“Edhe në kohë lufte ka pas transmetim dhe informim të qytetarëve përmes radio ‘Kosova e Lirë’, ndërsa 26 vite pas qeverisja e VV-së në Gjilan e ndalon transmetimin e seancave të Kuvendit Komunal”, thuhet në një reagim të PDK-së së Gjilanit.
Më tej në reagim thuhet:
“Tentimi i VV-së për ta penguar transparencën e punës së institucionit më të lartë nuk do të kalojë.
Opozita në Gjilan do të bëjë punën që nuk i takon dhe do të gjejë formën për ta siguruar transmetimin e seancave të Kuvendit Komunal, për informim të drejtë të qytetarëve tanë dhe jo përmes propagandës së këtij pushteti. Terrin informativ dhe mos transparencën e qeverisjes së VV-së ne do ta zhbëjmë.
Dështimi dy herë radhazi i mbajtjes së seancave të Kuvendit Komunal është i qëllimshëm dhe lojë e Kryetarit të Komunës. Ai ka penguar nisjen procedurave të kontraktimit për transmetim të seancave të KK-së edhe pse e ka ditur me kohë për përfundimin e kontratës me operatorin e deritanishëm ekonomik.
Komuna e Gjilanit edhe ashtu ka marrë vlerësimin më të dobët në histori, për mos transparencë të qeverisjes komunale, e këtë nuk do ta lejojmë të bartet edhe në punën e Kuvendit Komunal, rrjedhimisht në legjislativ.
PDK përherë ka qenë dhe do të mbetet pro fjalës së lirë publike! Fundja fjala e lirë është themeli i çdo shoqërie demokratike”, thuhet në reagimi ne PDK-së së Gjilanit. /2LONLINE/