Reagon Liresë Kosumi Ibrahimi: Po vazhdon avazi i vjetër!
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ditë më arë tha se, një epokë e re për menaxhimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e ambientit po fillon në Komunën e Gjilanit. “Tashmë, siç ka njoftuar edhe Ministria e Mjedisit, janë hapur dyert e deponisë sanitare në Velekincë për personat fizikë. Tani e tutje, keni një adresë të saktë, të sigurt dhe plotësisht të ligjshme për t’i dorëzuar vetë mbeturinat tuaja”, ka thënë Hyseni.
Por, në lidhje me këtë çështje ka pasur reagime.
Pas reagimit të Skender Bajramit, kryetar i fshatit Velekincë,/shih: Reagim publik/,tani vjen reagimi edhe nga Liresë Kosumi Ibrahimi, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila i ka reaguar të parit të Komunës së Gjilanit.
“Vendimi mund të ketë ardhur nga Ministria, por Komuna nuk mundet me u fsheh pas Ministrisë e me thanë: “s’kemi punë na”. Kur bëhet fjalë për mbeturina në Velekincë, Komuna ka punë. Ka përgjegjësi. Ka obligim me i pyet njerëzit që jetojnë aty, dhe te komunikoj me këshillin e fshatit”, thuhet në reagimin e asambleistës së PDK-së.
Sipas kuvendares Liresë Kosumi Ibrahimi, ligji nuk e njeh Velekincën vetëm kur duhet me ia marrë votën. E njeh edhe kur duhet me e dëgjua zërin e banorëve.
“Për ju kjo mund të jetë “epokë e re”. Po për ne, epokë e re janë rrugët e rregulluara, investimet, projektet konkrete dhe kërkesat e banorëve që ti kryetar ke vendos mos me i përfshi fare në buxhet të vitit 2026”, thuhet në fund të reagimit të Liresë Kosumi Ibrahimi, anëtare e kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së. /2LONLINE/
