(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit, ishte komuna e parë në Kosovë e cila që nga viti 2013, i kishte liruar të gjitha bizneset nga taksat komunale, duke përfshirë ato prodhuese, tregtare, shërbyese si dhe në të gjithë sektorët tjerë ekonomik. Mirëpo nga tani, ato taksa i ri-ktheu kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri përmes vendimit të Kuvendit Komunal, i cili e miratoi rregulloren për taksa komunale për vitin 2015, duke ngarkuar të gjitha bizneset e vogla, mesme dhe të mëdha, duke përfshirë edhe ndërmarrjet prodhues, bujqësore, hoteliere, shërbyese dhe të gjitha llojet tjera, thotë Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së.
Rashti thotë se sipas kësaj rregullore të miratuar me vetëm 37% të votave, apo 13 vota nga 35 anëtarë që ka Kuvendi Komunal, (pa shumicën e anëtarëve të KK) qeverisja e Lutfi Hazirit ka rikthyer këto lloje të taksave komunale për bizneset e Gjilanit, duke filluar nga të gjitha Marketet e vogla prej 100 euro deri në 500 euro, Hipermarketet me nga 1 mijë euro, të gjitha restorantet me nga 300 deri në 500 euro, Hotelet dhe Motelet me nga 400-500 euro, të gjitha pompat e benzinës me nga 300-500 euro, të gjitha shërbimet mjekësore private prej 200-300 euro, shërbimet e ndryshme profesionale prej 200 euro si dhe disa kategori të tjera, të cilat nuk dy vitet e fundit kanë pasur zero euro taksë komunale.
Ai thotë se po ashtu është vendosur taksë të re komunale për të gjitha bizneset, në emër të lejes mjedisore, me tarifa jashtëzakonisht të larta dhe të papërballueshme sidomos për bizneset e reja dhe vogla por edhe për ato bujqësore. Në vend që të stimulohen bizneset prodhuese ato tani janë ngarkuar me taksa të cilat edhe do të rrezikojnë një numër të konsiderueshëm të atyre bizneseve, të cilat edhe ashtu mezi kanë mbijetuar gjatë viteve të fundit në Gjilan.
Rashiti i PDK-së thotë se në grupin e parë të bizneseve prodhuese të cilat do të paguajnë taksë prej 500 euro, janë këto lloje; Fabrikat për përpunimin e drurit, mobilierive, për ambalazhimin e ujit natyral, mineral, fabrikat për prodhimin e lëngjeve të frutave dhe pijeve tjera, qumështoret, fabrikat për përpunimin e vajrave bimore, prodhimin e gëlqeres, prodhimin e betonit dhe elementeve të saj, si dhe kategoritë tjera që kanë të bëjnë me prodhimin e produkteve konsumuese.
Në grupin e dytë të bizneseve të cilat do të paguajnë nga 350 euro taksë mjedisore komunale, janë këto lloje; të gjitha furrat për prodhimin e bukës dhe produkteve të miellit, thertoret, fabrikat për përpunimin e pemëve dhe perimeve, përpunimin e mermerit, ndërtuesit e shtëpive mbi 1mijë/2, pikat e shitjes së gazit si dhe kategori tjera të bizneseve.
Grupi i tretë i bizneseve që do të paguajnë nga 300 euro taksë komunale janë këto lloje; ndërmarrjet që rrisin shpezë dhe bagëti të tjera të imëta, si shpend, derra, gjedhë etj., sharrimi i lëndës drunore, pikat e magazinimit dhe tregtimit të materialeve të ndërtimit.
Grupi katërt dhe i pestë të cilat biznese janë të detyruara të paguajnë taksë komunale prej 100-200 euro janë; të gjitha qebaptoret dhe gjellëtoret, autolarjet, autoserviset, tregjet urbane dhe disa lloje të ngjashme të bizneseve.
Rashiti thotë se duhet të kujtojmë kohën e fushatës së zgjedhjeve komunale, kur Lutfi Haziri vizitonte bizneset e Gjilanit edhe u premtonte se do ti lirojë dhe do të ua heq të gjitha taksat komunale edhe pse ato fare nuk kishin taksa, sepse komuna e Gjilanit ua kishte hequr plotësisht të gjitha taksat komunale, mirëpo qysh atëherë ai ka treguar se aspak nuk ishte i informuar për komunën e tij.
“Pra ky është Lutfi Haziri i cili manipulon dhe mashtron për çdo ditë qytetarin e Gjilanit. Ai ka premtuar shumëçka dhe nuk ka realizuar asgjë, përpos që ka bërë të kundërtën e saj. Ndërsa sot ai ende po vazhdon të mashtroj opinionin, se tani Gjilanit iu është kthyer kujdesi i qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa në anën tjetër ai po ngarkon dhe rëndon jetën e çdo kategorie të qytetarëve të komunës, duke i taksuar me shuma të pa përballueshme dhe duke ia vështirësuar mbijetesën mijëra bizneseve dhe duke rrezikuar mijëra të punësuar në sektorin privat”, ka përfunduar reagimi ne tij n ëemër të PDk-së Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit. /2L ONLINE/