(2L ONLINE) – Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, është i angazhuar maksimalisht në mbrojtjen e parasë publike të buxhetit komunal, nga keqpërdorimet e vazhdueshme të cilat po bëhen nga qeverisja e LDK-së dhe e Lutfi Hazirit, duke i shfrytëzuar të gjitha institucionet e komunale, e ku fatkeqësisht ka arritur të keqpërdorë edhe vendimet e Kuvendit Komunal të Gjilanit.
Kështu ka thënë Riad Rashiti, këshilltar politik I PDK-së sipas të cilit tri lëndë që I kishin dërguar në prokurorinë themelore të Gjilanit, për tu hetuar keqpërdorimet me tenderët e komunës, tashmë nga njësia për krime ekonomike kanë nisur hetimet. Sipas tij hetimet kanë nisur ndaj zyrtarëve komunal, por edhe ndaj vet kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri për të cilin PDK e konsideron se është përgjegjësi kryesor për shpenzimin e buxhetit komunal.
“Ndërsa për prokurorinë themelore, ne si grup i Këshilltarëve Komunal të PDK-së, kemi përgatitur edhe një dosje tjetër, për të cilën më datë 29 korrik 2014, do ta dorëzojmë në prokurori dhe do të kërkojmë zyrtarisht fillimin e hetimeve ndaj përgjegjësve kryesorë të këtij rasti, e që për ne është i pari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri. E kjo dosje ka të bëjë me ankandin publik, për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike, të destinuar për parkingjet komunale”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, për këtë ankand publik për parkingjet komunale, nuk janë zhvilluar procedurat ligjore sipas kushteve dhe kritereve të cilat i përcakton ligji për dhënien në shfrytëzim të pronës publike. Ky ankand i jashtëligjshëm dhe jotransparent, ka rrjedhur edhe si pasojë e një vendimi të Kuvendit Komunal, i cili është miratuar me shumë anashkalime ligjore. Fatkeqësisht ekzekutivi i komunës së Gjilanit, po arrin që edhe shumë propozime tjera të rëndësishme, në mënyrë të mjegulluara ti kalojë nëpër seancat e Kuvendit Komunal. Ka disa propozime të cilat janë votuar nga Këshilltarët komunal të koalicionit, pa e ditur fare se për çfarë po votojnë, por vetëm kanë ngritur duart lart, dhe kjo gjë është vërtet shqetësuese dhe alarmuese.
“Komuna e Gjilanit nuk ka qenë transparente gjatë realizimit të aktiviteteve të prokurimit për këtë ankand publik. Nuk është bërë shpallja e ankandit publik ashtu siç është e përcaktuar në ligjin e dhënies në shfrytëzim të pronës publike, nuk ka përcaktuar kriteret e qarta të tenderimit, nuk ka miratuar çmimin fillestar të dhënies në shfrytëzim të parkingjeve dhe ka dhënë kontratë me çmim jashtëzakonisht të ulët për vetëm 51 mijë euro për të gjitha hapësirat e dhëna për parkingjet e komunës”, ka thënë tutje Rashiti.
Sipas tij, keqpërdorimet e këtij ankandi kanë filluar qysh tani, ende pa u nënshkruar kontrata në mes komunës së Gjilanit dhe operatorit ekonomik “BEZI” të cilës i është dhënë tenderi i këtij ankandi publik. Dhe i cili vendim për dhënien të tenderit fare nuk është bërë publikimi i cili kërkohet të bëhet sipas ligjit.
“Nga data 20 korrik, kjo kompani ka filluar të inkasojë mjete në formë të jashtëligjshme nga qytetarët e Gjilanit, sepse ende nuk ka kontratë të nënshkruar me komunën e Gjilanit. Ka vendosur reklama me firmën e saj në vendparkingjet e komunës, ka vendosur punëtorët me uniformë, mirëpo pas reagimit tonë si opozitë, tani janë punëtorët duke punuar pa uniformë të kompanisë përfituese. Inkasojnë para nga qytetarët me tiketë të firmës BEZI dhe pa arkë fiskale. Krejt këto tregojnë dhe dëshmojnë shkeljet e shumta procedural dhe ligjore të komunës së Gjilanit, e cila ia ka dorëzuar dhe dhënë në shfrytëzim pronën publike kësaj kompanie, ende pa u nënshkruar kontrata me kompaninë përfituese”, ka thëmë Rashiti.
Ai tha se PDk ka vendosur që edhe këtë rast ta dërgon në prokurorinë themelore, për të filluar hetimet. “Krejt këtë po e bëjmë me qëllim të ri-kthimit të ligjshmërisë në institucionet e komunës së Gjilanit, ndalimin e keqpërdorimeve të cilat po ndodhin me tenderët e komunës së Gjilanit dhe për parandalimin e shkeljeve procedural dhe ligjore, të cilat nuk kanë të ndalur për çdo ditë nga qeverisja komunale e LDK-së dhe e kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Hazirit”, ka thënë Riad Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, Kryetari i Komunës së Gjilanit, ka deklaruar se komuna e Gjilanit është përgatitur për të pritur sa më mire bashkatdhetarët që vijnë nga diaspora për pushime, ndërsa në anën tjetër ata po plaçkiten me lejen e Lutfi Hazirit, sepse po lejon që ata të detyrohen të paguajnë vendparkimin në formë joligjore kudo nëpër qytetin e Gjilanit.
“Ne si grup i Këshilltarëve Komunal i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Gjilanit, që mos të paguajnë asnjë cent për parking të automjeteve të tyre në pronën komunale, sepse kjo është plaçkitje që ju bëhet juve. Ju nuk duhet të paguani fare deri sa të nënshkruhet kontrata ligjore në mes të komunës me kompaninë përfituese të këtij ankandi, të cilin e konsiderojmë se edhe ashtu është plotësisht i jashtëligjshëm dhe jotransparent”, thotë Rashiti. /2L ONLINE/