Në vazhdën e aktiviteteve që po organizohen në kuadër të projektit “Avoko kundër dhunës dhe pro diskutimit për edukimin seksual”, në Gjilan është organizuar aktiviteti i radhës.
Drejtues të OJQ RARE thonë se ky aktivitet ishte një Fokus Grup i mbledhur për temën e projektit dhe njëkohësisht takimi shërbeu edhe si një sesion informues lidhur me projektin në fjalë. Të ftuar ishin persona me profesione të ndryshme dhe të moshave të ndryshme.
Nga të pranishmit u diskutua hapur dhe lirshëm për fenomenet e ndryshme negative që janë pjesë e shoqërisë sonë, çfarë ndikimi kanë, kush janë shkaktarët dhe poashtu se si mund t’i parandalojmë ato. U diskutua edhe për Edukimin Seksual, si edukim i rëndësishëm dhe si masë preventive kundër dukurive negative dhe penale, siç janë ngacmimet dhe dhuna seksuale.
Kujtojmë se, për të ecur mbarë dhe kanalizuar diskutimet në fushën konkrete të paraparë me këtë Fokus Grup, organizatori OJQ RARE është përkujdesur që të ketë të pranishëm edhe penalistë që në këtë rast ishin: Mimoza Kadriu, psikologe dhe Lindita Salihu, zyrtare komunale për barazi gjinore.
Projekti në fjalë, implementohet nga Organizata Jo-Qeveritare RARE në partneritet me mediumin 2LONLINE. com, mbështetur nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport – Gjilan. /2LONLINE/