(2L ONLINE) – Reagimi i kryesues së Kuvendit Komunal, po e tregon më së miri nivelin e saj dhe nivelin në çfarë e ka sjellë ajo, të punës së Kuvendit Komunal, që aktualisht është i barabartë sikurse puna e “Zyrës për Gjithçka” të serialit vendor. Sjellja e saj gjatë punës në seancat e Kuvendit Komunal, shprehjet e përdorura, arroganca (të bërtiturat e qartura) dhe mënyra e paraqitjes me deklaratat e saj në publik, i ngjajnë plotësisht aktorëve të këtij seriali vendor.
Kështu është shprehur në reagimin e tij Riad Rashiti anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e PDK-së.
Paraprakisht lexoni: Reagon kryesuesja: PDK-ja dhe Riad Rashiti dezinformojnë publikun
Ja reagimi i plotë i Rashitit të PDK-së:
“Paramendoni që përmes reagimeve individuale nëpër portale, kryesuesja po i paralajmëron anëtarët e KK, se si do të marr masa në seancat e radhës, për ta respektuar rregulloren e Kuvendit Komunal, ndërsa gjatë seancave ne ia kërkojmë të njejtën gjë asaj për ta bërë, por ajo luan-aktron në punimet e seancave sikurse aktorët në këtë serial, sepse nuk bënë asgjë pa i thënë “shefi”, qesharake vërtet.
Normalisht, që angazhimi ynë si opozitë, është bërë pengesë për realizimin e interesave tuaja si kryesuese dhe të klanit mafioz që po instalohet në qytetin e Gjilanit. Ne edhe i vlerësojmë tendencat e pushtetit tuaj, që pas tentimit të joshjes me oferta të ndryshme ndaj opozitës (disa nga anëtarëve të KK), për të na bërë të heshtim para keqpërdorimeve tuaja, jeni shqetësuar duke filluar edhe të humbni kontrollin tuaj. Por ne do të vazhdojmë kështu siç e kemi nisur, monitorimin e punës së kësaj qeverisje të dështuar dhe mbrojtjen e interesit qytetarë. Përndryshe nga ju, që kur ishit në opozitë, ishit bërë servil të pushtetit dhe që jeni përpjekur në vazhdimësi për realizimin e interesave të ngushta personale, sikurse tani që po e bëni të njejtën gjë përmes shfrytëzimit të pozitës suaj.
Ju si kryesuese e KK Gjilan dhe kryetari i komunës, bosët e mafisë së ndërtimeve pa leje në Gjilan, nuk jepni përgjigje asnjëhere për pyetjet dhe shqetësimet tona, të cilat po ua bëjmë zyrtarisht me shkrim, poashtu nuk i përgjigjeni pyetjeve të drejtpërdrejta gjatë seancave (duke ikur tinëzisht nga përballja me argumente dhe fakte), nuk përgjigjeni as publikisht përmes mediumeve. Por bëni reagime qesharake, duke i personalizuar problemet e ngritura e që prekin shumicën e qytetarëve të Gjilanit.
Ne do të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësi nga ana e juaj deri në llogaridhënie për gjendjen e mjerushme, që e keni sjellur komunën e Gjilanit për më pak se një vit. Fillimisht po ju lus që të shfrytëzoni të drejtën tuaj, që për të gjitha shpifjet tona, të drejtoheni në gjykatë për të na paditur neve, si shpifës apo si dezinformator.
Në mungesë të guximit tuaj për tu përballur në Kuvendin Komunal, me faktet dhe argumentet për gjendjen reale të kaosit në qytet, atëherë lutemi që të ju vie guximi që përmes mediumeve, të jepni përgjigje lidhur me këto probleme dhe qështje të cilat ne i kemi ngritur në seancat e Kuvendit Komunal, e ato janë:
1.Ndërtimet pa leje, ku aktualisht janë duke u ndërtuar 55 objekte në qytetin e Gjilanit, pse nuk po pengohen nga qeverisja e juaj, e që në reagimin tuaj thuani se do ta mbrojmë interesin qytetarë dhe do ta respektojmë ligjin, a do të thotë kjo që bëhet fjalë për kohën e ardhshme, se në të tashmen nuk jeni aspak duke vepruar. Duhet të jepni përgjigje, kush ka interesa këtu përveç kryetarit të komunës dhe juve si kryesuese e KK Gjilan?
2.Tenderomania, pse askush nga qeverisja e juaj, nuk jep përgjigje për tenderët e anuluar nga OSHP, ku drejtpërdrejt kryetari i komunës ka futur duart në tenderë të caktuar, nuk po e themi ne si opozitë, por institucioni kompetent e ka konstatuar këtë.
3.Parkingjet komunal, kush nga ju fshihet prapa këtij ankandi?
4.Fondi i vërshimeve prej 1.6 milion euro, pse po mbahet sekret raporti i vlerësimit të komisionit, këtë as anëtarëve të KK Gjilan nuk ua keni sjellur. A mendoni se mund “ta hani” këtë fond, sikur fondin e tërmetit?
5.Eskursioni i nxënësve, pse ju vet personalisht i keni futur duart si kryesuese (eksitojnë dëshmitë) për të imponuar kompaninë nga Prizreni për të dërguar në eskursion nxënësit me çmim më të shtrenjtë? Përgjigjuni.
Duhet të jepet llogari, pse nuk po u kthehen mbi 25 mijë euro, të qindra nxënësve nga 35 euro (afërsisht), për qëndrimin për tri ditë më pak se sa kanë paguar për qëndrimin e tyre në Durrës.
6.Uji i papijshëm, nëpër të gjitha shkollat e zonës rurale analizat e ujit kanë konstatuar se uji është i papijshëm dhe askush nga ju nuk jep përgjigje dhe përgjegjësi, për këtë gjendje të rrezikut të lartë që kanë mijëra nxënës të shkolla nga përdorimi i ujit. Analizat e ujit nuk i kemi bërë ne si opozitë, por Instituti përkatës.
7.Dhuna, nëpër të gjitha instucionet e komunës, po ushtrohet presion, kërcënime dhe dhunë deri në rrahje, pse nuk keni përgjigje për këto?
8.Keqpërdorimet dhe keqmenaxhimi, ku edhe ndaj pacientëve në dializë nuk keni “rahmet” por i malltretoni ata edhe pse janë shpenzuar 32 mijë euro për blerjen e kombit, ndërsa as një ditë nuk është shfrytëzuar për këta pacientë.
Ka edhe shumë problem të tjera, për të cilat duhet të turpëroheni kur flisni për qeverisjen dhe në emër të qeverisjes komunale, por ka edhe të tillë, që janë të paturpshëm.
Na vjen keq, që ju institucionin më të lartë të komunës, Kuvendin Komunal e keni sjellur në nivelit tuaj personal, kjo është degradim total që nuk ka qenë asnjëherë më parë.
Por sigurisht që ne besojmë, se qytetarët e Gjilanit, juve dhe neve më së miri na vlerësojnë për punën tonë në të kaluarën edhe për veprimet e juaja të tanishme, sepse ne nuk mund ta vlerësojmë njëri tjetrin për arsye të subjektivitetit.
Riad Rashiti, anëtar i KK Gjilan
P.S.
Duke mos dashur asnjëherë të personalizoj debatin, por edhe duke mos lejuar të pavërtetat, më duhet shkurtimisht ti përgjigjem kryesuese, për disa çështje. Pastërtia morale e juaja, do të shihet dhe vlerësohet gjatë mandatit tuaj, nga qytetarët dhe ata që të njohin juve, ndërsa njësoj edhe për mua e kolegët tanë këshilltarë. Më vjen keq të shprehem, me fjalët që meritoni (e sidomos që jeni një gru dhe nënë), andaj edhe jeni duke e shfrytëzuar këtë formë të debatit publik.
Ne nuk merremi me përfitime, gënjeshtra dhe mashtrime. Po më detyroni të dal nga vetvetja ime. Para se të vazhdosh tutje debatin me mua, së pari të lutem që kur të flitesh për mua dhe për qeverisjen e PDK-së, dil me fakte para publikut, sepse unë përndryshe, tani e tutje do ta bëjë këtë në debatet me ju.
Duke filluar për kepërdorimet e juaja të eskursionit, ndërhyrjet tuaja nëpër shkollat e Gjilanit (që aspak nuk keni të drejtë), regjistrimin me dallavere (transferin nga kolegji privat në një shkollë të Gjilanit edhe pse nxënësi e ka humbur vitin) si dhe për shumë keqpërdorime tuaja personale deri te interesat tuaja të ndërtimeve pa leje që po ndodhin para syve dhe përkujdesjen tuaj dhe të kryetarit të komunës. Por të jeni të bindur se do të jepni llogari të ju të dy dhe të tjerët që janë përgjegjës për këtë problem.