Nga: Riad RASHITI
(2L ONLINE) – Miratimi i buxhetit nga Kuvendi i Kosovës për vitin 2015, nuk ka sjellë asnjë ndryshim pozitiv për komunën e Gjilanit edhe pse kryetari i komunës Lutfi Haziri, ka deklaruar se është bërë një thyerje buxhetore me rritje prej 4.2 milion euro për buxhetin komunal. Kjo nuk është aspak e vërtet dhe është një papërgjegjësi dhe mashtrim që iu bë të gjithë anëtarëve të Kuvendit Komunal, në seancën e fundvitit gjatë raportimit për punën një vjeçare të kryetarit të komunës, poashtu është një mashtrim i madh që po i bëhet edhe 90 mijë qytetarëve të komunës së Gjilanit dhe banorëve të rajonit të Anamoravës, të cilët po manipulohen përmes deklaratave të pavërteta.
Grantet e qeverisë së re të Republikës së Kosovës për buxhetin komunal të Gjilanit, për investime kapitale janë zvogëluar në këtë vit për 1milion e 838 mijë e 669 euro, në krahasim me vitin 2014 që në total ishin 3,069,746 euro, ndërsa për vitin 2015 Gjilanit i janë ndarë grante nga qeveria e Kosovës për investime kapitale, vetëm 1,231,077 euro. Kjo edhe mund të quhet thyerje buxhetore, por në aspektin negativ sepse nuk kemi rritje pozitive të buxhetit komunal por kemi zvogëlim për 60% në këtë kategori buxhetore.
Ndërsa komunat tjera që janë më të vogla se Gjilani, vazhdojnë ende të rrisin dhe të marrin edhe më shumë grante nga Qeveria e Kosovës deri në 400%, p.sh. Gjilanit i janë ndarë vetëm 1.2 milion euro, ndërsa Gllogocit 2.5 milion, Rahovecit 2.8 milion, Suharekës 3.2 milion, Malishevës 3 milion, Graçanicës, Istogut dhe Klinës me nga 1.5 milion, Lipjanit 1.9 milion, Podujevës 4.5 milion, Dragashit 1.8 milion, Vitisë 1.7 milion, Prizrenit 11 milion, Pejës 3.5 milion, Ferizajit 6.4 milion, Skenderajit 2.4 milion, Vushtrrisë 2.6 milion,. Pra Gjilani është barazuar me Leposaviqin që i janë ndarë rreth 1.2 milion euro grante për investime kapitale.
Sipas kësaj analize të buxhetit për vitin 2015, shihet se kryetarët e komunave të tjera (Viti, Ferizaj, Podujevë, Istog, Pejë) që vijnë nga radhët e LDK-së kanë arritur të përfitojnë shumë më shumë grante nga buxheti i Kosovës, se sa kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili gjatë tërë vitit të kaluar, por edhe sot ende vazhdon ta mashtroj opinionin dhe qytetarin e Gjilanit, me milionat e tij për të cilat deklarohet sikur me i pas në bahçe të babës, e që në realitet askund nuk janë ato miliona për investime.
Dihet mirë që komuna e Gjilanit ka më së shumti nevojë për përkrahje buxhetore nga qeveria e Republikë së Kosovës, ka shumë projekte të hartuara dhe planifikuara që nga viti 2009 e këndej, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e gjendjes ekonomike lokale dhe ngritjes së mirëqenies ekonomike-sociale për qytetarët e komunës dhe rajonit.
Me këtë qasje të kryetarit të komunës, Gjilani do të vazhdojë të jetë edhe për shumë vite oaza e Kosovës, pa trajtim serioz dhe meritor nga ana e qeverisë së Kosovës. Por sigurisht se do të ketë shumë premtime ende, por që kurrë nuk do të bëhen realitet. /2L ONLINE/
Autori është anëtar i KK Gjilan nga radhët e PDK-së