(2L ONLINE) – Praktikat e muajve të fundit të ekzekutivit dhe legjislativit në komunën e Gjilanit, lidhur me aktivitetet e prokurimit janë bërë jashtëzakonisht shqetësuese, ku përveç shkeljeve të ligjit të prokurimit tani kemi të bëjmë edhe me shkeljen e ligjit për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale.
Kështu është shprehur Riad Rashiti, këshilltar komunal I PDK-së, sipas të cilit edhe Ankandi publik i realizuar nga komuna e Gjilanit, për dhënien e pronës publike në shfrytëzim për parkingjet, është bërë jashtëligjshëm nga komisioni i themeluar nga Kuvendi Komunal dhe nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, poashtu nga zyra e prokurimit dhe komisioni nuk janë respektuar procedurat sipas ligjit të prokurimit publik për këtë ankand të parkingjeve.
Ai tha se sipas ligjit nr.04/L-144 për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme, komuna është përgjegjës dhe kujdeset për: njoftimin publik për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim, njoftimi me shkrim duhet të postohet në web-faqe të komunës, në vendet publike dhe në media lokale, elektronike dhe të shkruara, po ashtu njoftimi duhet të identifikojë emërtimin e pronës, lokacionin dhe përshkrimin e saj, kohëzgjatjen e shfrytëzimit, çmimin fillestar dhe disa informacione të tjera.
Më tej Rashiti thotë se sipas këtij ligji, në nenin 9 pika 8, thuhet shumë qartë se vendimet për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës publikohen në web-faqe të komunës dhe në format tjera të publikimit. Përveç kësaj, në pikën 9 kërkohet që këto vendime ti nënshtrohen shqyrtimit të detyrueshëm të ligjshmërisë, ashtu siç është përcaktuar me Ligjin përkatës për Vetëqeverisje lokale. Ndërsa, për këtë ankand publik nuk janë respektuar asnjëri ligj i Republikës së Kosovës dhe kemi të bëjmë me një ankand të realizuar jashtëligjshëm dhe jotransparent, e si rezultat i këtyre shkeljeve kemi të bëjmë me një kontratë jovalide të lidhur në mes kryetarit të Gjilanit dhe kompanisë së kontraktuar “Bezi” nga Gjilani.
Rashiti i PD-së thotë se shpallja e këtij ankandi publik, nuk është publikuar në mediume ashtu siç e kërkon ligji, nuk është shpallur në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publike, ashtu siç e kërkon ligji i prokurimit, nuk është shpallur vendimi për kontratën e dhënë në faqen zyrtare të komunës së Gjilanit.
“Me këto veprime të qeverisjes lokale kemi të bëjmë me “sekret” të plotë të kontratës së lidhur, e që me ligj është i obliguar autoriteti kontraktues ta publikojë vendimin për çdo ankand dhe kontratë të lidhur me operatorin e përzgjedhur. Ne kemi kërkuar me shkrim për qasje në dokumente zyrtare, por institucionet përgjegjëse të komunës së Gjilanit, nuk janë përgjigjur ende edhe pse janë të detyruar ta bëjnë këtë, sepse këtë na e mundëson ligji për qasje në dokumente publike. Ne po presim përgjigjen nga komuna, deri në afatin e caktuar ligjor”, thotë Rashiti.
Ai ka thënë tutje se edhe këtë çështje do ta adresojnë në institucionet përkatëse të cilat e monitorojnë çdo aktivitet të prokurimit dhe ligjshmërinë e lidhjes së kontratës me operatorët ekonomik, mirëpo edhe këtë rast do ta adresojmë në organet e hetuesisë, sepse kemi të bëjmë me shkelje të rënda procedurale dhe ligjore.
“Sepse kryetari i Komunës së Gjilanit, në këtë rast personalisht ka shkelur parimet bazë të ligjit pët dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, por edhe në rastet e tenderëve tjerë, ka lejuar zyrën e prokurimit e në këtë rast edhe komisionin e Kuvendit Komunal, të devijojë nga respektimi i ligjit të prokurimit publik dhe procedurat e ankandit. Dhe po ashtu ai drejtpërdrejt po vazhdon me ndërhyrjet e tija të jashtëligjshme në realizimin e kontratave nga operatorët e kontraktuar nga komuna e Gjilanit”, ka thënë riad Rashiti, këshilltar komunal i PDk-së n asamblenë komunale të Gjilanit. /2L ONLINE/