Të gjitha raportimet që bëhen në emër të Gjykatës Speciale, çdo paraqitje publike e kujtdo qoftë rreth Speciales, çdo akuzë ose çdo gisht drejtuar kah dëshmitarët ose të akuzuarit eventualë dhe çdo prononcim publik i avokatëve mbrojtës dhe palëve të përfshira, duhet të merret me kujdes, maturi dhe seriozitet nga mediet.
Shkruan: Musa Sabedini
Mediet kanë rol historik dhe do të jenë në krye të detyrës së tyre profesionale, nëse raportojnë saktë, nëse nuk bien nën ndikimin e rrjeteve sociale, nëse janë të ngritur profesionalisht gazetarët që merren me Gjykatën Speciale dhe mbi të gjitha, mediet duhet të jenë profesionale dhe të kryejnë detyrën e raportimit, e assesi të paragjykojnë ose të shtrembërojnë tërë këtë proces shumë delikat për Kosovën dhe shoqërinë e saj.
Gjykata Speciale, pos që do të jetë një test për klasën politike dhe të gjithë ata që mendohet se mund të jenë të akuzuar apo të dyshuar të këtij procesi, një test shumë i madh do të jetë edhe për mediet kosovare të shkruara dhe online.
Nuk e kam ndërmend të hyjë në procedurat e themelimit të Gjykatës Speciale, sepse tashmë dihen botërisht të gjitha, por mos të harrojmë se Gjykata Speciale nuk ka pikur nga qielli. Ajo erdhi me miratimin dhe aprovimin zyrtar të të gjitha institucioneve shtetërore të Kosovës.
Për mua si profesionist dhe gazetar që kam një përvojë të gjatë në raportimin nga procese të ndërlikuara gjyqësore, mbetet me shumë rëndësi të shihet mënyra e raportimit të medieve kosovare nga Gjykata Speciale dhe puna e saj.
Pothuajse janë bërë 7 vite e më shumë që përmendet dhe përfolët roli i Gjykatës Speciale, kush do të akuzohet, kush ka bërë krime, janë dhënë emra të shumtë, derisa tani së fundit, një dëshmitar tregoi komplet rrjetin e krimit të organizuar.
Mos harroni se Gjykata Speciale është në shërbim të politikës dhe jo të drejtësisë dhe rreth saj janë të kyçur agjentura e shtete nga më të ndryshmet. Argatin, fatkeqësisht e kanë bërë shqiptarët, partitë politike LDK, PDK e AAK. Këto janë përgjegjëset kryesore, sepse këto parti kanë krijuar dosje dhe ato pastaj janë dorëzuar tek ndërkombëtarët.
Si të raportojmë për Gjykatën Speciale, si të jemi më profesionalë në këtë fushë, si të jemi larg emocioneve dhe ta kryejmë me nder detyrën? Është një hap i rëndësishëm që mediet kosovare duhet të ndjekin, për të mos bërë gabime të pariparueshme.
Gjykata Speciale i ka specifikat e saja, i ka kriteret dhe mënyrat se si mund të raportosh, besoj që do të lejohet edhe qasja live në seancat e rëndësishme. E keqja më e madhe që bëjnë mediat kosovare është fakti se duan qysh në start të kuptojnë se kush po akuzohet, kush janë dëshmitarët, kush do të jenë avokatët. Mendoj se këto elemente janë periferike në raport me faktin se Gjykata Speciale, në maksimum do të ruaj privatësinë e të akuzuarve dhe të dëshmitarëve. Është proces delikat dhe i ndjeshëm për të gjitha palët.
Kam vërejtur se avokatë e njerëz me ndikim në jetën publike, vazhdimisht akuzojnë, japin emra të kandidatëve të mundshëm. Këto prononcime të parakohshme e dëmtojnë shumë procesin dhe palët e përfshira. Llogariteni sa emrat kanë qarkulluar se do të jenë të akuzuar të mundshëm dhe nesër të mos jenë fare në listë. Ku mbetet pastaj etika dhe gazetaria, ose ku mbetet ndërgjegjja e atyre individëve që kanë shpifur e njollosur figurat publike.
Gjykata Speciale nuk është qërim i hesapeve mes palëve, ajo është një krijesë juridike që merret me fakte, prova, dëshmi, deklarata origjinale dhe dihet se cilën periudhë e përfshinë.
Prapë te mediet e kam hallin. Redaksitë do të duhej të akreditonin gazetarë me përvojë dhe të aftë për të përcjellë gjykimet dhe seancat. Në këso raste, gazetari duhet të jetë i përgatitur profesionalisht, psikologjikisht dhe emocionalisht. Raportimi duhet të jetë i saktë, i bazuar dhe korrekt.
Çdo gazetar i akredituar duhet ta dijë e mësojë në detaje mënyrën si funksionon Gjykata Speciales si dhe mënyrën e komunikimit. Dëshmitarët e mbrojtur janë tehu ose thika që mund të gabohen rëndë mediat në raportimet e tyre. Seancat gjyqësore janë të mundimshme, të mërzitshme dhe shpesh ka edhe ndërprerje. Por gazetari i shkathët duhet të përcjell dhe evidentojë çdo ndryshim ose vendim që sjell trupi gjykues.
E shoh shumë jo profesionale kur avokatët kosovarë deklarohen ose janë deklaruar me muaj dhe asnjëherë nuk ia kanë qëlluar. “Sot pritet të ngritët aktakuza e parë”, “gjatë javës së janarit pritet aktakuza e parë” etj. Shumë deklarime tjera të pashpjegueshme janë bërë në llogari të njerëzve të caktuar.
Në fakt, se sa do të jetë Gjykata Speciale efikase dhe sa ajo do të pranohet nga publiku kosovar, kjo varet kryekëput nga raportimet mediatike. Gazetarët gjakftohtë, gazetarët e shkolluar dhe që i njohin mirë efektet dhe kriteret e raportimit dhe teknikat e saj, nuk e kanë problem përcjelljen e seancave gjyqësorë.
Por gazetarët e papërvojë dhe që nuk i njohin mirë elementet e funksionimit të Gjykatës Speciale, vetëm se iu bëjnë dëm dhe sherr edhe të akuzuarve edhe dëshmitarëve të mbrojtur. Pra, kujdes kënd e dërgoni të raportojë.
Raportimi nga proceset gjyqësore kërkon shumë angazhim nga ana e gazetarit, praktikisht gazetarët duhet të kenë njëfarë përgatitje për këtë sektor të raportimit, duke lexuar ligje, dokumente, udhëzime të ndryshme gjyqësore, të cilat i ndihmojnë të kuptojnë se si funksionojnë institucionet e drejtësisë në përgjithësi.
Gjatë raportimit, gazetari duhet të përdorë terminologji adekuate, shkrimi nuk duhet të jetë sensacional, por duhet të jetë korrekt, duke cituar burimet kryesore. Natyrisht, raportimi i mirë përfshinë dhe përkujton ngjarjet para dhënies së vendimit.