjeje, përkufizimi i konceptit poetik vjen gjithnjë pas përvojës së sprovimit, ngjashëm me venën, së cilës me kalimin e kohës i shtohet shija:
“Zhgënjimi matej gjithë moteve me ngashënjimin!”[4]
DY KONCEPTIMET E DASHURISË
Nëpër të gjitha vorbullat që jeta i kurdis ose i kurdisën të përshkuara me intriga, dhimbje, dëshpërime, gëzime dritë-shkurtra, mallëngjime, përfytje me trajta shëmtish, qoftë kur të mirës i rrënohen urat e ngrehura me aq mund e sakrifica, del porosia jetike e autorit: jetës kurrë të mos i mungojë qëllimi, që do ta shpijë njeriun drejt cakut që e mban të drejtpeshuar:
“Në jetë është një qëllim kaq i thjeshtë-dashuria!”[5]
Tipologjia e kësaj poezie i ushqen me dashuri dy koncepte parësore. Konceptimin e saj të ngushtë: që trazon subjektin, unin e poetit dhe shqetëson, drithëron, josh dhe joshet në ëndrra e zhgjëndrra dhe i dëbohet gjumi:
“Të takoje atë që rri pa gjumë duke pritur ditë e natë
Të zvogëloje bebëzat pa mundur të shihje atë figurë
Ta fshihje pas kullumbrisë së thartë atë ëmbëlsirë fati!”[6]
Ja: e shohim se si gjakohet dashuria fshehurash në një ambient fshatarak, ngase shënjohet si fshehje e ëmbëlsirës pas një kullumbrie, që ka shije të thartë. Gjuha kontrastive e jep një kuptim më të gjerë, jo thjeshtë të shijes së kontrastit thartë-ëmbël. Mëtimi i subjektit të dashuruar për ta prekur shijen e ëmbël, duhej që përmes lektisjeve e peripecisë ta përpijë më parë të thartën, shijen e së hidhurës së mendësisë së mjedisit të vet jetësor. Leximi i përqendruar të shpie më në thellësi të shenjave të shkruara, që janë thëniet e lidhura në vargje. Rrathët koncentrikë të konceptimit të së ndodhurës të çojnë te jehonat e “do shpatinave të panjohura.” Ka një mister dhe shumë mistere, që i ndoqën gjakimet e poetit në vorbullat e trysnive përpara dhe pas udhë-rrëfimeve të tija. Në çdo poezi të thellë, në çdo bukuri ka një mister, etje dhe një tmerr!… Kësisoj e kishte apostrofuar misterin e bukurisë poetike Lasgush Poradeci. Fundja poezia pa mister është sikur një letër lakmuesi.
Poeti nëpërmjet identifikimit të unit vetjak pikturoi një kohë, një moshë e një brez vlimesh, ndjesish të ndrydhura… Shtytje të trazuara për lypje dhe përmbushje afshesh të dashurisë, bredhëritje rinore të malësorit, deri në prekjet verbuese të marrëzisë:
“Qëllimi ndez dritat në pikë dite pak si marrëzinë”
Nga një largësi kohe vemë rè vetën e parë të njëzuar te e dyta:
“Unaza e dashnores të rrinte në pasqyrën e syve
Vetëm parandjenja për afshin gjente kërshërinë
Thellë mbyllur me banorë e një rreth i pa ngimë”[7]
Koncepti i dytë është i tejshtrirë, tej egos, tej kohorë është qasja dashurisë si domosdoshmëri. Dashuria konceptohet si domosdoja e ruajtjes, e ngritjes së saj mbi themelet e forta të njerëzores, të vërtetës kundruall gënjeshtrës, të shpifurës, robotizimit apo robërimit të asaj përmase fondamentale të njerëzimit. Konceptin për dashurinë autori e shtron si domosdonë e kultivimit të rrënjës, kudo ku ngjizet njerëzorja, relieveve të mprehta dhe butësive pjellore të etnisë. Vetëm ajo mbanë baraspeshimet e rrëshqitjeve andej-këndej hamendësimeve, paragjykimeve racore… Veç asaj nuk i duhet kartë identifikimi as gjuhë përkthimi… Ajo është fondi universal i pashtershëm mes dy e miliarda qeniesh njerëzore, fond ekzistencial i superstrukturës shpirtërore të njerëzimit.
Përpos përmasës universale të konceptit të dashurisë, poeti i VORBULLIVE ia parashtroi edhe etnisë përmasën e ecjes, që të mos bie në “përkëdhelje e qeshje” të shkolluara ndryshe. Ai si një udhërrëfyes, që i tejkalon caqet e poezisë, poezisë së tij i vë në ndjeshmëri e mendje misionin e të mbajturit të lartë të pastërtisë së dashurisë; lidhjen e fortë të saj mbi tabanin, që nuk bie në prehër dyshimesh, përçmimesh, ironish, tëhuajësimesh, të gjitha të mbështjella nën fjalësin e shqipes.
A mund ta farkojnë, nëse jo standardet qytetëruese, domosdoshmërinë gjithëpërfshirëse në thellësi e gjerësi të konceptit dashuri? Pikërisht aty dhe atje ku mungon dashuria zotëron urrejtja dhe, urrejtja pjell luftërat shkatërrimtare! Poezia e misionit të tillë shtrohet në vargun përkufizues të domosdosë ekzistenciale:
“Dashurinë domosdo do ta farkojmë gati të gjithë!”[8]
Vargu i një përmbylljeje kësisoj nuk tingëllon ndryshe pos si një diskurs etik, jo si një finesë poetike.
CAQET UDHËRRËFYESE
Poeti Shefik Shkodra nuk shquhet për shumësi publikimesh, deri më tash nxori pesë libra poezish dhe, gjithnjë vjen duke e kultivuar cilësinë e vet stilistike; përderisa vëllim pas vëllimi begatoi përvojën krijuese vetjake dhe, poezisë shqipe ia falë tërë përkushtimin më të sinqertë krijues, pa bujë e vetëmburrje. I pashmangur asnjëherë drejt mal-brezit të tij poetik, nuk u josh prej lajthitjeve të jurive e të “shpërblimeve.” Tashmë si njëri nga udhërrëfyesit për një mal-brez poetik, i regjur e sprovuar nga jeta e shtrëngesave ngushticave tona, me mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejt me kulturën franceze, poeti ynë përftoi asimilimin e modeleve kulmore artistike nga poetët e stilistët francezë, të formacioneve e rrymimeve të ndryshme estetike-stilistike e kritike.
Të joshin këndshëm udhë-rrëfimet e shumta poetike-filozofike të këtij poeti, përgjatë gjithë harkut jetësor të stisura në librin e tij VORBULLITË. Patjetër nënvizojmë dhe ca shmangie nga lënda delikate e poezisë, që ndonjëherë të lënë përshtypjen e traktateve filozofike-etike si në vargun:
“Nëse rrugës nuk je i qartë më parë i hap derën marrëzisë!”[9]
Udhë-rrëfimeve të tij poetike Shkodra nuk e tejkalonte dot hapësirën e çeljeve të lulnajave të kohës. Koha e qëndisjeve dhe e zverdhimit nuk kishte perënduar asnjëherë për shijen e tij estetike. Kategoria e kohës frymon dendur në të djeshmen dhe në të sotmen e hapësirës së kësaj poezie. Ia çelë moshën e harlisur të luleve dhe të ndjesive, erërat që ia përshkonin gjymtyrët vrimave të teshave të grisura. Poetit i vjen po ajo shqisë e dikurshme e nuhatjes së kundërmimeve. E pa tretur as si peshë, as si shije. Ai ecte përmes një parfumerie të hapur të bjeshkës; ajo nuk vilej që të mbyllej në ndonjë kuti magjike. Arnat e dimrave të pamëshirë janë kalbur, por mbase qarkullojnë diku në grimca të materies së poetit. Ekspozitat e petaleve hapnin dhe mbyllnin shpejt siparet e veta, pa kërkuar bileta. Por, tash ku ndodhen koret dhe orkestra frymore e shpendëve? Nuk i shfaqin dot koncertet katrorëve prej betoni e çative të llamarinta.
Drithërimave djaloshare, se si ia përskuqnin faqet shikimet shigjetuese të vashës mbi gjunjë e bërryla të shqyer dhe, rrëshqitjet e syve të asaj mbi pantallona e këmishën e pluhurosur. Simfonitë e fëshfërimave, shtrëngatat lemerisëse, përkëdhelia e Erëverës, dëshirat e shqyera si letra gazetash dhe të hedhura në ajër, afshe të gufuara si tambli i derdhur pjerrtësive të shpatinave e të tatëpjetave, epshe të rreshkura e të nxira përreth oxhakut të vatrës… E tëra një botë e një relievi vijash të lakuara dhe, tingujt e një fyelli të thyer e të mbetur në vegime. Mbi të gjitha ato pamje, mbi ato përfytyrime tash veson mallëngjimi. Qindra mijëra mëtime kërshërie të djalërisë ndizeshin dhe fikeshin, si kashtë e fund-tetorit që të hedh blozë e nuk të ngroh. A mund të ishte indiferente poezia e, të mos rrokte maj-pene diçka; diçka nga dhimbja dhe magjia e kësaj bote të djeshme të djalërisë ëndërrimtare?
Një vetëtimë në shiritin e prerë të kohës e kap intuita e poetit nën gardhin e rralluar, përgjimin e një belholle, së cilës rastësisht era ia shpërvjelë kraharorin e bardhë dhe, për çudi thurja e gardhit mbyllet i dendësuar!… Figura epshndjellëse shuhet si hija pa dritë; shkrihet bora mbi kraharor! Mbi ato figura koha i dha shkasin të thureshin legjenda. Një legjendë për cipën e skuqur të fytyrës dhe, një dramë e pa parë e territ këtej gardhit… Poeti i prekë kurorat e metaforave, por poezisë së tij i lagen tiparet. Mandej, e kaplon mjegullnaja e mallëngjimit, një mister i gjakimit për të shpaluar diç kaherë të dashur, të lakmuar si peng i pritur, por që i humbin trajtat dhe dukja dhe, shndërrohet në enigmë jete!
Në vargjet si porta të hapura vijnë e parakalojnë herë pjesërisht të plota, herë gjysmake copëza jete e jetese mbetur si relikte të cilat, poeti ia rikthen muzeut të kujtesës. Figurat parake rishfaqen të dyzuara, vetat e shihnin vetveten te njëri-tjetri, kah do t`i shpinte jeta si shpendët shtegtarë? Tashti në sytë e poetit hirëson një lloj vjeshte…
“Figura engjëjsh të panjohur fëshfëritnin për hetime
Dhe kërshëria ndizte zjarre brenda padukshmërisë”[10]
Ciklit të udhë-rrëfimeve i shtohen shumë tablo përfytyruese, një mori shestimesh të papërmbushura, që gjejnë konakun e vetëm të hapur për trajta parabolash, si dromca, si fije të holla, si fragmente të një poeme me tis mallëngjyes. Motivet e këtilla përcaktuan edhe ngjyrën e stilit e të tipologjisë poetike në tërësinë e kësaj poezie. Andaj, shikuar nga shumësia e këndvështrimeve stilistike-leksikore, këtij stili i shkonte për shtati ky lloj i rrëfimit. Çfarë? Rrëfim që i shtynte paksa për anash metaforat me lëvozhga të forta për hapje. Duhej të dihej se brenda lëvozhgës së guacës mund a s`mund të ishte guaca? Gjithsesi pa renditje fjalësh të sintaksës poetike, fjalë që formësojnë kumte e kuptime, dhimbje e ngazëllime, prehje lirike e burrëri epike, nuk e kapin përmbajtjesoren për zbërthimin e fshehur të magjikes. Megjithatë, kjo gjendje nuk mund të qëndrojë pa një mburojë figurative dhe, i ngjanë sprovës së një rreptësie të kushtëzuar: mishi të piqet dhe helli të mos digjet! Pra, këtu del në pah parimi i dyanshëm: që fjalët në bezdinë e tyre të mos e zhveshin gjuhën e figurshme dhe, figurat të mos i ngufatin thëniet, apo të mos shkrihen vargjet në gjininë simotër të prozës.
Autori edhe kur dëfton ndonjë të dhënë të shkurt, ose me një varg të vetëm për vetveten, i panjohur për të tjerët, identifikohet me vetën e dytë për t`i afruar dëshmi objektive stilit që përfaqëson, ndonëse këtu shihet qartë mënjanimi i njërës nga cilësitë e karakterit të tij, modestinë:
“Je enigmë jetëshkrimi e s`ke pse ankohesh kurrë!”[11]
Vargu i sipërcituar ngërthen një karakter të vetëdjegur të padukshëm, por që rrjedh sikur lumi nëntokësor.
DJERRINAT E VETËDIJES
Në poezitë e librit VORBULLITË shohim si thuren pëlhurat e imagjinatës dhe nyjat e fateve në realitetin e relievit tonë, me të gjitha karakteristikat e veçanta dhe të përgjithshme të karaktereve. Ëndrrat poetike të autorit Shkodra e ligjërojnë fisnikërinë e munguar në zhgjëndrrën e prozës sonë. Poeti vëren me brenga në shpirt, se etnia e tij ende nuk i është kthyer vetvetes; se etnia e tij lehtë bie në karremin e tjetrit. As sprovat më të rënda shoqërore, as trajtat më të skajshme të gjenocidit, këtij populli nuk ia kushtëzuan bashkimin?! Ky popull i rrëshqitshëm në mendime e veprime, nuk duket i gatshëm që ta shporrë të keqën e shtresuar; madje mëtimet për shporrjen e së keqes nga vetja janë pothuajse të papërfillshme!
Arti i këtij lloji të poezisë është gjithnjë në kërkim të identitetit të mirëfilltë të humbur me shekuj. Ai kërkon të bukurën, por e bukura e tij plekset në të shëmtuarën!
Durimi dhe talenti krijues i autorit tonë nuk rresht, që së shëmtuarës, që na ndjek, t`ia nxjerr rrënjët në diellin përvëlues të korrikut. Afër mendsh tërthoras, nëpërmjet gjuhës së figurshme, autori godet, qorton, ironizon, tallet hidhur për kllapinë e dendur të njeriut të vet; të njeriut që mendjelehtësisht ka marr përgjegjësi për kolektivitetin dhe sillet krejt papërgjegjshëm, dëmshëm, rrënueshëm, pa dinjitetshëm… Poeti e merr për zemër dhimbjen për shkurt-pamjen e “elitës”, që me kryeneçësi e krye në vete futet në baltën e gjallë të padijes:
“Mjerë ai që gëlltit të lehurat e kopilit për maskën e tij!”[12]
Farë e shkaktarëve të vorbullave gjendet lehtë edhe mes komunitetit të letër-nxirëve:
“Krijuesi fare pa identitet nxit me lëmsh-leshi rrëmujë…”[13]
Mjetet gjuhësore që i përdorë në këtë poezi, autorit i përshtaten për përmbushje porosish artistike. Jo rrallë vargjeve u jepet një rol zbuluese karakteresh i vorbullave përpirëse, që vijnë prej djallit të shndërruar në njeri:
“Të dyja të pavenerueshme, as arsye as shprehje jete
Personi i fshehtë atakon shpirtin që përjeton tmerr
Uji Zjarri Vullneti Zori Koha Pabesia Stina Moti mosha”[14]
Gjithnjë sipas poetit Shkodra, kujtesën tonë historike përsëritshëm e kaplon djerrina e ferrakëve! Vetëdija e botës shqiptare i përngjason sojit të Zullulandit të Faik Konicës. Kjo rrethanë doemos autorin do ta shtyjë në gjendje dëshpëruese për shpirtin e tij të vetëdijesuar:
“Harruar nga bota shqiptare kot e lodhi dhe ai vetën!”[15]
Kështu ndonjëherë e shohim poetin, të heq dorë nga veshja e dendur e tekstit figurativ dhe, të dal i përtrollitur troç përmes pohimesh pelin për mendësinë e gjymtuar të etnisë!
DISKURS PËRMBYLLËS
Dukshëm më i gjatë është rendi poetik i udhë-rrëfimeve në librin VORBULLITË, të autorit Shefik Shkodra, të cilit u përpoqëm t`ia shqyrtojmë ca nga porositë ngjizje figurash më të çiltra. Për shkaqe bezdie të zgjatjes së diskursit, po ndalemi këtu për të pushuar kërkimin tonë.
Libri të vazhdojë udhëtimin nëpër duar e relieve karakteresh…
Shëndet e të mbara për autorin!
Gjilan, shkurt 2024
[1] Shefik Shkodra: VORBULLITË; SHB SOGJETIME; Gjilan, 2024, f. 34
[2] Po aty; f. 8;
[3] Po aty; f. 9
[4] Po aty; f.9
[5] Po aty; f. 39
[6] Po aty; f. 53
[7] Po aty; f. 107
[8] Po aty; f. 43
[9] Po aty; f. 59
[10] Po aty; f. 73
[11] Po aty; f. 74
[12] Po aty; f. 22
[13] Po aty; f. 97
[14] Po aty; f. 97
[15] Po aty; f. 116