Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë të enjten se po angazhohet maksimalisht që misionet ndërkombëtare të pranishme në Kosovë, të cilat kanë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, të ndryshojnë atë dhe ta pranojnë shtetësinë e Kosovës.
“Qasja jonë ndaj OSBE-së dhe ndaj shumë institucioneve që veprojnë në Kosovë falë Rezolutës 1244 është se këto misione, që gjoja kanë qëndrimin neutral ndaj statusit të Kosovës, t’i shtyjmë të lëvizin drejt një statusi pozitiv për Kosovën, që ta pranojnë realitetin e shtetit të Kosovës dhe ta pranojnë Kosovën si shtet”, ka deklaruar ministri Hoxhaj, gjatë një deklarimi në seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj ka reaguar edhe ndaj një raporti të publikuar së fundmi nga misioni i OSBE-së, i cili ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës e ku përmendet Mitrovica si pjesë e Serbisë. Hoxhaj ka bërë me dije se Departamenti përkatës i MPJ-së që merret me organizatat ndërkombëtare ka kërkuar menjëherë sqarime nga misioni i OSBE-së në Prishtinë, zyrtarë të të cilit kanë pranuar se ky kishte qenë një gabim teknik. Ministri ka bërë me dije se për të njëjtën çështje do të diskutojë me ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jean Claude Schlumberger, me të cilin pritet të takohet së shpejti.
Në këtë drejtim, ministri ka përmendur përpjekjet e Serbisë dhe Rusisë për ta përdorur misionin e OSBE-së në Kosovë për agjendën e tyre politike.
“Ka një tendencë nga ana e Serbisë dhe Rusisë për ta përdorur misionin e OSBE-së në Kosovë për përpjekjet e tyre që padyshim nuk janë favorizuese për shtetin e Kosovës dhe këtë që po e them në këtë Kuvend e kam ngritur me seriozitetin më të madh dhe me një qasje më përmbajtjesore në të gjitha takimet që kam pasur me OSBE-në”, ka thënë ministri.
Hoxhaj ka deklaruar se këtë çështje e ka diskutuar edhe me partnerët ndërkombëtar. Me këtë rast, ministri ka thënë se “dua t’iu siguroj që jam shumë serioz jo vetëm sa i përket OSBE-së por edhe UNMIK-ut në Kosovë dhe që shpeshherë misione të tilla synojnë ta minojnë shtetësinë e Kosovës dhe e kam ngritë në çdo takim me partnerët tanë, aty ku nuk jemi anëtar”.