DYLON

Reagim publik

Reagim publik
Avatar photo Redaksia

Reagim publik

Si kryetar i fshatit Velekincë, shpreh kundërshtimin dhe shqetësimin tim të thellë lidhur me vendimin e fundit të Komunës së Gjilanit, me të cilin kryetari, z. Alban Hyseni, ka vendosur që mbeturinat inerte të hidhen në fshatin Velekincë. Ky vendim, për mua dhe për banorët që përfaqësoj, është i papranueshëm.

EkoHigjiena

Banorët e këtij fshati nuk ju kanë dhënë besimin e tyre që, në fund, t’u thuhet se “lajmi i mirë” është se do të kenë edhe më shumë mbeturina. Për ne, ky nuk përbën zhvillim dhe as një vizion për të ardhmen e Velekincës.

Për ju kjo mund të quhet “epokë e re”, por për ne, banorët e Velekincës, epokë e re do të ishte të shihnim investime konkrete, projekte zhvillimore dhe një plan të qartë për avancimin e fshatit tonë. Fatkeqësisht, në planifikimin buxhetor nuk janë marrë parasysh kërkesat dhe nevojat më bazike të banorëve të Velekincës, ndonëse ato janë paraqitur vazhdimisht nga përfaqësuesit e fshatit.

Si kryetar i fshatit, e ndiej obligim të theksoj se shqetësimet dhe kërkesat e qytetarëve nuk janë marrë në konsideratë ashtu siç do të duhej. Velekinca ka nevojë për investime në infrastrukturë, përmirësim të shërbimeve publike, mbështetje për të rinjtë dhe familjet, si dhe për një trajtim të barabartë në ndarjen e investimeve komunale.

Prandaj, kërkojmë që ky vendim të rishqyrtohet dhe që zëri i banorëve të Velekincës të dëgjohet me seriozitet. Velekinca meriton zhvillim, investime dhe perspektivë, jo vendime që e rëndojnë edhe më shumë jetën e qytetarëve.

Kryetar i fshatit Velekincë,
Skender Bajrami