(2L ONLINE) – Në konferencën për media drejtori i Drejtorisë Komunale për Bujqësi, Ramiz Ramadani ka prezantuar para gazetarëve të arriturat e kësaj drejtorie për vitin 2014. Ai ka thënë se edhe përkundër mundësive të vogla buxhetore janë bërë punë te mëdha dhe të pritura shumë mirë nga ana e qytetarëve.
Duke folur për aktivitetet , Ramadani ka thënë se nga muaji janar e deri më tani kanë mbajtur 8 seanca trajnuese, nga lëmitë e ndryshme bujqësore dhe janë trajnuar mbi 400 fermerë. Gjithashtu, janë vizituar dhe ju kanë përgjigjur të gjitha kërkesave të fermerëve, e aty ku kanë pasur mundësi i kanë ndihmuar në zgjidhjen e atyre kërkesave.
“Nga fillimi i muajit shkurt, katër zyrtar të DBP të trajnuar për digjitalizim të parcelave, kanë punuar në kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm për aplikim të fermerëve për subvencionet që ipen nga MBPZHR. Për këto subvencione kanë aplikuar 787 fermerë nga komuna e Gjilanit”, ka thënë Ramadani.
Duke folur për projektet e realizuara, Ramadani ka thënë se një projekt i filluar më herët me Caritasin e Luxemburgut dhe komunës së Gjilanit si partnere u finalizua me 7 mars ku u shpërndan 10 moto kultivator për fermerët e fshatrave: Gadish, Kishnapole, Sllakovc i ulët dhe Sllakovc i Epërm, dhe me datën 11 mars, kanë vazhduar me shpërndarjen e mekanizmit shtesë (Piatore, kosa disk dhe grabuja rrotulluese) edhe për 30 fermerë tjerë të malësisë së Kishnapoles, Gadishit dhe Sllakovcit.
Në pranverë, me 18 mars është filluar me shpërndarjen e folisë, ku përfitues kanë qenë 307 fermerë. Vlera totale e këtij projekti 15,000.00 €.
“Sipas planifikimeve kemi vazhduar me subvencionim të fermerëve me farë misri. Komuna e Gjilanit këtë vit i ka përkrah fermerët kultivues të misrit me farë misri hibrid me sasi prej 650 thasë, për mbjelljen e 325 hektarëve me misër. Përfitues janë 348 fermerë dhe vlera e këtij projekti kap shumën prej 16,721.50 €. “, ka thënë Ramadani.
Tutje ai ka potencuar se pas reshjeve të pa zakonta të borës me 16 prill 2014 dhe reshjeve të shiut deri më 19 prill 2014, rritet niveli i ujit përgjatë lumenjve duke shkaktuar vërshime. Menjëherë pas kësaj situate emergjente me vendim të Kryetarit të Komunës themelohet komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve në kulturat bujqësore të shkaktuara nga vërshimet.
Komisioni ka vizituar të gjitha ngastrat e vërshuara dhe ka konstatuar se nga vërshimet ka pas dëme e totali i përllogaritjeve të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe bora janë 75,446.00 €.
Sipas Ramadanit nga 1 maji kanë larguar shqetësimin shumë të madh të qytetarëve duke larguar dhe trajtuar deri më tani 200 qenë pa pronar dhe në vazhdim do të trajtohen edhe 100 të tjerë. Të gjithë qentë e kapur ju kanë nënshtruar trajtimit mjekësor dhe pas Sterilizimit / Kastrimit, dhe matrikulimit 150 qenë janë kthyer në habitatet prej nga janë marrë ndërsa 50 qenë janë ndalur për qëndrim të përhershëm në strehimore. Kostoja totale e këtij shërbimi është 5,400.00 €.
“Gjithashtu, sipas dinamikës së planifikuar kemi subvencionuar 104 bletarë me 250 shtëpiza tri katesh të tipit LR. Nga ky projekt kanë përfituar bletarët të cilët kultivojnë deri në 30 shoqëri bletësh, ndërsa ata që kultivojnë më tepër se 30 shoqëri subvencionohen nga MBPZHR. Vlera e këtij projekti është 9,500.00 €. Me vendim të Kryetarit të komunës, me datën 16.06.2014 është themeluar komisioni komunal për korrje-shirje. Kemi vizituar dhe vlerësuar gjendjen teknike të të gjithë autokombajnave. Fushata e korrje shirjeve zyrtarisht është hapur me 9 korrik, fushata ka qenë e rregullt, është zhvilluar pa probleme dhe vonesa në korrje na kanë shkaktuar reshjet e vazhdueshme:, ka thënë Ramadani.
Po sipas tij, me 15 Gusht pas korrjes së parcelës së fundit zyrtarisht e kemi mbyllur fushatën e korrje-shirjeve. Fushata ka zgjat 36 ditë, janë korrur 2500 ha me grurë, 120 ha tërshërë dhe 80 ha me elb. Nga 84 mostra të marra rendimenti mesatar del 4471 kg/ha.
Në bashkëpunim me Qeverinë e Tirolit Austriak dhe në partneritet me fermerët kemi përfunduar projektin e ujitjes së 6 ha me pemishte në fshatin Përlepnicë. Vlera e këtij projekti është 38,150.00 €.
“Pas vërshimeve të datës 31 korrik komisioni pesë anëtarësh nga drejtoria e bujqësisë ka bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore. Ky komision vlerësimin e ka filluar nga data 01.08.2014 dhe vlerësimi ka përfunduar me datën 13.08.2014. Dëmi i vlerësuar është 32,743.29 €.
“Me 6 gusht janë vendosur 23 shtande për prodhuesit vendor. Afër shkollës ,,Selami Hallaqi’’ janë vendosur 8 shtande, në lagjen ,,Arbëria’’ 7 shtande, në lagjen ,,Iliria’’ 5 shtande dhe në lagjen ,,kodra e dëshmorëve’’3 shtande.
“Jemi duke e realizuar projektin e rrugëve fushore në fshatin Llashticë dhe i njëjti projekt do të vazhdoj në arat e fshatit Lladovë dhe Zhegër. Vlera e këtij projekti është 47,000.00 €. Tani jemi në proces të realizimit të projektit të serrave komerciale. Nga ky projekt do të përfitojnë 16 prodhues të perimeve dhe vlera e këtij projekti është 25,500.00 €”, ka thënë tutje Ramadani.
Sipas itj, me shtator kanë iniciuar procedurat për mbjelljet vjeshtore dhe pas saj kanë bërë ftesat për aplikim për farë gruri. Sasia e farës së planifikuar për subvencionim është mbi 200.000 kg. Vlera e këtij projekti 80.000 €.
“Jemi në proces të regjistrimit të bujqësisë i cili për herë të fundit është bërë në vitin 1961. Është bërë përzgjedhja e mbikëqyrësve dhe kontrollorëve dhe tani jemi në fazën kur është i hapur konkursi për pranimin e 97 regjistruesve në komunën e Gjilanit. Në bashkëpunim me drejtorin e zhvillimit ekonomik dhe Riinvestin jemi në proces të implementimit të një programi për furnizim të bujqve me 30 shpërndarëse të plehut, 5 spërkatëse dhe organizimit të një panairi të bletarisë. Vlera e këtij projekti 12,500.00 €”, ka thënë drejtori i Bujqësisë Ramiz Ramadani.
Ndërsa, duke folur për sektorin e Pylltarisë ai tha se në këtë sektor veprojnë me kompetenca të kufizuara dhe fokusi kryesor është ndalja e prerjeve ilegale të pyjeve. Po bashkëpunojnë ngushtë me Drejtorinë e Sigurisë dhe emergjencave, Policinë e Kosovës dhe Gjykatën komunale,me qëllim të parandalimit të zjarreve dhe prerësve ilegal.
“Gjatë kësaj periudhe janë ngritur 214 fletëparaqitje, prej të cilave për kundërvajtje janë 185 fletëparaqitje, penale 29 fletëparaqitje, dhe kemi pasur 23 konfiskime në sasi prej 58.17 m3. Prej qershorit kemi filluar pastrimin e 12 ha të pyjeve publike në Pogragjë, ku kanë punuar 10 punëtor të angazhuar nga enti për punësim. Kjo masë drunore ju është dhënë fshatarëve të këtyre lokaliteteve pa pagesë”, ka thënë ai.
Tutje Ramadani u shpreh se , plani i prerjeve në pyjet publike në njësinë menaxhuese të Zhegovcit (Kishnapole) është tenderuar dhe është bërë prerja e 712,20 m3 të masës drunore.
Po ashtu edhe në fshatin Zhegër ka filluar rrallimin para-komercial të 5 ha të pyllit dhe masa drunore ju është dhënë pa pagesë qytetarëve të këtij lokaliteti (rasteve sociale).
“Planifikojmë që me rrallim para-komercial ti përfshimë edhe 10 deri 15 ha në fshatin Bresalc”, ka thënë në fund Ramiz Ramadani, drejtor i drejtorisë Komunale të Bujqësisë n Gjilan /2L ONLINE/