Qendër sulmuesi gjilanas Leotrim Kryeziu, nuk është ftuar nga përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës U21, Rafet Prekazi, për dy ndeshjet e para të kualifikimeve për Europianin 2021, kundër Andorës si mysafirë me 6 qershor dhe kundër Turqisë me 11 qershor në Prishtinë.
Kryeziu ka thënë se e ka merituar të ftohet nga Kosova U21, për këto dy ndeshje të radhës, pasi është në formë të mirë.
“Mendoj se e kam merituar të ftohem në Kombëtaren Kosova U21, sepse jam në formë të mirë. Statistikat flasin më mirë se a e meritoj apo jo ftesën, por mos ftesën time e din më mirë selektori dhe ata tjerët që janë në federatë. Unë jam i gatshëm gjithmonë të jap maksimumin”, ka thënë Kryeziu.
Kyreziu këtë sezon është transferuar te skuadra e Luganos nga Drita.
Ai me Luganon ka qenë në një formë të mirë me ekipin e dytë, ku nga 19 ndeshje i ka shënuar 19 gola, duke treguar formë të lartë. Falë kësaj formë të lartë është ftuar pesë herë në ekipin e parë, duke debutuar në njërën ndeshje.
Leo më herët ka qenë pjesë e grumposhave të reja, ai për U19 ishte edhe kapiten i skuadrës, ku kishte shënuar pesë gola nga gjashtë ndeshje.