(2L ONLINE) – Këshilltarët Komunal të PDK-së e vlerësojnë të parealizueshme Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB), të hartuar nga komuna e Gjilanit për arsye se nuk janë analizuar aspak faktorët dhe mundësitë reale për një rritje prej 5 milion euro për të hyrat buxhetore sipas kësaj kornize, ndërsa ka rritje enorme të planifikimi për shpenzime të përgjithshme, ku nga 16,319,787.00 euro në vitin 2014 kanë rritur planifikimin e shpenzimeve në 20,732,079.00 euro, pra ka 4,4 milion euro më shumë se sa e ka të planifikuar aktualisht buxheti komunal. Me këto politika buxhetore Gjilani nuk mund të ketë aspak zhvillime në asnjë aspekt.
Kështu shprehet Riad Rashiti i PDK-së, sipas të cilit përmbajta dhe synimet e KAB-it janë krejtësisht në kundërshtim edhe me politikat zhvillimore në të cilat është thirrur në vazhdimësi qeverisja lokale në Gjilan.
Ai thotë se kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, në vazhdimësi ka deklaruar se do të ketë ulje të taksave dhe tatimit në pronë, zvogëlim të buxhetit për shpenzime dhe subvencionime, zvogëlim të buxhetit për mallra dhe shërbime, po ashtu ka theksuar disa herë edhe zvogëlim të buxhetit për paga dhe meditje. Ndërsa në praktikë, ai po e bënë krejt të kundërtën prej asaj çka ka thënë më herët, sepse sipas kësaj kornize buxhetore, ai ka planifikuar që për vitet e ardhshme 2015-2017, të ketë rritje të konsiderueshme të buxhetit për paga dhe meditje, me një rritje prej 20.1% , ku në vitin 2014 buxheti është 11,6 milion euro, ndërsa prej vitit 2015 ka planifikuar të ketë shpenzime në 14,5 milion euro, apo 2,9 milion euro më shumë shpenzime për paga dhe meditje.
“Për mallra dhe shërbime ka planifikuar të ketë rritje të shpenzimeve për 443 mijë euro më shumë, për shpenzime komunale 80 mijë euro më shumë, për rritje të subvencioneve 947 mijë euro apo 300% më shumë se një vit paraprak. Po ashtu sa i përket synimeve për të rritur buxhetin e komunës për 5 milion euro është plotësisht e pamundur, sepse nuk janë bazuar së asnjë burim të qëndrueshëm financiar dhe nuk janë analizuar aspak indikatorët dhe treguesit ekonomik. Ku realisht me këtë ritëm të inkasimit në buxhetin komunal, vetëm në këtë vit pritet të ketë rënie drastike nga të hyrat vetanake për rreth 1 milion euro, si pasojë e mosefikasitetit të punës së institucioneve lokale”, thotë Rashiti.
Sipas tij, me këtë Kornizë Afatmesme Buxhetore, kur kemi një rritje të pabazuar të planifikimit buxhetor dhe kur kemi një rritje enorme të planifikimit për shpenzime, atëherë pritet që në Gjilan nuk do të ketë asnjë zhvillim pozitiv në vitet e ardhshme dhe nuk mundet që me këto politika buxhetore të kemi rritje ekonomike, nuk do të ketë mundësi për investime kapitale në infrastrukturë dhe nuk do të kemi shërbime të mira për qytetarët e Gjilanit, por do ketë kthim prapa të gjendjes në komunë.
“Në listën e projekteve të planifikuara sipas KAB-it, në komunën e Gjilanit nuk është planifikuar asnjë projekt i vetëm lidhur me zhvillimin ekonomik, kjo është definitivisht një qasje me pasoja serioze dhe me efekte negative për rritjen e nivelit të punësimit dhe të askpekteve tjera ekonomike dhe zhvillimore” thotë tutje Rashiti i PDK-së..
Sipas tij, te tatimi në pronë po ashtu kemi rritje të buxhetit të planifikuar edhe pse është zotuar kryetari se do të ketë ulje të bazës tatimore, e sikur të pritet të ndodhte kjo atëherë nuk ka mundësi që të ketë edhe rritje të planifikimit buxhetor nga kjo e hyrë financiare. Këto dyja nuk ka teori të shkojnë së bashku.
“Për të dëshmuar se kjo kornizë është totalisht jashtë mundësive reale për tu realizuar nga komuna, shihet se janë rritur të hyrat e planifikuara nga dënimet në komunikacion prej 150 mijë euro, në 340 mijë euro, pra kemi një rritje të planifikuar plotësisht paushalle, sepse një rritje prej 190 mijë euro nuk është e mundshme të ndodhë përpos nëse kryetari i komunës ka menduar se mund të krijojë ndonjë polici tjetër komunale, për të dyfishuar dënimet e qytetarëve në komunikacion dhe për të inkasuar sa më shumë mjete financiare”, thotë Rashiti.
Ai tha se këto lëvizje të planifikuara buxhetore tregojnë se nuk ka asnjë mundësi reale për të rritur të hyrat buxhetore ndërsa ka shumë mundësi për ti rritur shpenzimet komunale, sepse ato veç kanë filluar që të rriten që në gjashtë mujorin e parë të kësaj qeverisje.
‘Janë vërtet shumë shqetësuese të gjitha veprimet që po bënë aktualisht komuna e Gjilanit në çdo aspekt qeverisës”, shprehet në fund Riad Rashitit këshilltar komunal i PDK-së n asamblenë komunale të Gjilanit . /2L ONLINE/