(2LONLINE) – Shoqata e Kardiologëve të Kosovës i është drejtuar me një letër Kryetares së Odës së Mjekëve të Kosovës, Zylfije Hondozit, duke shprehur shqetësimet e saj në lidhje me arrestimin e mjekut Shpend Elezi.
Në këtë letër, drejtuar kryetares Hondozi, kardiologët shprehin shqetësimin e mënyrës së arrestimit të doktor Elezit, i cili disa ditë më parë është arrestuar me dyshimin se e ka trajtuar në mënyrë të pandërgjegjshme një pacient dhe që për pasojë ai ka ndërruar jetë.
Ja reagimi i plotë:
E nderuara Prof.Hundozi,
Duke ndjerë dhimbjen për humbjen e jetës së pacientës, duke respektuar dhimbjen dhe shqetësimin e familjes së saj, si dhe të drejtën e familjes për të ndriçuar shkaqet e vdekjes, duke respektuar hulumtimin e shkaqeve të vdekjes së pacientës nga organet e hetuesisë, ne anëtarët e Shoqatës së Kardiologjisë të Kosovës, si dhe anëtarët e Kologjiumit Profesional të Klinikës së Kardiologjisë me Angiologji shprehim shqetësimin tonë të thellë për arrestimin dhe mënyrën e arrestimit të kolegut tonë shumë të respektuar, Prof.Dr.Shpend Elezit, një profesionisti, pedagogu dhe kardiologu, të njohur për punën e tij profesionale dhe shkencore, edhe jashtë Kosovës.
Arsyet e shqetësimit tonë janë të shumta, të cilat po përpiqeni që ti përmbledhim, si më poshtë:
Vdekshmëria në procedurat invasive diagnostike kardiologjike, sipas statistikave ndërkombëtare është deri në 0.1%, ndërsa ato terapeutike invasive rreth 1%.
Pacientët që i nënshtrohen këtyre procedurave njoftohen për këtë rrezik, dhe firmosin dakordimin lidhur me nënshtrimin ndaj rrezikut deri në humbje jete. Këtë dakordim e ka firmosur edhe pacientja e ndjerë.
Shkaku i vdekjes, i raportuar nga Mjekësia Ligjore është embolia mushkërore yndyrore, e cila në asnjë rast në botë nuk është raportuar se mund të shkaktohet nga koronarografia;
Është shembull i padëgjuar në botë prangosja e mjekut, pa u verifikuar fajësia;
Prangosja e mjekut është bërë në prani të mediave, duke bërë spektakël, i cili direkt ndikon në besueshmërinë e pacientëve ndaj nesh;
Nuk është hera e parë që prangoset mjeku, dhe pastaj rezulton se ka qenë i pafajshëm.
Kjo ka ndikuar në humbje të ndjeshme të reputacionit të mjekëve në Kosovë;
Veprimi ndaj kolegut konsiderohet nga ne si linçim i veprimit profesional, sepse të gjthë ne ndihemi të rrezikuar në kryerjen e procedurave diagnostike dhe terapeutike invasive, për të cilat ne nuk mund të garantojmë se mund të kryhen pa komplikime deri në humbje jete, ashtu siç nuk garantohet askund në botë.
E nderuar Prof.Hundozi,
Ju lutemi që në afatin sa më të shkurtër kohor, nëpërmjet organeve tuaja të reagoni ndaj këtij rasti të papresedan në mjekësinë botërore, të reagoni dhe të gjykoni drejtë këto veprime, për të kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur të Dr.Elezit dhe të gjithë neve, si dhe për të na siguruar veprimet tona të lira profesionale në të ardhmen, duke u mbështetur në kodet etike të njohura në krejt botën.
Në emër të anëtarëve të Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës dhe anëtarëve të Kolegjiumit të Kardiologjisë.
Prof.Dr.Bedri Zahiti,
Sekretar i Shoqatës dhe Drejtor i Klinikës.