Drejtues të kompanisë regjionale për grumbullimin e mbeturinave “EcoHigjiena”, thanë se po vazhdojnë me punët e përditshme në shërbim të qytetarëve dhe ambientit, porse tani kanë shtuar edhe kapacitetet, për të mirëpritur sa më mirë bashkatdhetarët që po vijnë, e do të vijnë për pushime në vendlindjen e tyre, me shërbime të mira ndaj tyre dhe ndaj ambientit.
Senad Ramaj drejtori i kësaj kompanie ka thënë për Portalin 2LONLINE.com, se i vlerëson lartë dhe iu është mirënjohës të gjithë atyre klientëve dhe qytetarëve, në tërë regjionin që e mbulon EcoHigjiena me shërbimet e saja, që po tregojnë vetëdije në lidhje me ambientin, por edhe që e njohin rëndësinë e këtij shërbimi që e kryen kjo kompani, për një të mirë të përgjithshme.
Por, Ramaj ka vlerësuar edhe bashkatdhetarët që në raport me kompaninë i kryejnë obligimet pa hezitim, por edhe për kontributin e tyre që e japin për një ambient të pastër, përmes shoqatave të ndryshme, në lokalitete të ndryshme, dhe në këtë kontekst ka përmendur si shembujt të mirë, fshatin Dobërçan dhe Pogragjë të Gjilanit.
Ramaj tha se përmes shoqatave vlerësohet kontributi i tyre në këto lokalitete për ambientin dhe për këtë, Kompania EcoHigjiena iu është mirënjohëse. Dhe tani kur ata po vijnë, EcoHigjiena i ka shtuar kapacitetet për të ofruar një ambient të pastër dhe shërbime cilësore.
Ai tha se kanë rritur vigjilencën dhe kanë kapacitete edhe me makineri edhe me staf, nuk do të kursehen, por do të punojnë për një regjion të pastër, por edhe për shërbime sa më të mira për klientelen, përfshirë bashkatdhetarët.
Ramaj tha se bashkatdhetarët duke i kryer obligimet e tyre, ndihmojnë që kompania po e mirëmban shërbimin në nivelin e duhur dhe në mënyrë indirekte kjo kategori po ndikon për zbutjen e gjendjes edhe te rastet sociale, që siç dihet janë të liruar nga obligimet ndja EcoHigjienës, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ai tha se në këto dy muaj shtohet vëllimi i mbeturinave por kompania është e gatshme për grumbullimin e tyre dhe do ta jap kontributin e saj për një qytet të pastër, si në Gjilan, Viti e Kamenicë.
Ai u ka bërë me dije qytetarëve gjilanas se mirëmbajtja e hapësirave publike nuk është në obligimin e kompanisë, por se janë shumë të interesuar që Gjilani të jetë i pastër. Institucionet komunale duhet të punojnë në ngritje të vetëdijes qytetare, në ndërgjegjësimin e bizneseve dhe institucioneve tjera që të ruhet qyteti, qendra, sheshet…, dhe se komuna duhet të caktoj vende ku ne do t’i vendosim kontejnerë të cilat pastaj do t’i zbrazim.
Po ashtu Ramaj tha se janë pjesë dhe japin kontribut në çdo aksion vullnetar të pastrimit të hapësirave por se institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa që ato ambiente të mbahen të pastra që të mos ketë nevojë për aksione të serishme në të njëjtat vende.
Për fund, Ramaj tha se u dëshiron mirëseardhje bashkatdhetarëve dhe pushime të mira dhe se kompania EcoHigjiena do të jetë në shërbim të tyre, me shërbimet e saja që i ofron. /2LONLINE.com/