“Mbi 2.5 milion euro të bllokuara si pasojë e mosfunksionimit të punës së Kuvendit Komunal në Gjilan. Papërgjegjësia institucionale e pushtetit të VV-së në Gjilan, inatet politike dhe problemet e jashtëzakonshme të krijuara nga kryetari i komunës, ka bërë që gjithçka të bllokohet në projektet e planifikuara në këtë vit”, thotë Riad Rashiti, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dega në Gjilan.
Sipas tij, qasja destruktive e kryetarit të komunës dhe mospjesëmarrja e tij në seancat e Kuvendit Komunal dhe tendenca e tij për ta fajësuar opozitën për mosmbajtjen e seancave, ka bërë që mbi 2.5 milion euro të bartura nga buxheti i vitit të kaluar, ende nuk janë destinuar për dhjetëra projektet e planifikuara të këtij viti, ndërsa veç po kalon gjysma e vitit kalenderik.
“Manipulimi publik është bërë instrument i qeverisjes së VV-së në Gjilan. Mos transparenca ndaj publikut e ka vlerësuar Gjilanin të fundit prej komunave të Kosovës”, thotë tutje Rashiti.
Sipas tij, PDK kërkon reflektim nga i pari i komunës, që të lërë inatet politike dhe të bashkëpunojë me përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvendin Komunal.
“Qytetarët e Gjilanit nuk janë fajtorë dhe nuk duhet të pësojnë për shkak tekeve tuaja si kryetar komune. Puna ligjore, bashkëpunimi dhe transparenca janë çelësi i ecjes para të projekteve dhe planifikimeve tjera për komunën tonë”, ka thënë i pari i PDK-së, së Gjilanit, Riad Rashiti. /2LONLINE/