(2L ONLINE) – Riad Rashitit, anëtar i KK Gjilan nga radhët e PDK-së, nuk i ka munguar ironia kur ka adresuar kritika në adresë të qeverisjes aktuale me Gjilani, përkatësisht në adresë e të parit të komunës Lutfi Haziri.
Ai duke futur shprehjen “të arritura” në thonjëza “lavdëron” Hazirin për ndryshimet në Gjilan ndërsa ironikisht i quan tejet të suksesshme edhe vizitat e Hazirit jashtë vendit , duke i quajtur ato vizita turistike, që i ka bërë si kryetar komune nëpër shtete të ndryshme evropiane.
“Me këtë angazhim të tij si kryetar komune, ai i ka bindur qytetarët e Gjilanit se edhe ata duhet të shkojnë jashtë vendit, të ikin sa ma larg por jo për turizëm, por për të jetuar në vendet tjera, atje ku ka shpresë, siguri dhe besim. Sepse sidomos qytetarëve të Gjilanit i ka humbur edhe kjo, janë zhgënjyer keq edhe me shpresën e fundit që kishin ata, kanë humbur edhe besimin e fundit që i dhanë një “lideri” i cili trumbetonte se do t’ia kthej atyre dinjitetin dhe rrugën e zhvillimit dhe perspektivës”, shprehet tutje Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, është bërë e trishtueshme gjendja e qytetarëve, në veçanti e Gjilanasve, të cilët nuk duan asnjë natë më tutje të jetojnë në shtëpitë e tyre. Të vetëdijshëm që këtë gjendje nuk e ka krijuar vetëm një kryetar komune, apo kjo qeveri e posa krijuar në nivel vendi. Por shtrohet pyetja pse mu tani qytetarët e kanë humbur plotësisht besimin në këtë udhëheqje të vendit dhe të komunës.
“Me ironi po shprehem, se kjo qeverisje e jashtëzakonshme po e realizon me dinamikën më të shpejt realizimin e premtimit të vetëm të Lutfi Hazirit dhe të Isa Mustafës, për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zvogëlimin e numrit të papunësuarve. Por nuk e paskemi ditur se fjala ka qenë që në këtë formë të bie numri i kërkuesve për një vend pune. Po ashtu edhe investimet kapitale në Gjilan janë “Multi Milionëshe” (“MM”), së paku kështu po bëhen sfilita nga Lutfi Haziri, i cili disa herë na ka treguar se qytetarëve të Gjilanit iu është kthyer kujdesi i qeverisë së Isa Mustafës dhe deri më tani po shohim që i vetmi rezultat i arritur është kujdesi që po bëhet për të siguruar sa më shumë autobusë, për ti larguar qytetarët e komunës nga shtëpitë e tyre dhe nxënësit nga bankat shkollore, drejt Serbisë për në Hungari dhe vende tjera perëndimore”, thotë Rashiti.
AI shtoi tutje se mbyllja e shkollave në Gjilan ka filluar me planifikim institucional nga qeverisja Haziri. Nga paaftësia drejtuese e arsimit, janë pajtuar që shkolla profesionale e Agrokulturës të mbyllet edhe pse aty janë investuar mbi një milion euro. Gjatë këtij viti fatkeqësia po rritet sepse me këtë ritëm të largimit të qytetarëve, do të kemi mbi një mijë nxënës më pak nëpër shkollat e Gjilanit. Si pasojë do të ketë edhe humbje të vendeve të punës për mësimdhënësit.
Rashiti tha edhe se shumë ministra dhe kryeministri Isa Mustafa kanë vizituar Gjilanin me ftesën e kryetarit, por asnjë të mirë nuk i kanë sjellë qytetarëve të Gjilanit dhe Anamoravës. Sepse politika udhëheqëse e këtij kryetari të komunës është vënë në shërbim të plotë të klanit mafioz të Kosovës, që kanë për qëllim realizimin e interesave të tyre në rajonin e Gjilanit, përmes privatizimit dhe bizneseve të dyshimta.
Po të ishte e kundërta e kësaj, shton tutje Rashiti, së paku nuk do të ishin bllokuar ato pak projekte që ishin në realizim e sipër, sikurse projekti i lumit Mirusha, projektet e PPP, projektet e donatorëve. Ndërsa në anën tjetër ka zhvillim të hovshëm në sektorin e ndërtimeve pa leje, sepse aty po bëhet shpëlarja e milionave eurove.
Dhe, sipas tij, për këtë nuk ka asnjë pengesë ligjore, sepse të gjitha institucionet komunale të cilat deri më tani nuk ishin të kapura nga mafia, sot ato janë të kapura nga klani i korruptuar i këtij kryetari.
“Mos reagimi i institucioneve përgjegjëse ndaj kësaj gjendje të jashtëzakonshme në Gjilan, tregon mosgatishmëri për të luftuar korrupsionin dhe të keqen që e ka kapluar komunën, ose më e keqja mund të jetë edhe bashkëpunim ndër institucional në këtë drejtim, për të realizuar ambiciet dhe planet e bizneseve të pushtetarëve aktual. Po del që nuk është Gjilani i Gjilanasve, por i matrapazëve”, ka thënë Riad Rashiti, anëtar i KK Gjilan nga radhët e PDK-së. /2L ONLINE/