(2L ONLINE) – Grupi i Këshilltarëve të PDK-së edhe në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të hapësirave, sipas tyre, të uzurpuara për parkingjet e komunës, nga kompania e cila nuk ka kontratë me komunën e Gjilanit.
Për këtë çështje, ditë më herët ata kanë akuzuar kryetarin e komunës, për shkeljen e procedurave për Ankandin e dhënies në shfrytëzim të hapësirave publike për parkingjet e komunës.
Riad Rashiti këshilltar komunal i PDK-së, në seancën e fundit të Kuvendit i ka kërkuar drejtpërdrejtë kryetarit të komunës Lutfi haziri, i cili ishte prezent në takim, që menjëherë të lirojë hapësirat e uzurpuara, që sigurisht janë bërë me dijen dhe lejen e tij. Dhe kompania e cila nuk ka ende kontratë me komunën, po inkason mjete në mënyrë të jashtëligjshme.
Sipas Rashitit të gjitha procedurat për dhënien e Ankandit Publik për parkingjet janë bërë duke shkelur Ligjin e Prokurimit dhe Ligjin për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike. Siaps tij, ky insistim i PDK-së, ka bërë që nga mesdita e ditës së mërkurë, të lirohen të gjitha parkingjet nga kompania, të cilës i është dhënë tenderi me plotë shkelje ligjore dhe e cila ende nuk ka kontratë të nënshkruar me komunën.
Mirëpo sipas Rashiti, ky veprim i vonuar i kryetarit të komunës së Gjilanit, është dëshmi se edhe ai ka qenë pjesë e këtyre shkeljeve ligjore të bëra gjatë dhënies së këtij ankandi. Sepse, po të ishte ndryshe, ai nuk do të lejonte që para lidhjes së kontratës, kompania të fillonte menaxhimin e këtyre parkingjeve në tërë qytetin e Gjilanit.
“Ndërsa sikur mos ta dinte këtë problem, ai ka mundur që ditën e parë, kur ne si opozitë e kemi ngritur këtë çështje në publik, të reagonte me kohë dhe duke kërkuar përgjegjësi ndaj zyrtarëve komunal të cilët kanë bërë shkeljen e procedurave dhe ligjeve për këtë ankand. Realisht edhe në këtë ankand, kryetari i komunës Haziri, ka vepruar sikurse te tenderi i Dezinsektimit që e ka anuluar. Edhe pse fillimisht kur ne po i ngrisim këto shkelje ligjore të bëra nga komuna e Gjilanit, po akuzohemi si opozitë e cila po shpif ndaj dikujt, por jo ne si PDK nuk e kemi pasur dhe nuk e kemi këtë mentalitet të shpifjes. Pastaj po del, se reagimi i praktikantëve të komunës ka qenë shqetësues nga frika për dallaveret e bëra që sigurisht po qëndrojnë vet ata”, është shprehur Rashiti për 2L ONLINE.
Ai më tutje ka thënë se si Grup i Këshilltarëve Komunal të PDK-së kërkojnë anulimin e tërësishëm të këtij Ankandi Publik për Parkingjet dhe përsëritjen e të gjitha procedurave nga fillimi. Po ashtu duhet vënë para përgjegjësisë të gjithë ata të cilët kanë bërë shkeljet procedural dhe ligjore. Përndryshe e tërë përgjegjësia do të bie mbi vet kryetarin e komunës së Gjilanit.
Rashti ka thënë se është shumë e padrejtë, që komuna e Gjilanit të largojë nga puna dhjetëra punëtorë të cilët kanë punuar me shumë vite nëpër parkingjet e komunës së Gjilanit dhe të jep tenderë dhe ankande duke shkelur të gjitha procedurat dhe ligjet, për interesa të individëve. Kjo është e patolerueshme, sikurse që njësoj ka vepruar edhe me largimin e punëtorëve që për vite të tëra kanë bërë sigurimin e objekteve të komunës, atyre shkollore dhe shëndetësore.
“Lutfi Haziri, për këta gjashtë muaj të qeverisjes së tij, ka larguar nga vendi i punës, më shumë se 100 punëtor, duke përfshirë ata me kontratë të rregullt të punës, që kanë qenë zyrtar komunal , e që ndërkohë kanë pasur poste politike, punëtorët me kontratë në vepër, punëtorët e sigurimit fizik, të parkingjeve etj. Ndërsa, në të njëjtën kohë ka punësuar njerëz pa asnjë kontratë, në zyret e tij, të cilët ende edhe sot punojnë pa kontratë dhe paguhen privatisht nga xhepi”, thotë Rashti.
Sipas tij, aktualisht ka zyrtarë të ndryshëm, asistent, shofer, punëtor të sigurimit fizik etj, të cilët pa asnjë lloj kontrate, kryejnë shërbime për komunën. Këto veprime përpos që janë shkelje të rënda ligjore, janë edhe të rrezikshme, sepse si mundet të kujdeset dhe të ketë qasje në pasurinë e komunës dhe në dokumente zyrtare, persona që nuk kanë marr përgjegjësi me shkrim përmes kontratës valide me komunën e Gjilanit.
“Definitivisht kjo qeverisje, nuk është duke respektuar asnjë normë dhe akt juridik. Dhe kemi të bëjmë me një udhëheqje të institucioneve me persona të papërgjegjshëm, të papërvojë dhe me praktikant të cilët ende nuk janë të ambientuar me punët dhe përgjegjësitë të cilat i rrethojnë ata gjatë angazhimit nëpër vendet e tyre të punës”, thotë në fund të bisedës për 2L ONLINE, Riad Rashiti i PDK-së. /2L ONLINE/