“Përkrahje për iniciativën lidhur me lirimin nga ngarkesa e taksës komunale të të gjithë bizneseve që ushtrojnë veprimtaritë e tyre afariste në Komunën e Gjilanit për vitin 2023. Përmes kësaj letre, Këshilli i Bizneseve të Rajonit të Gjilanit (GRBC) dëshiron të shpreh përkrahjen e plotë për iniciativën e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik (DZHE) të Komunës së Gjilanit për lirim nga ngarkesa e taksës komunale për të gjitha bizneset që ushtrojnë veprimtaritë e tyre afariste në Komunën e Gjilanit për vitin 2023”, ka thënë Arsim Vranovci, President i Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Gjilanit.
Ai theksoi se lirimi nga ngarkesa e taksës komunale do të ndihmojë në lehtësimin e barrës fiskale për bizneset tona dhe do të kontribuojë në përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare të tyre.
“Ne, besojmë se ky hap do të ndikojë pozitivisht në rritjen e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe do të ndihmojë në ndërtimin e një mjedisi më të favorshëm për zhvillimin e sektorit privat në Gjilan”, thotë tutje Vranovci.
Ai shtoi se si Këshill i Bizneseve të Rajonit të Gjilanit, janë të gatshëm të ofrojnë kontributin dhe të bashkëpunojnë për çfarëdo çështje që mund të kontribuojnë.
“Një bashkëpunim i ngushtë mes bizneseve dhe autoriteteve lokale është thelbësor për të arritur qëllimet e përbashkëta për zhvillimin e rajonit tonë”, thotë avokat Arsim Vranovci, President i Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Gjilanit. /2LONLINE/