(2L ONLINE) – Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së ka thënë se vetëm të verbuarit që janë në pushtet dhe pas pushtetit, mund të vlerësojnë se në Gjilan është arritur qoftë një sukses i vetëm, në çfarëdo fushe, e sidomos në aspektin ekonomik.
‘Fatkeqësisht, qytetarët e Gjilanit i kanë besuar premtimeve të LDK-së në Gjilan gjatë fushatës elektorale, të cilët tani pas një viti, janë bindur se ishin plotësisht të mashtruar nga ana e kryetarit aktual të komunës Lutfi Haziri, i cili sot po e dërgon qytetin e tij drejtë kolapsit ekonomik”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, asgjë e mirë nuk i erdhi qytetit të Gjilanit me ndryshimin e qeverisjes komunale, përpos një pushteti që di të këndojë mirë ninullën e rrenave. Ngjashëm me këngën e radhës, të titulluar dhe kënduar nga Forumi i Gruas “Uragani i sukseseve me emrin LDK nuk ka të ndalur”.
“Se sa ka arritur qeverisja aktuale të kthejë investimet në Gjilan dhe të realizojë programin e saj qeverisës, është e njësoj sikur pushteti në Korenë Veriore, i cili qytetarëve të saj përmes rrenave nëpër mediumet shtetërore të saj, transmetonte montazhe filmike, se si ka arritur të fitojë kombëtarja e Koresë Veriore, kupën në finalen e kampionatit botërorë në futbollit, duke e mposhtur Brazil me rezultat 8:1, si dhe duke e mposhtur edhe Gjermaninë në lojën zhvilluar paraprake. Ndërsa në realitet ky shtet nuk kishte marr pjesë fare në kampionat, aq sa tani komuna e Gjilanit që është duke u marrur me investime dhe zhvillim ekonomik lokal”, ka thënë Rashiti.
E, sipas itj, kështu sot po i ngjanë pushteti komunal, asaj të Koresë Veriore. Por fatmirësisht që këtu ka së paku një dallim të madh. Sepse atje, qytetarët korean ende plotësisht i besojnë gënjeshtrave të pushtetit, si pasojë e territ informativ që e kanë të instaluar nga shteti. Ndërsa në Gjilan, qëndron e kundërta sepse këtu më nuk ekziston terri informativ dhe kështu, disa nga zyrtarët komunal po arrijnë të rrejnë vetëm vetveten e tyre, por jo edhe të tjerët.
“Sot askush nuk mund të mos pajtohet me faktin që, qeverisja komunale e LDK-së, nën “udhëheqjen” e Lutfi Hazirit, Gjilanin e ka bërë kaos në të gjitha sektorët. Duke filluar me rënien drastike të investimeve, mbi 10 milion euro më pak investime se në vitin e kaluar. Po shuan fabrika prodhuese në Gjilan. Po lejon mbylljen e fabrikës së bukës, për interesa të ngushta personale. Sot ka filluar rrënimi i objekteve të fabrikës së duhanit në Gjilan, për tu nisur ndërtime banesore pa leje urbanistike. Në këtë vit janë shuar qindra vende të punës. Krejt këto ka ndohhur vetëm brenda këtij viti”, ka thënë Rashiti i PDK-së.
Ai ka përnendur gjendje në shëndetësi, ku për pak muaj e ka bërë të mjerueshme, pastaj në arsim po ashtu ka krijuar anarki totale. Buxheti komunal po keqpërdoret skajmërisht përmes tenderomanisë dhe ankandoshoqërisë. Urbanizmi ka humbur kontrollin plotësisht në realizimin dhe respektimin planeve rregulluese urbanistike nga ndërtuesit “jabanxhi”. Inspeksioni është i zhytur deri në fyt me korrupsion, duke lejuar ndërtime enorme pa asnjë lloj leje urbanistike. Kulturën, Rininë dhe Sportin e ka falimentuar, duke shuar shumë klube sportive në futboll, basketboll dhe hendboll.
“Tendenca për të përfituar nga fondet e fatkeqësive natyrore vazhdon ende. Edhe pas 100 ditëve mbahet sekret raporti i vlerësimit të vërshimeve, njësoj sikur të fondit të tërmetit të vitit 2002. Përfitimet e ndryshme edhe sot po ndodhin, duke filluar nga bizneset e deri te mijëra nxënës të shkollave të Gjilanit, prej të cilëve pa fije turpi, përfitojnë me dhjetra mijëra euro, po ashtu ata sot janë të rrezikuar nga pasiguria dhe shëndeti”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, gjatë këtij viti kemi zvogëlim të donatorëve të komunës së Gjilanit, nga mos gatishmëria e institucioneve komunale për një bashkëpunim serioz dhe të përkushtuar. Investimet e granteve të Komisionit Evropian po rrezikohen të humbin, projektet e realizuar nuk po mund të menaxhohen, si dhe shumë çështje të tjera, që përmes treguesve të ndryshëm ekonomik, paralajmërojnë një kolaps të pandalshëm ekonomik për Gjilanin.
“Vërtet mund të quhet si “Uragani i sekserëve nën emrin LDK nuk ka të ndalur”, sepse me sukses të madh po i realizojnë interesat e tyre krejt në dëm të qytetarëve të Gjilanit, nga individë që aktualisht thirren në emër të partisë në pushtet, ndërsa deri dje qarkullonin nëpër subjekte tjera politike. Por kur është interesi i tyre, i gjeni kudo dhe kurdo”, ka thënë Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së. /2L ONLINE/