“Gjatë vizitës së realizuar sot në Qendrën për Aftësim Profesional (QAP), diskutuam me menaxherin e këtij institucioni z.Burhan Selmani, për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit ndër-institucional me qëllim të funksionalizimit të të gjitha kapaciteteve që i ofron kjo qendër e trajnimit profesional”, ka bërë me dije Riad rashiti, drejtor i Drejtorisë për Buxhet e Financa të Komunës së Gjilanit.
Sipas tij, në këtë qendër janë të gjitha kushtet, paisjet, kabinetet si dhe mjetet e punës për të ju ofruar kandidatëve aftësimin profesional për kërkesat e shumta që janë në tregun e punës në Gjilan dhe rajon.
“Mungesa e deri tanishme e bashkëpunimit institucional, ka kufizuar shfrytëzimin e mundësive që ofron kjo qendër. Mungesa e mjaftueshme e buxhetit për këtë institucion, mungesa e trajnerëve për të gjitha profesionet-modulet, si dhe mos interesimi për ta fuqizuar këtë qendër, ka bërë që shumë paisje për vite të tëra, të mbesin totalisht të pashfrytëzuara për të trajnuar dhe aftësuar të rinjët e Gjilanit dhe Anamoravës, duke rrezikuar edhe humbjen e vlerës së këtyre investimeve që janë bërë aty”, ka thënë Rashiti.
Ai tha se si institucione komunale, përmes drejtorisë për Zhvillim Ekonomik do të angazhohen dhe do të investojnë që kjo qendër të ofrojë sa më shumë mundësi për të rinjtë dhe në module të reja për aftësim profesional sipas nevojave dhe kërkesave të tregut të punës.
“Ndërsa përmes drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, do të realizojmë investime në trajnimin dhe aftësimin e personave me nevoja të veçanta, në mënyrë që të angazhohemi pastaj drejtpërdrejtë edhe në gjetjen e mundësive për punësimin e këtyre personave, të cilët kanë më së shumti nevojë për përkrahje institucionale”, ka thënë Rashiti. /2LONLINE/