(2L ONLINE) – Kryetarët e Seksioneve Sindikale të Bujqve të Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Podujevës e Drenasit, që thonë se, deri në muajin e kaluar ishin pjesë e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, e cila ka aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje , kanë reaguar ndaj politizimit të skajshëm të Sindikatës së bujqve dhe të atij, siç thonë ata, që e ka privatizuar këtë organizatë, duke e trajtuar si kompani biznesi dhe duke bërë biznes me parti politike në emër të bujqve, interesat e të cilëve asnjëherë nuk i ka mbrojtur.
Përmes një kumtese, Ruzhdi Selimi, sekretar i FSBK-së dhe kryetar i seksionit Sindikal në Gjilan, Ekrem Vllasa, kryetar i seksionit sindikal në Podujevë, Amir Keçmezi, në Kamenicë, Ali Ahmeti në Novobërdë dhe Brahim Hoti i seksionit në Drenas, thonë se Tahir Tahiri që prezantohet në opinion si kryetar i FSBK-së ka vite të tëra që nuk ka lejuar të bëhen zgjedhje të brendshme, ka bërë shkelje flagrante të statutit të FSBK-së dhe se më nuk e njohin si kryetar i kësaj organizate.
Ata thonë tutje se duke mos u pajtuar me politizimin e kësaj organizate, me qëllimin e vetëm që t’u shërbejnë bujqve dhe jo partive politike, tani e tutje do të funksionojnë si të pavarur në komunat e tyre përkatëse.
“Pasi që nuk e njohim Tahirin si përfaqësues, ne kryetarët e seksioneve sindikale të komunave të lartpërmendura, distancohemi nga të gjitha deklarimet e tija politike e publike dhe apelojmë te bujqit që të mos biejnë viktimë të mashtrimeve të vazhdueshme të tij”, thuhet në reagimin e kryetarëve të seksioneve sindikale të bujqve në komunat e lartpërmendura. /2l Online/