(2L ONLINE) – Festat e fundvitit kanë ngjallur aktivitetet e kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili po përfundon këtë vit, duke u marr me vizita turistike dhe private nëpër shtete të ndryshme të Evropës dhe më larg, por të cilat asgjë nuk kanë të bëjnë me komunën të cilën është duke e udhëhequr ai.
Kështu shprehet Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDk-së, sipas të cilit, Gjilani është me “fat” që ka një kryetar të vetmin në Kosovë, i cili me korrespondencë po e qeverisë komunën, mirëpo shpenzimet e buxhetit komunal është duke i bërë sikurse një kryetar i rregullt i një komune.
“Është “mirë” që Lutfi Haziri po e ka mundësinë financiare të shijojë festat (Krishtlindjet) nëpër qendrat kryesore të Evropës edhe pse mijëra qytetarë të Gjilanit po ikin maleve të Serbisë dhe Hungarisë, e të cilët pastaj po vuajnë nëpër kampet e mjerueshme të disa shteteve evropiane. Kjo vërtet deri më tani i ka munguar qytetit të Gjilanit, liria dhe kënaqësia e pakufizuar e kryetarit të komunës, i cili edhe pse me korrespondencë, ai me efikasitet po i orienton qytetarët e komunës që të marrin rrugën e kurbetit me një çmim shumë të volitshëm, bile edhe më pak se sa biletat kthyese të Lutfi Hazirit, i cili aktualisht është duke i festuar Krishtlindje në shtetin e Anglisë”, thotë Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, qytetarët e Gjilanit duhet të ndihen “krenar” me kryetarin e tyre të komunës që, siç thotë Rashiti “nuk është i yni, por që “është” i Kosovës dhe bile-bile i rrugëve të Evropës. Vetëm kështu le të vazhdojë kryetari me korrespondencë, sepse ne qytetarët jemi ende të fortë dhe të qëndrueshëm, gëzuar Krishtlindjet z.Kryetar”. /2L ONLINE/