Secili raport normal i punës, vlerësohet në bazë të vlerave. Por kjo nuk ndodhi dje me raportin njëvjeçar të punës së Komunës së Gjilanit. Postulati I demokracisë lejoi që të miratohet një raport i tillë pune, i paverifikuar, pa përmbajtje, pa vlera dhe krejt sipërfaqësor.
Shkruan: Shefik Surdulli
Në prezantimin e raportit, kryetari I komunës, Lutfi Haziri, në fjalën e tij, sërish u paraqit me të njëjtën retorikë; elozhe për veten e tij si kryetar që sërish mori besimin e qytetarëve; që do të qeverisë e bashkërendoj punën e tij me qytetarët, duke harruar se po fliste para kuvendarëve të zgjedhur nga qytetarët mu sikur vet ai, nga të cilët kërkoi pastaj bashkëpunim dhe ndihmën e tyre për miratimin e raportit të punës së tij njëvjeçare.
Po ashtu, z. Haziri, nuk harroi ti përsëris premtimet e tij për “megainvestime” në Gjilan, tamam si në kampanjë zgjedhore, duke harruar që tanimë është koha për këndellje dhe fillim të realizimit të projekteve jetike për Gjilanin dhe qytetarët tanë, pikërisht për të cilat e ka marrë besimin qytetar.
Kryetari Haziri, po ashtu “harroi” se, qeverisjen e tij e kanë përcjellë dhe ngulfatur plot probleme e telashe pothuajse në të gjitha segmentet qeverisëse dhe me vartësit e tij, drejtorët dhe menaxherët që kanë tregu performancë të ulët në punën e tyre, gjë që edhe në këtë raport shihet qartazi varfëria e aktiviteteve, mospërmbushja e planifikimeve në dinamikën e paraparë, mungesa e madhe e transparencës, sidomos të shpenzimet nëpër drejtoritë e caktuara, dhe një mori anomalish dhe parregullsish tjera.
Por, ajo që është dhe mbetet shqetësuese për mua, si kuvendar, për qytetarët e Gjilanit në përgjithësi, e që do të duhej të jetë shqetësuese edhe për vet kryetarin e komunës, z. Haziri, është papërgjegjësia e skajshme në punë dhe konflikti serioz me ligjin, që e ka ekzekutivi me drejtorët dhe zyrtarë të lartë të komunës, të cilët, për shkak të keqpërdorimeve të detyrës zyrtare, po hetohen dhe ndiqen nga prokuroria themelore e Gjilanit.
Pra, si mundet që kryetari I komunës dhe vet drejtorët e ndjekur, të kërkojnë përgjegjësi në punë dhe zbatim të ligjit nga zyrtarët tjerë, shërbyesit civil dhe po ashtu kryerjen e obligimeve nga qytetarët, kur vet këta, duke qenë në krye të komunës, janë shembulli më i keq në këtë relacion!
Përpos mos realizimit të objektivave të një qeverie komunale, si kjo e Gjilanit, pos tjerash, në raport nuk janë paraqitur sfidat e shumë drejtorive për periudhën pasuese, gjë që len të kuptohet për një shthurje dhe anarki të mëtejmë që do të vazhdoj edhe në këtë mandat qeverisës.
Ne gjithsesi do të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet e komunës, do ti vlerësojmë punët e mira, por vetëm deri aty ku këto institucione nuk e atakojnë ligjin dhe nuk e nëpërkëmbin qytetarin. Në të kundërtën, do të jemi të pakrompromis në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive tona si përfaqësues të qytetarëve, pa asnjë dallim.
/autori është anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)/