Ende jemi të shqetësuara, tronditura dhe të mërzitura për gruan shtatëzënë të vrarë mbrëmë, pikërisht në oborrin e spitalit ku kishte shkuar për ta sjellë në jetë fëmijën e saj. Si Grup i Grave Deputete, i përbërë prej të gjitha partive parlamentare bashkëndjejmë secila njëjtë.
Si Kuvend kemi miratuar unanimisht Konventën e Stambollit që e dënon çdo dhunë ndaj grave. Kemi folur e diskutuar shumë herë. Por duhet të bëjmë edhe më shumë. Të bashkëpunojmë për këtë kauzë.
Ndërhyrja duhet të jetë e shumanshme. Qeveria duhet të ndërmarrë çdo masë që ka në kompetencë sa më shpejt që është e mundshme. Zingjiri i sigurisë duhet të japë përgjegjësi për neglizhencën meqë viktima kishte njoftuar për rastin dhe kishte kërkuar mbështetje e siguri. Respektimi i të drejtave të grave të bëhet pjesë e edukimit arsimor. Ndërkohe përshëndesim reagimin mbarë shoqëror. Kurse ne në Kuvend të rishikojmë e shtojmë çdo ligj që është i nevojshëm dhe të flasim gjithmonë.
Ne i shprehim ngushellime më të sinqerta familjarëve të të ndjerës. Qëndrojmë pranë edhe familjave të viktimave të tjera që iu përsëritet dhimbja sa herë ka raste të tilla e gjithashtu grave që janë duke qëndruar në atë repart e janë traumatizuar.
Qoftë ky rasti i fundit.