Kapitulli 6.24: Mediat dhe shoqëria e informacionit
nga: Zejnullah Jakupi, Berlin
Edhe këtë vit si vitet tjera Komisioni Europian në raportin e tij për vitin 2020 ka vlerësuar se nuk është gjetur një zgjidhje e qendrueshme e financimit për mediumin Publik -Radio Televizionin e Kosovës. Në raport thuhet gjithashtu se KMP nuk ka përmbushur obligimet ligjore për të siguruar përfundimin e agjendës digjitale,kalimin nga sistemi analog në ate digjital/numerik.
Ndërkohë që e gjithë vëmendja e diaskursit publik në Kosovë është koncentruar në spektrin politik, dhe kjo ka bërë që rekomandimet nga raporti i KE-së (Komisionit Evropian) kanë mbetur nën hije. Prandaj tema e këtij trajimi koncentrohet vetëm rreth kapitullit 6.24 – ku flitet për mediat dhe shoqërinë e informacionit.
KE thekëson në raportin e tij se KPM-ja akoma nuk ka përmbushur këtë detyrim (edhe pse ka miratur ligjin për digjitalizim), por nuk i ka adresuar këto çështje nga viti i kaluar. Kërkesa e KE-së drejtuar KPM-së, e cila ka të bëjë me procesin e digjitalizimit- kalimit nga transmetimet analoge në ato digjitale/numerike është edhe detyrim politik të cilën Republika e Kosovës duhet ta plotësojë për rrugetimin e saj drejt BE-së dhe anëtarësimit të saj në familjen evropiane. Prandaj KE ka kërkuar plotësimin e këtyre kërkesave të cilat Republika e Kosovës akoma nuk i ka përmbushur.
Duhet thekësuar me këte rast se fillimet e procesit për kalimin nga transmetimi analog në ate digjital-numerik në BE, datojnë nga viti 2003 dhe janë kryerë tashmë, ndërsa Shqipëria dhe Kosova, mbeten vendet e fundit në rajon të cilat nuk e kanë përfunduar akoma procesin e digjitalizimit. Prandaj, çdo vonesë e mëtejshme në plotësimin e këtyre dy kërkesave në fushën e medieve rrezikon padyshim realizimin e procesit, që përbën një nga angazhimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe integrimit të saj në BE.
RTK problemi i pazgjidhur!
Ashtu edhe si vitet tjera në këtë raport KE kërkon nga KPM ta përmbush detyrimin karshi RTK-së. Në bazë të Ligjit Nr. 04/L-44, KPM është përgjegjëse për këtë domene. Në ligj thuhet decidivisht se KPM ka detyrat me sa vijon: „licencon transmetuesit publik e privat, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele.“ KPM ne bashkëveprim ose duhet t´i kërkojë Kuvendit si themelues i RTK-së ose kjo e fundit ta obligon KPM-në në zgjidhen e problemit të financimit të RTK-së. Zgjidhja e qëndrueshme financiare për mediumin Publik (RTK), siguron pavarësinë editoriale të mediumit. Dhe, përderi sa nuk është arritur kjo, medium publik është i ekspozuar ndikimit politik. Në këto rrethana egzistuese RTK-ja trajtohet nga ana e BE-së si një medium gjysmë shterëror përderi sa financohet pjesërisht nga buxheti i shtetit.
Rregullimi i monopoleve
Edhe pse Raporti i KE-së nuk e ka thekësuar në këtë raport çështjen e pazgjidhur si p.sh. rregullimi i monopoleve të transmetimeve, kjo temë dosido është një çështje mjaft serioze, dhe do jetë një sfidë e radhës, veçanërisht në lidhje me praninë e internetit dhe zgjerimin e ofertave dixhitale të RTK-së, por edhe dy mediumeve tjera RTV21 dhe Koha Vision, me përmbajtje tekstore në uebfaqet e tyre.
Sipas situatës aktuale ligjore, ose asaj mediale, KPM nuk e ka në asnjë nen të kodifikuar se deri në që masë mund të jetë i zgjeruar mandati i programit televiziv dhe ai i radios, dhe si mund bëjë kufizime për shkak se zgjerimi i medieve audiovizive në internet kufizon konkurrencën e lirë për tregun e shtypit.
Deri më tani të gjitha mediumet audiovizive, janë shumë aktive në internet. Ato dëshirojnë të kenë dorën e lirë në të gjitha platformat online. Nga ana tjetër, akoma nuk ka një rezistencë, veçanërisht nga botuesit e gazetave dhe revistave që duhet të fitojnë para me portalet e tyre në internet. Edhe këtu mbetet një detyrë e KPM-së ta rregullojë me një ligj konkurrencën e padrejtë nga ana e trasmetuesve audioviziv. /2LONLINE.com/
Autori është magjistër i shkencave të komunikimit si dhe Kordinator i FeD-it për Gjermani