Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Shoqata e Artistëve Figurativ “Gursel Sylejmani”, kërkon nga personi fizik i cili ka dëmtuar veprën artistike “Art is the Way” sa më shpejtë ta rikthejë në gjendjen e mëparshme.
Veprimet e tilla nuk arsyetohen me asgjë, pa marrë parasysh nga kush vijnë, ato do të përballen me ndjekje juridike e ligjore, me qëllim për t’i mbrojtur vlerat kulturore e artistike që ka komuna e Vitisë!
Kjo ndërhyrje pa leje në këtë vepër arti përveç tjerash është imazh i keq për Komunën e Vitisë në përgjithësi, prandaj DKRS dhe sh.a.f. “Gursel Sylejmani”, edhe një herë shprehin indinjatën e thellë lidhur me këtë gjendje të krijuar, dhe si subjekte juridike kompetente për këtë mural artistik, nuk do të tërhiqemi nga kjo kërkesë deri në realizimin e saj.
Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Drejtoria e Inspekcionit dhe Stacioni policor në Komunën e Vitisë, do të ndërmarrin të gjitha veprimet juridike për dëmtimin e kësaj prone publike, dëmtimi i së cilës sanksionohet sipas nenit 333 paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ky akt i shëmtuar, përveç se ka irrituar komunitetin e artistëve, ka irrituar edhe qytetarët e Komunës së Vitisë, prandaj ne si subjekte juridike kompetente, kërkojmë edhe përkrahjen e mediave dhe shoqërisë civile lidhur me këtë çështje.
Përndryshe muralit është punuar nga artistët vitias dhe ata nga Kolorado!