Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Kosovë ka reaguar ndaj situatës së fundit në Maqedoni, duke përkrahur vazhdimin e protestave si në Maqedoni, ashtu edhe pranë ambasadave të shtetit maqedon kudo në botë.
Po ashtu, OVL e UÇK-së ka shprehur gatishmërinë që si veteranë të luftës të ndihmojnë me të gjitha kapacitetet e tyre në mënyrë që t’i jepet fund, siç thonë ata represionit sllav.
Sipas tyre, represioni i pasuksesshëm i nënshtrimit të shpirtit të madh shqiptar, vazhdoi edhe në shekullin 21, duke kulmuar me rastin e fundit të quajtur “Monstra”, ku pa asnjë provë, të rinjtë shqiptar dënohen me burg të përjetshëm.
E tëra kjo, sipas OVL të UÇK-së me intervenimin direkt të shtetit serb, përkrahur nga prokurorët e gjykatësit shovenist, që dëshirojnë ta zhbëjnë qenien shqiptare nga tokat e tyre.
“Duke qenë në përcjellje të vazhdueshme të situatës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kërkon:
Gjykim me monitorues ndërkombëtar, të rastit të quajtur ‘Monstra’
-Kërkon nga organet e Republikës së Kosovës, të mos ekstradojnë 2 të rinjtë e këtij grupi që gjenden në burgjet e Kosovës;
-Fton qeverinë e Shqipërisë dhe qeverinë e Kosovës, që të koordinohen me faktorët politik-shoqëror shqiptar në IRJM, në mënyrë që të kemi një strategji kombëtare e cila fatkeqësisht mungon;
-Inkurajon vazhdimin e protestave si në IRJM ashtu edhe pranë ambasadave të shtetit artificial ‘maqedon’ kudo në botë.
-OVL e UÇK-së gjithashtu “inkurajon protestuesit që cak i tyre të mos jenë subjektet politike shqiptare, por shovinistët maqedon dhe organet e tyre antishqiptare;
-Shpreh gatishmërinë si veteranë të luftës, që të ndihmojmë me të gjitha kapacitetet, vëllezërit në IRJM, për çfarë do që atyre ju nevojitet, në mënyrë që t’i jepet fund, një herë e mirë represionit sllav”.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të njoftoj me kohë veteranët dhe popullin tonë liridashës të Kosovës, për veprimet që do të merren karshi kësaj situate”, thuhet në fund të njoftimit.