/2L ONLINE/ – Kundër reagimi i Rexhep Kadriut, kreut të AAK-së së Gjilanit, njëherësh nënkryetar i komunës, ndaj deklaratave thumbuese në adresë të tij, të bëra nga Riad Rashiti i PDKsë, duket se e kanë “goditur” atë, pasi ai sot me deklarimet e tija ka qenë edhe më i ashpër duke e quajtur Rexhep Kadriun e AAK-së argat të Lutfi Hazirit (LDK), dhe për të cilin nuk ka as AAK, e për LDK-në nuk ka Rexhë, derisa për Rexhën ka veç Lutë.
Shih shkrimin: “Riad, lapsi i AAK-së të ka dërgua ty dhe partinë tënde në opozitë”
“Argati i Lutës, Rexhep Kadriu nga pozita e nënkryetarit të komunës së Gjilanit po e udhëheqë zhvatjen e madhe të pushtetit komunal, për të përfituar jashtëligjshëm në dobi të biznesit të tij dhe në dobi të kastës politike që po e udhëheqë Lutfi Haziri, e që po e tkurrin pronën dhe pasurinë publike të qytetarëve të Gjilanit. Edhe vet zërat e fuqishëm të LDK-së e të AAK-së, po e kundërshtojnë këtë formë të kësaj bashkëqeverisjeje, e cila deri më tani asgjë pozitive nuk ka reflektuar karshi qytetarëve Gjilanas. Me këtë koalicion janë të kënaqur vetëm disa individë zhvatës të LDK-së dhe vetëm Rexhep Kadriu i AAK-së, të cilët po i keqpërdorin pozitat e tyre politike, përmes zhvatjeve të buxhetit komunal, përmes tenderëve që po i japin kompanive të ndryshme, por që ato po kushtëzohen për tu furnizuar nga kompanitë e tyre beton dhe me materiale tjera ndërtimore”, ka thënë Riad Rashiti i PDK-së.
Ai tha se ndërtuesit ilegal të objekteve individuale dhe kolektive, po kushtëzohen që të furnizohen me beton nga kompanitë e zhvatësve, të cilët duke negociuar për bizneset pronë e tyre, po i garantojnë ndërtuesve se nuk do të kenë probleme dhe pengesa nëse eventualisht u ndërpriten nga inspeksioni objektet e nisura pa leje ndërtimore.
“Kundërshtimet brenda LDK-së dhe AAK-së për koalicionin qeverisës në Gjilan, po e dëshmojnë se pakënaqësia është ekstreme dhe nyje e kësaj situate është bërë vet kryetari në ikje (veç hijen e ka, sepse nuk është më pjesë e saj) i AAK-së Rexhep Kadriu, i cili për këtë mandat punoi dhe u angazhua vetëm për veten dhe biznesin e tij, por aspak nuk i shërbeu strukturës së AAK-së, votuesit dhe elektoratit të partisë së tij, e mos të flasim për qytetarin e Gjilanit, që nganjëherë ai ka dëshirë të flasë në emër të tyre”, ka thënë tutje Rashiti.
Sipas tij, adresa e fundit e keqpërdorimit të Rexhep Kadriut, është projekti i lumit Mirusha. Ai me ngulm e pengoi vazhdimin e këtij projekti, prezantoi kundërligjshëm në Kuvendin Komunal nevojën për ndryshimet e këtij projekti, me qëllim të mbulimit të shtratit të lumit Mirusha me beton, sepse aty pritet të ketë furnizim të madh me beton nga kompania e tij dhe me material nga gurthyesi i tij i ri. Fakti që iu është ndërprerë pa asnjë arsye të vetme kontrata me punëkryersin aktual, për të vazhduar finalizimin e këtij projekti, i vërteton të gjitha përpjekjet e tij si zhvatës i buxhetit komunal dhe i fondeve të tjera për projekte kapitale.
“Zhvatjet e tij dhe të tjerëve janë shumë herë më të mëdha se sa këto që u theksuan, ka dëshmi dhe dëshmitarë për veprimet e tyre, por derisa sistemi i drejtësisë (në veçanti në Gjilan) të zgjohet nga gjumi dhe të veprojë, zhvatësit mund të ndihen edhe komod, por sigurisht që do të vjen koha, për të shijuar edhe komoditetin në fshatin Pasjak, në objektin e ri që është ndërtuar nga Ministria e Drejtësisë”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, pas gjithë këtyre dallavereve, keqpërdorimeve dhe zhvatjeve të pushtetit komunal, Rexhep Kadriu po na shet moral politik përmes deklaratave mashtruese dhe gënjeshtrave që i ngjajnë atyre të dala nga shkolla e kryetarit të komunës, e ky si argat i tij po mundohet ti ngjajë atij.
“Rexhep Kadriu, në deklaratën e fundit të tij publike, përveç tjerave e lëshoi një gënjeshtër shumë të madhe, ku tha se deri më tani ai paska shpenzuar vetëm 780 euro për naftë nga buxheti komunal. Por nuk na tregoi se si ai i dërgon miqtë e tij (persona privat) e jo zyrtarët komunale për t’ia mbushur veturën e tij zyrtare në pikën e kontraktuar të karburantit. Mirëpo unë vetëm një nga shumë dëshmitë, po ua ofrojë sa për të treguar dhe dëshmuar se sa shumë është mësuar të gënjejë edhe nënkryetari sikurse kryetari i tij”, ka thënë tutje Rashiti i PDK-së.
Sipas itj, vetëm në muajin maj të vitit 2015 Rexhep Kadriu ka marr nga buxheti i komunës mëditje për vizita jashtë vendit (Zvicër dhe Gjermani) në vlerë prej 1,091 euro, plus 1400 euro për hotele dhe 338 euro për biletë aeroplani. Ai edhe për muajin prill 2015 ka marr mëditje tjetër për vizitë turistike në Turqi, në vlerë prej 367 euro si dhe për biletë aeroplani 215 euro . Pra vetëm për tri vizita dhe brenda dy muajsh ka shpenzuar dhe ka marr në xhepin e tij mbi 3,400 euro nga taksat e qytetarëve të Gjilanit.
“Vërtet Rexhep Kadriu nuk po ha mish nga taksat e qytetarëve, por po hanë shumë më shumë përmes gjërave të tjera, sepse po ia ka ëndja. Ai po i hanë brenda vitit nga disa miliona euro bashkë me kastën e Lutës, nga keqpërdorimet, tenderët, ndërtimet pa leje, projektet kapitale. Rexha po mendon dhe po ndihet shumë i fortë dhe i mençur në politikë, por po harron argat i kujt është dhe kujt po i shërben. Luta shumë kënd në politik deri më tani e ka prit dhe e ka përcjell, por vaj halli për ty, që je bërë skllav i tij dhe ai ty do të mbajë gjatë shumë gjatë, sepse atij i ka munguar një njeri si ti, prandaj Luta ka shumë nevojë për ty dhe ti për atë. Prandaj për Rexhep Kadriun nuk ekziston më AAK, e për LDK nuk ekziston Rexha, por ai ekziston vetëm për Lutën”, është shprehur Riad Rashiti i PDK-së. /2L ONLINE/