Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Dega në Gjilan ka reaguar në lidhje me çmimin prej 145 eurosh, për ekskursionin e maturantëve, duke kërkuar që tenderi të anulohet. “Ne si PDK kërkojmë nga DKA dhe qeverisja e korruptuar e VV-së në Gjilan që të heq dorë nga xhepi i prindërve dhe të anulojë menjëherë këtë tenderë, në mënyrë që të përsëritet dhe mos të ketë marrëveshje e kurdisje me operatorët ekonomik”, thuhet ndër tjerash në këtë reagim.
Ja reagimi i plotë i PDK-së së Gjilanit:
Kurdisja e tenderit për ekskursionin e maturantëve me çmim prej 145 euro nuk do të kalojë, VV të heq duart nga xhepat e prindërve.
Loja me organizimin e ekskursionit me maturantët ka filluar me vendimin e anulimit të kryetarit të komunës së Gjilanit, ndërsa po vazhdon me kurdisjen e tenderëve me çmim dy fish më të lartë se vitin e kaluar.
Vitin e kaluar çmimi ka qenë 89 euro për tri netë e katër ditë, këtë vit sekserët e VV-së bënë ndryshim duke shkurtuar qëndrimin në dy netë e tri ditë por rritën çmimin përmes kurdisjes së tenderëve në 145 euro.
Sipas informatave tona, komuna e Kamenicës ka kontraktuar për tri netë e katër ditë me çmimin prej 140 euro, ndërsa qeverisja e VV-së në Gjilan e ka rritë tallin për sekserët e organizimit të këtij ekskursioni, andaj kjo kurdisje është e papranueshme për nxënësit e shkollave të mesme të cilët po e kundërshtojnë këtë tenderë.
Ne si PDK kërkojmë nga DKA dhe qeverisja e korruptuar e VV-së në Gjilan që të heq dorë nga xhepi i prindërve dhe të anulojë menjëherë këtë tenderë, në mënyrë që të përsëritet dhe mos të ketë marrëveshje e kurdisje me operatorët ekonomik. /2LONLINE/