(2L ONLINE) – Pas reagimit të Ismail Januzit, Drejtorit të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik të Komunës së Gjilanit, ndaj deklaratës së Riad Rashitit anëtarit të kuvendit komunal nga radhët e PDK-së, ky i fundit kundër përgjigjet me këtë rast thotë se reagimi i drejtorit për zhvillim ekonomik rreth ngritjes së taksave komunale për bizneset, shprehë mentalitetin e krijuar të kësaj qeverisjes komunale, e cila përmes mashtrimeve dhe manipulimeve të vazhdueshme, po tenton të mbulojë dështimet dhe katrahurën e shkaktuar në të gjitha institucionet komunale, në dëm të gjithë qytetarëve të Gjilanit dhe të bizneseve.
Shih shkrimet paraprake:
Rashiti i PDK-së: Kryetari i Komunës manipulon dhe mashtron për çdo ditë qytetarin e Gjilanit
“Të mohosh realitetin, ri-kthimin dhe rritjen e taksave për bizneset nga qeverisja e Lutfi Hazirit, do të thotë që je ose plotësisht i verbër, analfabet, mashtrues, manipulues i sojit të vet ose je vegël e një mekanizmi rrënues. Dhe është për keqardhje që në këtë nivel ka rënë edhe drejtori i zhvillimit ekonomik Ismajl Jonuzi. Bizneset e Gjilanit e dinë më së miri nëse ka ri-kthim dhe rritje të taksave komunale apo jo? Ato nuk mund të mashtrohen dhe të manipulohen me deklaratat e juaja demagogjike. Është mirë që z.Jonuzi të përgjigjet shkurt dhe shqip, a kanë pasur vetëm një euro taksë komunale marketet, minimarketet dhe supermarketet e Gjilanit në vitin 2013, nëse po ju lutemi që të dëshmoni se sa kanë qenë ato taksa?”, thotë Rashiti në kundër reagimin e tij.
Sipas tij, tani ky pushtet në vitin 2015 i keni ri-kthyer këto taksa. Po ashtu edhe për restorantet, bizneset prodhuese, fermat, veprimtaritë shëndetësore dhe të shërbimeve të tjera. Të gjitha këto lloje të bizneseve komunale kanë qenë të liruara plotësisht nga taksat dhe lejet e ndryshme për veprimtaritë e tyre.
‘Me keqardhje, por po më detyroni të ju them, se ju po e gënjeni rëndë tërë opinionin, në vend që të heshtni dhe të pranoni realitetin të cilin e keni krijuar ju, përmes qeverisjes mashtruese nga mentaliteti i Lutfi Hazirit. Bizneseve të Gjilanit si Agmia Center, Drini Market i keni vendosur taksë prej një mijë euro, Geti Market, Andi Market si dhe të gjitha marketeve të Gjilanit që kanë mbi 100m/2 sipërfaqe, qeverisja e juaj ua ri-ktheu taksat komunale për vitin 2015, (sipas nenit 4 të rregullores së miratuar nga KK Gjilan). Të gjitha restoranteve mbi 200m/2 po ashtu ju ia ri-kthyet taksat dhe kategorive të tjera të bizneseve. Sepse ato nuk kishin fare taksë komunale’, thotë tutje Rashiti i PDk-së.
Sipas tij, gjithashtu edhe të gjitha bizneset prodhuese kanë qenë të liruara nga taksat komunale që nga viti 2012, ndërsa ky pushtet tani po i detyron që të paguajnë nga ky vit me nga 500 euro taksë në emër të lejes mjedisore.
Nuk mbahet mend që ndonjëherë një fermer në Gjilan i cili rritë dele mbi 200 copë, të ketë paguar taksë mjedisore në vlerë prej 300 euro, ndërsa tani ata do të paguajnë, ata të cilët mezi kanë krijuar nga një vend pune për të mbajtur familjet e tyre.
Furrat e bukës asnjëherë deri në këtë vit nuk kanë paguar taksë mjedisore në vlerë prej 350 euro, ndërsa nga ky vit ky pushtet i ka vendosur këtë lloj takse.
Qumështoret në Gjilan asnjëherë deri më sot nuk kanë paguar taksë mjedisore në vlerë prej 500 euro, por kjo qeverisje tani po i “stimulon” ato me këtë shumë të palogjikshme. Nuk janë vetëm këto biznese të cilave ju ia ri-kthyet taksën komunale, sepse ka edhe shumë kategori të tjera të bizneseve, e që përfshihen mijëra biznese të Gjilanit.
“Andaj, ju nuk keni të drejtë dhe nuk mund ti cilësoni si të pavërteta, deklaratat tona të cilat paraqesin gjendjen reale qeverisjes së udhëhequr nga mashtruesi Lutfi Haziri. Ne po flasim me fakte dhe argumente konkrete, ndërsa ju po merreni me shpifje, mashtrime dhe manipulime”, thotë Rashiti.
Në këtë rast, bizneset e komunës por edhe qytetarët e Gjilanit, nuk mund ti besojnë reagimeve tuaja, që janë plotësisht manipulim dhe tentim për të fshehur realitetin krijuar po nga ju, i thotë Rashiti, Januzit.
Sipas tij, është jashtëzakonisht e lehtë për të vërtetuar deklaratat e tija dhe të Jonuzit, secili i interesuar mund të informohet saktë, duke krahasuar rregulloren e vitit 2013 dhe të vitit 2015.
‘Në fund, vërtet e kërkojë ndihmën e Ismajl Jonuzit, që publikisht të ma mësojë mua (nëse e din ai) se cili është dallimi në mes të marketeve, super marketeve dhe hipermarketeve. I lutemi që të na ofrojë listën me emra të bizneseve sipas ndarjes së këtyre kategorive, duke përfshirë edhe shitoret ushqimore”, ka thënë në reagimin e tij, Riad Rashiti i PDK-së. /2L ONLINE/