/Fjala e Riad Rashitit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në seancën solemne të organizuar nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, në nderim të 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së/
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar invalidë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar partnerë të organizatave ndërkombëtare e vendore,
Të respektuar pjesëmarrës,
Të dashur qytetarë,
Zonja dhe zotërinj
Të shkruash e të flasësh për 5 marsin, është aq e vështirë, jo për nga prezantimi e paraqitja e kësaj date, por për nga mënyra e predestinuar që përherë të shtoj më shumë, ose të heq pak, ose ta them ndryshe.
Ne Shqiptarët, kemi shumë data të veçanta historike të cilat i shënojmë përherë, por për disa kemi më shumë emocione, dhe kjo është e natyrshme sepse kemi pasur fatin t’i përjetojmë. E një histori e përjetuar, nuk harrohet, vlerësohet, begatohet e trashëgohet e tillë siç ka qenë, pa ndryshuar asgjë. Të jetosh në epokën e kolosëve të lirisë si; Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani, Abdullah Tahiri, Hanumshahe Abdullahu, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Luan Haradinaj, Bekim Berisha, e shumë e shumë heronjë të tjerë, është nder, por edhe obligim, sepse duhet pasojmë idealet e tyre për ta ruajtur vendin tonë me çdo çmim.
Uniteti i familjes Jashari, ishte dhe është treguesi më i mirë, që vetëm së bashku arrihen qëllimet e mëdha, dhe sakrifica e tyre nuk mund të shpjegohet e as kuptohet as përmes veprës më të bukur të artit, as ndonjë kënge, poezie a tregimi.
Nuk mund të ketë mirënjohje, falënderim, përkulje që të tregojmë se si sot e 25 vite më parë, familja Jashari dha vulën e lirisë.
Historia e popullit tonë na mëson që asgjë nuk fillon nga asgjëja, por çdo kryengritje për liri e pavarësi ka zanafillën e saj të hershme, e të brumosor në shpirtin tonë kolektiv të trashëguar nga paraardhësit, udhëheqësit e luftëtarët tanë ndër shekuj.
Me 5 Mars filloi ringjallja e shpresës për një popull të tërë, e dëshmorët ranë për të mos vdekur kurrë, për të mbetur përherë të lartësuar e uruar, ku përmes emrave të tyre ne sot definojmë dashurinë për atdheun.
Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Republikës sonë! /2LONLINE/