/2L ONLINE/ – Iniciativa Qytetare e Zhegrës(IQZH) që nga janari i vitit 2014, realizon projektin e tyre “Ushqim për familjet në varfëri të skajshme”. Që nga atëherë e deri më sot, kjo Iniciativë nuk u ndal për të siguruar dhe shpërndarë, pako me artikuj ushqimor e higjienik, familjeve në kushte shumë të vështira. Fillimisht e kishin nisur me tri familje, dhe tani janë 17 të tilla, që për çdo muaj u dërgohen pako me gjëra ushqimore e higjienike.
Duke parë këtë vullnet të kësaj organizate, Rotarakt Klub “Anamorava”, ka marr përsipër, që për tërë vitin 2017, t’ua sigurojë, kësaj organizate një artikull, që ajo të ketë më lehtë, apo edhe ato para që do të shpenzoheshin për atë artikull, t’i përdorin për t’i pasuruar pakot e tyre me gjëra tjera.
Kështu të rinjtë rotaraktorë të RCT “Anamorava”, ndihmuar edhe nga rotarianët si sponsor të tyre, ua kanë dhuruar sot gjysmën e vajit që do t’i duhej IQZH, për gjashtë muajt e parë të vitit 2017i, duke marr zotimin se edhe pjesën tjetër do ta dorëzojnë më vonë, për shkak të afatshmërisë që ka vaji.
Rotaraktori Shqipërim Osmani udhëheqës i projektit, ka thënë se ideja e rotaraktorëve ishte që ta grumbullojnë njërin produkt, e që u vendos të jetë vaji, aq sa u nevojitet kësaj organizate për 1 vit, me qëllim që pastaj parat që ata i grumbullojnë për atë artikull, t’i përdorin për të blerë gjëra tjera me të cilat do t’i pasurojnë këto pako, ose të kenë më lehtë sigurimin e produkteve thelbësore siç është shembull mielli.
“Rotaraktorët e rinj kanë filluar grumbullimin e vajit duke u nisur nga vetja e tyre, familja e tyre e ngushtë dhe e gjerë dhe në këtë vazhdë edhe rotarianët kanë ndihmuar me para me të cilat është blerë vaji dhe sot po ua dorëzojmë organizatës në fjalë. Me që vaji është menduare të jepet për një vit dhe duke parë afatshmërinë e vajit, ne sot po e japim gjysmën e sasisë me të cilët do të mbulohen nevojat për gjashtë muajt e parë të vitit 2017, në ndërkohë marrim zotimin se do të dorëzojmë edhe pjesën e dytë”, ka thënë Osmani.
Mustafë Jashari, koordinator i IQZH-së e ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë gjestin e këtyre të rinjve duke thënë se për ta është një ndihmesë shumë e madhe. Jashari ka thënë se është një shembull i mirë i bashkëveprimit të organizatave dhe po ashtu një shembull i mirë edhe për tërë rininë, sepse të ndihmohen skamnorët është veprim shumë human dhe i çmueshëm.
Më pas ai ka folur edhe për atë se si kishte nisur ky projekt që ka fill në vitin 2013, që lindi si ide nga IQZH dhe Shoqata “Zhegra” nga Gjeneva”, dhe se shpërndarja e parë e pakove u bë në janar të vitit 2014, ku u ndihmuan 3 familje me 12 anëtarë, për të vazhduar pa u ndalë, muaj për muaj, deri më sot ku tani ndihmohen 17 familje me 79 anëtarë nga të cilët 43 fëmijë, për të cilët çdo të parin e muajit, u shpërndahen pako me artikuj ushqimore dhe higjienik.
E një veprim i tillë i rotaraktorëve gjilanas të RCT “Anamorava” është pëlqyer edhe nga Shemsedin Elezi, kryetari i Këshillit të fshatit Zhegër, i cili vuri në pah domosdoshmërinë e ndihmës për skamnorë jo vetëm në këtë pjesë, por edhe mbarë Kosovën dhe në veçanti vlerësoi angazhim dhe rolin e të rinjve në këtë drejtim dhe në veçanti të IQZH-së dhe RCT “Anamorava”.
Në fund, IQZH, përmes koordinatorit Mustafë Jashari nderuan me mirënjohje RCT “Anamorava”, të cilën mirënjohje e pranoi Manushaqe Latifi, kryetare e këtij klubi. /2L ONLINE/