(2LONLINE) – Të gjitha falënderimet i bëjmë për Allahun vetëm Atij i takon adhurimi dhe përkushtimi. Për te falemi dhe vetëm prej Tij ndihmë kërkojmë. Ti o Zot je burimi i pashtershëm i energjisë dhe durimit. Rruga jote fisnikëron shpirtrat tanë i bënë ata të denjë për të mësyrë rrugën e ahiretit, shtegun e kënaqësive të pafund. Për ne ke dhënë jetë si vlerën më të çmuar që ne posedojmë. Ne jetojmë, hamë e pimë e kënaqemi me të mirat e Allahut! Po të mos na dhuronte jetën si do ta arrinim ne atë e sa do të investonim për të blerë qoftë edhe disa momente jete. Në krijimin tonë gjejmë mrekullinë e Allahut, atë e vërejmë dhe e lexojmë kudo në tokë dhe në qiell. Meditimi në argumentet që na rrethojnë hapë rrugën e besimit të sinqertë në Allahun, ngritë përgjegjësinë dhe përkushtimin ndaj Tij.
Shkruan: Prof. Aso. Dr. Sulejman Osmani
– Islami ka ardhur me kujdesin për njeriun, rregullon jetën e tij, gjithçka vendosë brenda rendit dhe ligjit, një objektiv të cilin e synojnë shoqëritë, ato të kohës së kaluar dhe të tashmes. Një synim i tillë vazhdon të jetë objektiva e perspektivës pa synimin e të cilës nuk do të ketë shoqëri të shëndetshme dhe ecuri stabile.
Elementet e reformës mund t’i ndjejmë në të gjitha detyrat Islame. Zbatimi i tyre na mëson respektimin e kohës si një faktorë shumë i rëndësishëm për organizimin e jetës. Mësimet e tilla shkojnë shumë më thellë ato synojnë shërimin e shpirtit dhe ndërtimin e tij.
Tani po shkon edhe një Ramazan i cili shpresojmë që në ne të ketë bërë punën e vet, duke arritur objektivat e synuara. Ishte në mesin tonë përgjatë 30 ditëve ku në mënyrë intensive ushtroj ndikimin e vet. Ditët dhe netët e tij ishin përplot dukuri adhurimesh që synuan të na ofrojnë drejt Allahut, të na bëjnë më të devotshëm, më shpirtbutë, më bujarë, të jemi falës, të bashkëjetojmë me të tjerët në paqe e dashuri.
Gjatë agjërimit ne nuk hamë e nuk pimë, prej syfyrit deri në iftar dhe ky rregull na duket një investim bukur serioz e ashtu edhe është. Ama a kemi menduar sa janë të mirat që na i sjell agjërimi. Ne nuk hami e nuk pimë ndërsa si kompensim marrim shpërblimet e agjërimit. Ato janë shumë më të mëdha, ato reflektojnë në jetën tonë me shumë pozitivistet. Misioni i agjërimit kërkon nga ne të shtrijmë dorën e faljes në mes nesh, të përmirësojmë raportet tona, të tejkalojmë ndasitë e ndryshme të cilat mund të dëmtojnë jetën tonë dhe të prishin bukurinë e saj. Çfarë kuptimi ka jeta pa dashurin e familjarëve, pa të afërmit, pa miqtë shokët e dashamirët. Çfarë rehatie ka ai që mendon vetëm për veten e vet, pa u përpjekur edhe për rehatinë e të tjerëve. Shumë i madh është ai që bënë jetën në shërbim të tjerëve, u gjendet afër, shtrinë dorën e ndihmës dhe solidaritetit.
Misioni i agjërimit kultivon vlerat e mirëfillta të cilat synojnë të reformojnë shpirtin e besimtarit dhe që ai të bashkëjeton me mirësitë e tilla të cilat fisnikërojnë jetën tonë, e bëjnë atë më me kuptim dhe ndjeshmëri. Agjërimi kërkon nga ne të kalojmë përtej kuptimit bukfal, përtej asaj që njihet si largim nga haja e pija. Vërtetë agjërimi ka për objektiv ndryshimin tonë.
Duhet të kuptojmë se prej agjërimit përfitojmë ne dhe të mirat e tij kthehen te ne edhe ato shpirtërore e edhe ato materiale. Jemi në paqe me veten tonë e gjithsesi jemi në paqe edhe me të tjerët. Rregulla e agjërimit na ngritë në nivelin më të lartë të përgjegjësisë. Nuk bënë të flasim fjalë të ndyta, nuk bënë të sillemi keq, e nuk bënë ta ngrehim zërin. A nuk është kjo për ne dhe e mira e saj nuk reflekton te ne?! Gjithsesi, themi po dhe pikërisht ashtu është. Muaji i Ramazanit kthen shpresën e atyre që synojnë të kapin rrugën e mbarë dhe të bëjnë kthesën e jetës ngase hapen portat e mëshirës së Allahut e mundësia për reformim vendos lëvizjen tonë drejt kahjes së duhur. O besimtar! Erdhi Ramazani, e ti tani kapu dhe hip në trenin e pendimit, kthehu kah e mbara. Këtë ta ka ofruar agjërimi. E ti, a e shfrytëzove mundësin e ofruar!?
Në Ramazan u gëzua shumë i pasuri ngase ishte koha e duhur për të treguar bujarinë. Ai zgjati dorën e ndihmës të shtresat e ndryshme nevojtare. Pastroi mallin, fisnikëroj shpirtin duke kënaqur Krijuesin e tij. Te Allahu nuk arrin as dinari e as dirhemi por arrin devotshmëria jonë.
U gëzua edhe i varfëri ngase ka ardhur koha e shprehjes së bujarisë dhe ai tani do të përfiton nga detyrat që prodhon agjërimi. Ligji i Islamit thotë se i varfëri te i pasuri ka të drejtën e vet, një pjesë pasurie të cilën ai duhet ta gëzojë. Ai e merr këtë pa e shtrirë dorën e lypjes, pa u përkulur e pa u ndjerë i nënçmuar. Është e drejtë që ia ka dhënë Allahu. Detyrimet materiale të fundit të Ramazanit në minimumin e synimit kërkojnë sigurimin sofrës së fukarasë. Në këtë ditë edhe ai duhet të ketë e rregullat e Islamit i kanë garantuar të drejtën e tij.
Jemi dëshmitarë të aktiviteteve të ndryshme humanitare të cilat të cilat i përjetuam gjatë ditëve të agjërimit. Shumëkush u pajtua, u morën ngryk me njëri tjetrin, u përqafuan duke i bashkuar sofra e iftarit. Të tjerët shtruan iftare publike në sheshe dhe ambiente të hapura, me çka shumë i shtuan hijeshinë Ramazanit. Ne me ndihmën e bamirësve ndamë një numër të konsiderueshëm të pakova ushqimore nga të cilat përfituan shumë familje. Nuk mund të them se bëmë shumë por gjithsesi provuam solidaritetin i cili identifikon agjërimin.
Tani në fundin e tij dhe në këto momente kur Ramazani po na e thotë lamtumirën, e agjërimi po ikën drejt horizonteve e kemi të qartë se mysafiri i Allahut veç sa shkoj e megjithatë mirësitë e tij dhe reforma e synuar te ne do të vazhdojnë të japin frytet edhe më. /2L ONLINE/
(autori është ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë dhe aktualisht kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan. Ky shkrim është shkruar enkas për Portalin Informativ 2L ONLINE)