/2L ONLINE/ – “Vendimi i Gjykatës Themelore në Gjilan për të hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj Lutfi Hazirit, është i padrejtë, i detyruar dhe i ndikuar politikisht, sikurse që ishte edhe vendimi i mëparshëm nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Por ne do ta luftojmë këtë padrejtësi me anë të padisë që do ta bëjmë kundër gjyqtarit Shala”.
Kështu është shprehur Riad Rashiti, nga PDK-ja e Gjilanit, anëtar i kuvendit Komunal, sipas të cilit, i gjithë ky proces ndaj Lutfi Hazirit ka dëshmuar se kemi të bëjmë me një prokurori injorante dhe gjyqësi totalisht të paaftë dhe që janë të zhytur thellë në vendime politike. “Ata duan me çdo kusht që të mbrojnë kryetarin e komunës nga keqpërdorimet të cilat ia ka bërë buxhetit të komunës dhe duan me çdo kusht ti dënojnë ata që denoncojnë hajninë, krimin, keqpërdorimet dhe korrupsionin. Kemi dhjetëra raste kur prokuroria dhe gjykatat nuk veprojnë njësoj dhe heshtin para krimeve”, ka thënë Rashiti.
Sipas itj, auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në raportin e tij profesional, ka konstatuar dhe ka dëshmuar me fakte se Lutfi Haziri e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare dhe e ka dëmtuar buxhetin e komunës në vlerë prej 168 mijë euro. Ekspertët e Prokurorisë Speciale të Kosovës në hetimet e bëra, pa ashtu kanë gjetur dëshmi për këto keqpërdorime që i ka bërë kryetari i Gjilanit. Por miqtë e Lutës që i ka në sistemin e drejtësisë në Gjilan, nuk paskan sy e vesh, ose nuk kanë tru dhe dije, apo ndoshta i kanë krejt por që ata janë të korruptuar.
“Në ditët e sotit, sistemi i drejtësisë kudo në Kosovë është vënë në mbrojtje të hajnisë, krimit dhe korrupsionit, ndërsa në anën tjetër ky sistem i kalbur po i dënon ata të cilët kanë luftuar për vendin e tyre dhe të tjerët që sot po luftojnë për forcimin e shtetit të tyre. Si mund ti besohet kësaj drejtësie sot, kur spiunët, komunistët dhe titistët po e udhëheqin këtë sistem, ata të cilët dënuan popullin e tyre në kohën e okupimit serb. Është edhe më e dhimbshme kur shohim hetues, prokurorë dhe gjyqtarë të rinj, të shkolluar e të edukuar mirë, por që janë vënë edhe ata në shërbim të kësaj klike, që po e dëmton rëndë Kosovën në rrugën e saj shtet formuese”, ka thënë tutje Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, Gjilani është nën kthetrat e krimit ekonomik dhe urbanistik, të cilët kanë mbështetje institucionale nga sistemi i drejtësisë dhe nga qeverisja komunale. Qytetari i Gjilanit e njeh shumë mirë se kush është sot Kryeprokuror në Gjilan, kush është kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan dhe çfarë lidhje interesi kanë me kryetarin e komunës.
“Gjyqtari Afrim Shala është dashur të jetë i vetëdijshëm se përmes vendimeve joprofesionale dhe të padrejta nuk do të mund ta pastrojë figurën e Lutfi Hazirit, sikurse që nuk ka mundur ta bëjë as Prokuroria Themelore e Gjilanit. Dihet që ky proces ende nuk ka marr fund, ai do të vazhdojë deri në demaskimin e plotë të këtyre individëve brenda sistemit të drejtësisë, deri sa e vërteta të dal në shesh dhe deri sa të merren vendimet e drejta. Ne fund ne presim edhe ankesën e Prokurorisë ndaj këtij vendimi të padrejtë dhe politik”, ka përfunduar reagimin e tij Riad Rashiti i PDK-së. /2L ONLINE/