(2L ONLINE) – Pas reagimit të nënkryetarit të komunës Rexhep Kadriut ndaj kritikave të opozitës, përkatësisht Riad Rashitit të PDK-së, ( shih shkrimin Kadriu: Ku mungon knusi, zogjtë bëjnë zhurmë) – ka ardh edhe kundër reagimi i këtij të fundit si më poshtë:
“Kombi shqiptar, përveç pasurive në fusha të ndryshme, ka edhe një parti lidere të Kosovës PDK-në. E cila parti ka një lider vërtet të mrekullueshëm politik të nivelit evropian, ka një lider të luftës dhe çlirimit të Kosovës, ka një lider të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka një lider të shtetndërtimit dhe aktualisht Kosova ka të vetmen parti dhe lider që ka edhe mision të ri për zhvillim ekonomik të vendit”, thotë Rashiti.
Sipas tij, “liderët” tjerë të partive politike të Kosovës, së pari janë larg terminologjisë së të qenit “lider”. Kjo vërtet edhe është një lloj fatkeqësie për vendin tonë, sepse mungon konkurrenca politike, për të përshpejtuar zhvillimin dhe integrimin e Kosovës drejt rrugës Evropiane. Ndërsa të ashtuquajturit lider të partive politike në Kosovë, po e bëjnë të kundërtën e kësaj rruge, duke u mundur të bllokojnë çdo rrugë tjetër, vetëm e vetëm të marrin pushtetin me dhunë dhe me dhunë e kërcënime të udhëheqin pastaj institucionet e vendit, me qëllim të plaçkitjes, korrupsionit dhe reketizmit.
Rashiti ka thënë se “Brucoshit” politik nga Gjilani dhe disa të tjerëve, normalisht që u pengon dhe e kanë të vështirë, ta dëgjojnë zërin e “zogjve” të PDK-së së Gjilanit, të cilët në këtë vit e kanë bërë pranverën më interesante në Gjilan, përveç që praktikantëve, mashtruesve dhe keqpërdoruesve të komunës ua kanë prishur qetësinë në “punën” e tyre publike.
Ai ka thënë se “Zogjtë e PDK-së” janë rritur në frymën e punës institucionale , të respektimit të ligjit, të kontributit të pamohuar për zhvillimin e komunës dhe vendit. Ndërsa “pinokët” janë rritur jashtë realitetit institucional, ata po e bëjnë lojën e dikujt tjetër që është ekspertë për ta. Ai ka arritur të manipulojë shumë procese të rëndësishme, vetëm e vetëm për të ecur personalisht në rrugën e tij politike, e si nuk po mund të manipulojë edhe “argatin” e tij të koalicionit qeverisës.
“Është për keqardhje reagimi dhe pozita e nënkryetarit të komunës së Gjilanit z.Kadriu, që ende nuk e ka të qartë rolin politik të cilin e ka marr ai nga kryetari i tij i koalicionit. Dikur vonë do ta kuptojë, por pastaj “dhentë shkojnë”. Reagimi emocional i Rexhep Kadriut, tregon më së miri pa pjekurinë e tij politike, prandaj po e quajë “Brucosh” politik. Ai asnjëherë ende nuk e ka kuptuar rolin e të qenit në pushtet dhe në opozitë”, thotë Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, Kadriu nuk e ka të qartë se me kërcënime dhe gjuajtje gurësh aspak nuk mund të frikësojë “Zogjtë” e PDK-së, sepse ata janë të kalitur edhe më herët nga gjuajtje të tilla sporadike, kanë kaluar edhe shumë më shumë sfida dhe vështirësi, por sot të lirshëm dhe pa asnjë frikësim fluturojnë nëpër qytetin e mrekullueshëm të Gjilanit. Të cilët në vazhdimësi do të “këndojnë” kur u prishet dhe u rrezikohet qyteti i tyre, nga plaçkitjet, të cilat prapë edhe sot kanë filluar ti bëhen qytetarëve të Gjilanit, duke paguar jashtëligjshëm për parkingjet e komunës.
“Fatkeqësisht ju vazhdoni ende të gënjeni publikisht për borxhet e komunës, ndërsa tashmë i ka “ngrënë” llafet edhe kryetari i juaj dhe drejtori për buxhet dhe financa, që borxhet e komunës janë nën 4 milion euro. Ju edhe sot gënjyet, duke thënë se keni shpenzuar vetëm 290 euro për naftë, ndërsa fare nuk e përmendët që keni marr për shembull edhe 125.40 euro meditje për në Durrës më date 27 shkurt 2014, drejtori i juaj 209 euro meditje po ashtu për Durrës. Nuk i përmendët shpenzimet për dreka zyrtare, të shpenzuara disa edhe në emër të kryetarit të komunës. Nuk përmendët keqpërdorimet tuaja, që jeni duke paguar një shoferë personal dhe një asistent tuajin, me para të gatshme. Kjo është vepër e kundërligjshme zotëri nënkryetar i komunës”, thotë Rashiti.
Ai shton se qeverisja e koalicionit në Gjilan, është në vlugun e keqpërdorimeve dhe shkeljeve ligjore me tenderë dhe ankand publik.” Kryetari i juaj dhe zyrtarët komunal tani veq janë duke u hetuar nga prokuroria themelore e Gjilanit dhe disa janë duke u intervestuar për katër tenderë dhe ankandin e parkingjeve të cilin e kemi dorëzuar për hetime. “Zogjët” e PDK-së kanë filluar të këndojnë herët edhe për mushkonjat e Gjilanit, të cilat në këtë vit janë rritur e bërë sikur “arusha”, prandaj ia keni dhënë tenderin (jaranave të jaranave) në vlerë prej 160 mijë euro dhe ende në këtë vit nuk e keni bërë dezinsektimin e qytetit”, thotë tutje në kundër reagim Rashiti i PDK-së.
Ai vazhdon tutje se “Zogjtë” e PDK-së, i kanë kërkuar publikisht kësaj qeverisjeje që nga fillimi i qeverisjes, se pasi që keni qasje të plotë në tërë dokumentacionin e punës së madhe që e ka bërë qeverisja e PDK-së për gjashtë vite, urdhëroni e kompletoni dosje për në hetuesi.
“Por jo fatkeqësisht kurrë nuk do të mund të gjeni keqpërdorime të bëra në Gjilan. Ndërsa ne, për katër muaj, ua dërguam dëshmitë në prokurori për keqpërdorime të tenderëve e ankandeve, të cilat pa fije turpi po i bëni të gjitha dallaveret hapur, sikurse asgjë nuk ka ndodhur. Për këtë shpejtë do vie koha e llogaridhënies para ligjit, para partisë suaj dhe para qytetarëve të Gjilanit”, thotë Rashiti.
Ndërsa, sipas tij, “Zogjtë” e PDK-së do të vazhdojnë të ju këndojnë juve edhe gjatë dimrit, mos keni merak, sepse do t’ua bëjmë edhe dimrin pranverë vetëm për disponimin tuaj, zëri ynë do të jetë pranë jush kudo, kur ju e kërkoni kuptohet, por me rëndësi ne jemi në shërbim tuajin dhe qytetarëve të Gjilanit”. /2L ONLINE/