“Policia e Kosovës, bazuar në autorizimet e saj ligjore përmes planeve zhvillimore strategjike dhe planeve operacionale në vazhdimësi ka ndërmarr veprime në parandalimin e veprimtarive të ndryshme kriminale, përfshirë edhe ndërmarrjen e masave konkrete në sensibilizim dhe parandalim të rasteve të dhunës në familje”, thuhet në komunikatën e policisë.
Më tej thuhet edhe se: Rastet e dhunës në familje kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten shqetësuese, edhe përkundër faktit se rastet e tilla në vitin e fundit kanë shënuar rënie nga 2.757 raste në 2.460 raste, ose rënie prej 10.77% krahasuar me vitin paraprak, raste këto të cilat në këtë fillim vit vazhdojnë të mbeten edhe më tej shqetësuese.
Çdo herë kur flitet e raportohet për dhunën në familje, natyrisht se shfaqen parasysh shumë sfida, me të cilat përballen sot mjaft familje, jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë, pasi dhuna në familje shkatërron jetët e njerëzve, sikurse ndodhen edhe dy rastet e fundit ai i vrasjes së rëndë në Ferizaj me datën 12.04.2024 dhe rasti i ndodhur sot 16.04.2024 në Pejë. Në të dy rastet Policia e Kosovës ka ndërmarr veprime konkrete duke arrestuar personat e dyshuar dhe të njëjtit i ka dërguar para organeve kompetente të drejtësisë.
Veprimet ligjore të cilat bien në kompetencë të Policisë së Kosovës janë ndërmarrë çdo herë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin dhe koordinim me institucionet relevante siç janë, qendrat për punë sociale, mbrojtësit e viktimave dhe organet e drejtësisë. Në të gjitha rastet janë arrestuar personat e dyshuar dhe rastet janë trajtuar sipas udhëzimeve të organeve të drejtësisë, ashtu siç ka ndodhur edhe me arrestimin e dy personave të dyshuar të cilët dyshohen se kanë kryer vrasjet në Ferizaj dhe Pejë.
Mbrojtja nga dhuna është një e drejtë themelore e njeriut, andaj Policia e Kosovës në vazhdimësi ka bërë dhe bënë përpjekje për krijimin e një ambienti të qetë e të sigurt për të gjithë. Një faktor shumë i rëndësishëm në parandalimin e dhunës në familje, është komuniteti, përfshirë këtu individët, organizatat dhe institucionet e ndryshme dhe sistemi ligjor duhet të jenë të bashkuar në përpjekjet për të siguruar dhënien fund çdo dhune në familje apo me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën dhe abuzimin ndaj grave e fëmijëve.
Përdorimi i dhunës nuk është formë e zgjidhjes së problemeve, vdekja e një personi në çfarëdo rrethane është tragjedi për familjen dhe komunitetin, andaj Policia e Kosovës vazhdon tu bëjë thirrje të gjithë njerëzve që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, ti raportojnë rastet pa vonesë, pasi kjo është mënyra e duhur për ti zgjidhur dhe parandaluar rastet, si dhe për ti sjellë të dyshuarit para organeve të drejtësisë, për ta marrë dënimin e merituar nga institucionet kompetente, përfundon komunikata e policisë së Kosovës. /2LONLINE/